KEK u fal borxhet e prapambetura serbëve
Prishtinë – Korporata Elektro-energjetike e Kosovës iu ofron konsumatorëve serbë të enklavave marrëveshje për fillimin e pagesës së energjisë elektrike, duke ua ngrirë borxhet e mëhershme.
Këtë hap, ministrja e Energjisë, Justina Shiroka-Pula dhe udhëheqësi i KEK-ut, Arben Gjukaj, e vlerësojnë shumë të rëndësishëm për KEK-un, i cili deri tani nuk ka pasur fare qasje në këto zona. Por, ata nuk pranojnë se përmes këtij veprimi diskriminojnë konsumatorët shqiptarë. Vetëm 26 euro mund të paguajnë konsumatorët serbë, për të arritur kontratë më KEK-un, për pagesën e energjisë elektrike. Ndërkaq, çështja e borxheve të tyre, mbi 130 milionë euro, mbetet për t’u zgjidhur në të ardhmen. Kështu thanë përfaqësues të qeverisë dhe të KEK-ut në një konferencë për media në Qendrën Mediale në Çagllavicë. Zyrtarët e qeverisë dhe të KEK-ut thanë se plani për futjen e serbëve të enklavave, në sistemin e pagesës së energjisë elektrike, është shumë i mirë dhe jo-diskriminues. Ministrja e energjisë dhe minierave, Justina Shiroka-Pula, thotë se qeveria dhe KEK-u synojnë që përmes politikës ta zgjidhin problemin e pagesës së energjisë elektrike nga konsumatorët serbë, prandaj iu kanë ofruar kontrata përmes të cilave, punëtorëve të KEK-ut iu mundësohet të lexojnë njehsorët elektrikë nëpër enklava dhe konsumatorët të fillojnë të paguajnë energjinë e shpenzuar.
Korporata Elektro-energjetike për rreth një dekadë nuk ka pasur fare qasje në zonat e banuara me shumicë serbe. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të KEK-ut, Arben Gjukaj, tha se marrëveshja përfshin furnizimin e rregullt të konsumatorëve me energji, pajisjen me njehsorë elektrikë, aty ku nuk ka dhe nuk janë të mirë teknikisht, të lexohen çdo muaj, të bëhet faturimi dhe pagesa çdo muaj. Në rast se konsumatorët nuk paguajnë dy muaj me radhë, atëherë do të bëhet shkyçja e tyre, tha Gjukaj.
Nga ana tjetër, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiç, u shpreh se kjo është një çështje specifike, por për të pasur energji, duhet paguar atë. “Natyrisht mendoj se kjo është e drejtë themelore e të gjithë neve dhe është pikënisje për stabilitet të një shoqërie sepse nuk mund të presim që të kemi energji nëse nuk paguajmë, dhe, lidhur me këtë mund të pajtohemi të gjithë që do të na jap një shpresë për hapa të mëtejmë që të jemi të sigurt”, tha Rashiç. Megjithëse kontratat janë vetëm për konsumatorët serbë, ministrja Pula thotë se kjo nuk është diskriminuese për konsumatorët shqiptarë.
Konsumatorët serbë ia kanë borxh KEK-u rreth 132 milionë euro, të papaguara, që nga periudha e pasluftës. Ministrat mohuan çdo kontakt me Qeverinë e Serbisë për pagesën e këtyre borxheve. Ndërkohë, njoftuan se rastet sociale do të trajtohen në mënyrë të barabartë, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike. (start/rtk)
2009-07-01 08:20