[h=1]Presidenti gjerman nderon "Besën shqiptare" që shpëtoi hebrenjtë[/h]
10.11.2013 - 01:23
Me rastin e 9 nëntorit, Gauck ka qenë i pranishëm edhe në hapjen e ekspozitës “Besa, një kodeks I nderit”, që është bërë në Frankfurt am Oder
Nëntë nëntori i vitit 1938 shënohet gjithandej në Gjermani si përkujtim i “natës së kristaleve”, ose e njohur ndryshe si “nata e pogromit” (përndjekjes) të hebrenjve nga nazistët. Kjo natë ka shërbyer si hyrje për gjenocidin mbi hebrenjtë, që është realizuar më vonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Gjermani dhe në pjesë tjera të Evropës.
Në 75 vjetorin e kësaj nate, presidenti I Gjermanisë Joachim Gauck ka nderuar “heronjtë e heshtur” të rezistencës kundër diktaturës naziste.
Siç dihet nga historia, në trazirat e organizuara nga nazistët më 9 nëntor 1938 qenë rrënuar shumë sinagoga (faltore të hebrenjve), ndërsa janë shkatërruar po ashtu mijëra lokale dhe shtëpi të qytetarëve hebrenj nëpër Gjermani.
Përfaqësues të hebrenjve dhe të romëve, që po ashtu patën pësuar nga nazizmi, janë ende në kërkim të njohjes së plotë zyrtare të dëmshpërblimit, si viktima të nazizmit.
Me rastin e 9 nëntorit, Gauck ka qenë i pranishëm edhe në hapjen e ekspozitës “Besa, një kodeks I nderit”, që është bërë në Frankfurt am Oder, raportojnë mediet gjermane.
Kjo ekspozitë shëtitëse është hapur deri më tash në shumë qytete të Gjermanisë, Austrisë, Lihtenshtajnit etj. Seria e ekspozitave është kontribut i organizatës izraelite për kujtimin e holokaustit “Yad Vashem”.
“Besa, një kodeks I nderit” synon të vejë në pah solidarizimin e pashembullt të shqiptarëve me hebrenjtë e përndjekur gjatë LDB-së. Shqipëria është vendi i vetëm në botë në të cilin pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur më shumë hebrenj se sa para luftës. Rezultat ky i guximit qytetar të shqiptarëve të cilët kanë rrezikuar jetët e tyre për të shpëtuar hebrenjtë që “u kishin ardhur në besë”, në shtëpitë e tyre.
Në hapjen e ekspozitës në praninë e presidentit Gauck, kryetari i landit të Magdeburgut., Dietmar Woidke ka thënë: “Kjo ekspozitë tregon se si janë shpëtuar hebrenjtë nga shqiptarët myslimanë. “Këta njerëz kanë vepruar njerëzisht dhe nuk kanë pranuar të verbohen nga një ideologji”.
Presidenti gjerman nderon "Besën shqiptare" që shpëtoi hebrenjtë | albinfo.ch