Përderisa Republika e Serbisë e ka njoftuar zyrtarisht Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë se të gjitha pasaportat serbe, kushdo që i posedon ato, bëhen të pavlefshme nga 31 dhjetori i këtij viti, pavarësisht nëse kanë afat më të gjatë vlefshmërie, Ministria e Jashtme gjermane njoftoi se këto pasaporta nuk vlejnë më për hyrje në Gjermani. Ndërkohë, ministri Jeremiq thotë se pasaporta biometrike do t'u jepen edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Pavarësisht njoftimit nga Republika e Serbisë se pasaportat e tashme të këtij vendi do të jenë të pavlefshme pas datës 31 dhjetor 2009, Ministria e Jashtme e Gjermanisë tashmë iu ka rekomanduar qytetarëve të Kosovës që t’i drejtohen Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin për të marrë pasaportat e Republikës së Kosovës, e cila është njohur nga Gjermania.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiq ka deklaruar se pasaportat biometrike do t'u jepen edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe se kjo sipas tij nuk është çështje politike, por teknike. Sipas Jeremiqit, do të "zbatohen kontrolle të veçanta sigurie për qytetarët e Kosovës të cilët do të kërkojnë pasaporta, për shkak të "rrethanave të veçanta të sigurisë". Zyrtarë të BE më herët kishin paralajmëruar Beogradin rreth dhënies së pasaportave qytetarëve të Kosovës.
Information von RTK