auf alb.
Pse nisma Blje Shqip ? Ne mendojmë se tashmë institucionalizimi i tregut në Shqipëri, sipërmarrja shqiptare dhe konsumatorët shqiptarë janë pjekur mjaftueshëm për të vepruar së bashku për forcimin e ekonomisë shqiptare. Blerja e produkteve dhe shërbimeve shqiptare fuqizon sipërmarrjen shqiptare, e bën atë më të përgjegjshme dhe ndaj konsumatorit dhe nevojave të tij, sikurse me anë të taksave gjeneron të ardhura më të mëdha për të mbajtur administratën shtetërore dhe mirëqënien shoqërore në vendin tonë. Prandaj sikurse jemi shqiptarë, mendojmë shqip dhe flasim shqip, po ashtu duhet të blejmë Shqip!
Ne nuk e shohim tregun thjesht si një fushë ndërveprimi sporadik për shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve për interesin vetjak të palëve, por si një mënyrë për të krijuar mirëbesim dhe lidhje afatgjata midis tyre. Sipërmarrjet shqiptare kanë nevojë për konsumatorë besnikë dhe ata mund ti sigurojnë me anë të produkteve dhe shërbimeve cilësore. Qytetari shqiptar, përveç gëzimit të të drejtave civile dhe politike ka të drejtat e tij si konsumator për produkte dhe shërbime cilësore dhe të sigurta, që pajtohen me nevojat dhe mundësitë e tij. Fushata promovuese Blej Shqip, duke respektuar këto të drejta do të përfshijë vetëm sipërmarrje dhe marka shqiptare që plotësojnë kriteret e duhura.
Blej Shqip është një fushatë që i bashkohet nismave të tjera për ta bërë Shqipërinë një vend sa më të zhvilluar dhe të begatë për qytetarët e saj dhe për brezat e ardhshëm. Ne besojmë se shqiptarët do ta bëjnë Shqipërinë! Edhe duke konsumuar në mënyrë inteligjente produkte shqiptare të garantuara për cilësinë e tyre, ne mundemi ta ndihmojmë sadopak ekonominë shqiptare që të konkurojë në mënyrë dinjitoze me ekonomitë e rajonit dhe të Bashkimit Europian. Së fundmi, dinjiteti dhe krenaria shqiptare nuk ka përse të mos shfaqen edhe ne markat shqiptare që konkurojnë në tregjet ndërkombëtare. Fushata promovuese Blej Shqip i shërben kësaj.
Blej Shqip është regjistruar si fushatë e rrjetit të organizatave shqiptare(RROSH). RROSH është forum i organizatave shqiptare nga Pepublika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, Republika e Maqedonisë , Republika e Malit te Zi, Lugina e Preshevës për të bashkuar përpjekjet për një jetë sa më të mirë dhe me dinjitet të shqiptarëve kudo ku janë.