[h=1]Modalitetet për ndeshjet miqësore ndërkombëtare të Kosovës – në shtator[/h]
Publikuar: 17.07.2012 - 15:04Zurich, 17 korrik - Përfundoi mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit Ekzekutiv i FIFA-së, në të cilën njëra ndër temat kryesore ishte edhe shqyrtimi i modaliteteve për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare të përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Kryetari i FIFA-së, Sepp Blatter, në konferencë për media deklaroi se definimi i modaliteteve që Kosovës ti mundësohet përfundimisht zhvillimi i ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, është shtyrë për në muajin Shtator, kur është paraparë të mbahet mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-së.
Blatter siç raporton portali korneri duke mos dashur të japë asnjë arsye pse është shtyrë çështja e Kosovës për në shtator, përmendi vetëm takimet e ndara me përfaqësuesit e lartë të Federatës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Nga ana tjetër kryetari i FFK-së Fadil Vokrri, ishte i befasuar për të mirë kur kuptoi se shqyrtimi i modaliteteve është futur në rend dite në mbledhjen e mbajtur (sot) 17 Korrik. Por, Vokrri e ka ditur dhe ka pritur që Sepp Blatter do ta shtyjë vendimin për më vonë sepse këtë e kishte marr vesh në takimin e tij të fundit me njeriun e parë të FIFA-së, muaj më parë.
Mirëpo, sipas Vokrrit futja e temës së Kosovës në rend dite në Komitetin Ekzekutiv të FIFA-së, tregon shumëçka në të mirë të Kosovës dhe futbollit në vendin tonë.
Mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-së është e caktuar më 27 dhe 28 shtator.
Modalitetet për ndeshjet miqësore ndërkombëtare të Kosovës – në shtator - Sport - Koha Net