Shkodran Metaj: Dua të luaj për Shqipërinë
Kosovari nga Peja, Shkodran Metaj, i cili aktivizohet në radhët e ekipit holandez, Groningen, rrëfen historinë e tij se si u afirmua në Holandë. Metaj në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” në Athinë, i cili kishte ardhur me ekipin e tij për një ndeshje miqësore kundër Olimpiakosit të Pireut, tregon si arriti të luaj me ekipin Shpresa te Holandës dhe çfarë ndjen për Shqipërinë dhe Kombëtaren tonë. Me anë të kësaj interviste, kosovari Shkodran Metaj shuan kureshtjen e tifozerisë shqiptare, duke iu përgjigjur pyetjeve për zgjedhjet që ka bërë dhe dëshiron të bëjë në të ardhmen, duke lënë një dritare hapur për aktivizimin me përfaqësuesen kuqezi.
- Shkodran, ku keni lindur dhe ku jeni rritur?
- Jam lindur më 5 shtator të vitit 1988 në Studenicë të Pejës së Kosovës, megjithëse ambienti atje ishte i rënduar nga lufta, unë jetova 5 vite aty. Në moshën 5-vjeçare babai vendos bashkë me nënën të ikim nga Kosova dhe të emigrojmë në Holandë, aty ku ndodhemi dhe sot.
- A e vizitoni ndonjëherë Kosovën, ose Shqipërinë?
- Vizita ime e parë në Kosovë, ishte pas lufte kur isha 11 vjeç, megjithëse nëna dhe babai janë kthyer dhe jetojnë në Kosovë, unë dhe motra, që jetojmë së bashku në Groningen, shkojmë gjithmonë kur na jepet mundësia. Aty është një pjesë e fëmijërisë sonë, që megjithëse e vështirë për hir të luftës, mbetet një pjesë e nostalgjisë fëmijërore. Në Shqipëri kam qenë dy herë me autobus, vetëm për të marrë avionin për në Holandë, kur nuk punonte aeroporti në Prishtinë. Kam shumë dëshirë të shkoj me pushime në Durrës me familjen time, sepse deti më pëlqen shumë.
- Kjo tregon që keni shumë mall për Shqipërinë?
- Është shumë normale që unë të kem këtë mall, sepse është kombi im, kam nostalgji dhe dëshirë të flas vetëm shqip. Në shtëpi vetëm shqip flasim, sepse duke folur shqip nuk harrojmë zakonet tona dhe tani që flas me ju jam tepër i gëzuar.
- Shkodran Metaj debutimin si futbollist profesionist e ka bërë kundër Ajaksit, si arritët deri aty?
- Jam përgatitur si futbollist nga akademitë e Groningenit, duke parë tiparet e mia si lojtar, bënë që shumë trajnerë të angazhoheshin më tepër në punën e tyre, për formimin tim si futbollist profesionist për ekipin e parë. Kjo ditë erdhi në ndeshjen kundër Ajaksit të madh. Dy ditë përpara takimit më mori trajneri i Groningenit nga ekipi i dytë. Kur u futa tek ai stadium për të bërë nxehmjen, koka më ka mbetur vetëm sipër nga ambientet dhe atmosfera që krijohet aty, nga 50 mijë tifozë. Më kishte ardhur edhe familja për të më parë, dua t’ju tregoj se në atë ndeshje, një nga lojtarët më të shtrenjtë të Ajaksit, suedezi Kenedi Bakirxhikloglu, ka dalë nga loja në minutën e 45-të prej meje. Ndeshja përfundoi në barazim 2-2, por rezultati deri në minutën e 88-të ishte 1-2 për ne, pas takimit kam marrë përgëzime nga i gjithë ekipi dhe nga lojtarët e Ajaksit për lojën që bëra, debutim që dhe sot e kujtoj me nostalgji.
- Cilat janë objektivat tuaja në të ardhmen?
- Qëllimi im është që të luaj me një nga klubet e mëdha të Holandës, dëshirë kam të luaj në radhët e Ajaksit, sepse ka qenë ëndrra ime që fëmijë.
- Meqë jemi te Shqipëria, si jeni ndier kur keni parë ndeshjen Holandë - Shqipëri?
- Isha shumë i lumtur që ndodhesha në stadium me babanë dhe kushëririn tim, duke bërë tifo për Shqipërinë, dua të theksoj se jemi ulur në mes të tifozëve holandezë, me flamurin shqiptar, pa më të voglin problem. Ata janë të urtë dhe të edukuar. Dua gjithashtu t’ju them se kur shënoi gol Shqipëria me anë të Debatik Currit, kemi festuar si të çmendur. Kombëtarja jonë ka luajtur shkëlqyeshëm në atë ndeshje, ku ju mohuan dhe 2 penallti. Nuk do t’i harroj komentet e shtypit holandez një ditë më pas.
- Si qëndron e vërteta juaj në lidhje me refuzimin për të luajtur me Shqipërinë?
- Ju kujtoni se ka qenë e lehtë për mua të aktivizohesha për ekipet kombëtare të moshave të Holandës? Ç’do gjë ka ardhur gradualisht. Dëshiroj të përmend këtu se, gjatë gjithë kësaj kohe, kur unë luaja me ekipet e grupmoshave të Holandës, asnjeri nuk bëri më të voglin interesim për mua, kjo do të thotë që unë nuk kam refuzuar gjë, por s’ka qenë interesimi i duhur që të vija. Kam pasur vetëm dy kontakte, një herë kur ka qenë trajner Oto Bariç, i cili kontaktoi në telefon me babanë tim, meqë të dy komunikonin serbisht. Ai na lajmëroi që do të vinte të më shikonte në ndonjë ndeshje, gjë që nuk ndodhi kurrë. Kurse një herë tjetër, ka qenë kur do të bëhej një grumbullim dhe më lajmëruan që të paraqitesha në Tiranë, lajmërimi m’u bë nga një zyrë në Gjermani, i thashë që do të vij me pa të voglin hezitim, por vetëm më paguani biletën e avionit, pas kësaj kërkese nga ana ime nuk u bë më i gjallë asnjeri. Ky ishte komunikimi i fundit që kisha unë me organet e futbollit shqiptar.
- Kjo do të thotë që interesimi nga ana e FSHF-së, ose e trajnerëve ka qenë jo serioz?
- Mund të them që interesimi dhe puna nga ana e njerëzve që merren me afrimin dhe aktivizimin e talenteve për të luajtur për Kombëtaren e Shqipërisë, ka qenë shumë e dobët dhe aspak profesional. Kur të intereson një lojtar, shkon e sheh në ndeshje dhe flet me të, diskuton rreth gjërave pozitive që ka aktivizimi me Kombëtaren e vendit nga ku është origjina e lojtarit, pasi ai mund të jetë dhe i tunduar për të luajtur për Kombëtaren e vendit ku jeton, por të jeni të sigurt që unë nuk do bëja pazare për të kontribuar për kombin tim!
- Në ndeshjen e Amsterdamit kanë qenë të gjithë zyrtarët e futbollit shqiptar, pse nuk jeni munduar të takonit me presidentin Duka për problemin tuaj?
- Në radhë të parë unë dhe babai im nuk e njohim presidentin e FSHF-së, Armand Dukën, së dyti pa të autorizuar dikush nuk kisha sesi ta takoja, dhe as nuk e dija që ishte aty presidenti i FSHF-së dhe së treti, unë jam futbollist, puna ime është të luaj futboll dhe kush është i interesuar, duhet të vijë të më takojë, sepse unë me të vërtetë luaj për Holandën që nga U-15 deri U-21, por në qoftë se më vjen një thirrje nga Kombëtarja jonë e Shqipërisë, unë do ta shqyrtoj seriozisht. Është vendlindja e prindërve të mi dhe e imja gjithashtu. Kosova dhe Shqipëria janë një komb.
- Kjo do të thotë që me ligjin e ri të FIFA-s, ju mundet të luani për ngjyrat kuqezi?
- Po, unë jam i interesuar që të luaj për kombin tim, si për Kosovën ashtu dhe për Shqipërinë, tani sapo kam mbushur 21 vjeç dhe nuk kam problem të vendos për të ardhmen time. Më vjen keq gjithashtu, që nuk erdhi asnjëherë të interesohej për mua trajneri holandez, Ari Han, meqë unë luaj në Holandë dhe pikërisht Groningeni është vendlindja e tij. Kam marrë vesh që ai vinte shpesh në stadium për të parë ekipin tim, por siç duket, asnjëherë nuk e kuptoi që aty luante një shqiptar! Ndoshta nuk e dinte që unë isha shqiptar, por besoj se emri Shkodran Metaj, s’ka ku shkon më shqiptar, këto janë disa nga indiferentizmat që janë shfaqur ndaj meje.
- Ka shumë fëmijë emigrantësh që zgjedhin të luajnë për vendin ku jetojnë dhe jo Shqipërinë, pse ndodh kjo?
- Mua personalisht nuk më shkonte nëpër mend të luaja për Holandën, por siç jua përmenda dhe më lart, gjithçka erdhi gradualisht, pas interesimeve që bënë trajnerët holandezë. Në Holandë ka shumë talente shqiptare, por nuk interesohet njeri për ta. Në një të ardhme të afërt, ato mund të luajnë për Shqipërinë. Mirëpo kur shikojnë një indiferentizëm të tillë, të gjithë vendosin të luajnë për vendet ku jetojnë, prandaj kjo është përgjigja e atyre zgjedhjeve që bën çdokush nga ne që jetojmë në emigrim.
- Të luanit ndonjë ditë kundër Shqipërisë me Kombëtaren e Holandës, si do të ndiheshit ju?
- Pak e vështirë kjo pyetje (qesh). S’më ka shkuar nëpër mend të them të drejtën, por besoj se do të ishte e vështirë për çdo futbollist. E vetmja gjë e mirë do ishte se do vinin të gjithë fisi e familja të më takonin.
Sipas FIFA-s, ka ende mundësi
Shkodran Metaj ka akoma mundësi të luajë me përfaqësuesen shqiptare. Ai ende nuk ka debutuar me përfaqësuesen A të Holandës dhe ka mundësi të zgjedhë Shqipërinë, nëse dëshiron. Sipas rregullit të ri të FIFA-s, Metaj mjafton të kërkojë të pajiset me pasaportë shqiptare dhe ta marrë një të tillë, ende pa luajtur me përfaqësuesen “A” të Holandës. Gjithsesi, gjithçka mbetet në vullnetin e lojtarit dhe të FSHF-së.
Shkodran Metaj
Datelindja: 05.02.1988
Vendlindja: Studenicë
Gjatesia: 180 cm
Pozicioni: Mesfushor i majtë
Skuadra: Groningen
Numri: 23
Ndeshja: 27
Gola: 3
Ndeshje me U-21 te Holandes: 3
Karriera: Frumbosh, Groningen