Pacolli në Tiranë, "harron" t'i marrë Vetëvendosjen dhe AAK'në
Prishtinë, 21 mars – Nuk na ka ftuar që të takohemi me të pasi është zgjedhur president, kanë thënë për Behgjet Pacollin lëvizja “Vetëvendosje” dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Njëkohësisht këto të dy subjekte opozitare kanë thënë që anëtarët të tyre të mos jenë pjesë e delegacionit të Pacollit për vizitë në Shqipëri dhe Maqedoni, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ky reagim i Vetëvendosjes” dhe i AAK-së ka ardhur pasi presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, përballë medieve dhe shoqërisë civile në emisionin “Jeta në Kosovë”, këtë javë, ka thënë që ka ftuar partitë që e përbëjnë opozitën për t’u takuar me të pasi që është zgjedhur president e bile ka ftuar ato për të qenë edhe pjesë e delegacionit të tij për të qëndruar në Shqipëri dhe në Maqedoni.
“Unë i kam ftuar partitë opozitare me shkrim, i kam ftuar edhe me telefonata, dhe jam në kontakt me partitë opozitare. Nuk e kam injoruar askënd, nuk jam njeri refuzues, por duart e mia janë të hapura, shpirti im është i hapur”, ka thënë ai. “Unë do të kem tash një vizitë shtetërore në Shqipëri dhe Maqedoni, janë të parat partitë opozitare që i kam ftuar për të qenë pjesë e këtij delegacioni”.
Por udhëheqësi i Sekretariatit për Komunikim te “Vetëvendosja”, Erzen Vraniqi, ka thënë se Pacolli nuk është person i përshtatshëm për ta takuar dikë që e përfaqëson “Vetëvendosjen”.
“Jo. Që të takohemi nuk na ka ftuar, por ne e kemi thënë edhe me parë se konsiderojmë që Behgjet Pacolli është i papërshtatshëm, edhe politikisht, edhe personalisht për të shërbyer si president i vendit, andaj nuk e shohim të arsyeshme ta takojmë as tash e as në të ardhmen”, ka thënë Vraniqi.
Udhëheqësi i Sekretariatit për Komunikim te “Vetëvendosja” ka treguar që Pacolli ka ftuar lëvizjen e tij për të qenë pjesë e vizitave në Shqipëri dhe Maqedoni, porse një ftesë e tillë është refuzuar.
Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, është shprehur se partia e tij nuk ka pranuar kurrfarë ftesash nga Pacolli, qoftë për takim me të e edhe për të qenë pjesë e delegacionit për vizita në Shqipëri dhe në Maqedoni.
“Nuk kemi pasur ftesë dhe çfarëdo deklarimi tjetër është një spekulim i pamoralshëm. Ne do të vazhdojmë edhe me lëndën e dytë dhe mendojmë që s’kemi pse të takohemi me të, sepse duhet të qartësohet lënda në Gjykatën Kushtetuese për të rishqyrtuar qëndrimet tona. Ne nuk jemi pjesë e zgjedhjes së tij e as e atyre dallavereve për zgjedhjen e tij në atë detyrë”, ka thënë ai.
Ramadani ka thënë se s’ka se si të jetë dikush nga partia e tij pjesë e delegacionit të Pacollit për vizitë në Shqipëri dhe në Maqedoni, ngase në AAK as që është diskutuar për këtë gjë.
“S’ka për të shkuar askush në Shqipëri dhe në Maqedoni, ngase ne as që jemi ftuar dhe askush nuk e ka diskutuar këtë gjë në AAK”, ka thënë ai.
Ndërkohë, me gjithë insistimin, gazeta nuk ka mundur të merrte një qëndrim të partisë më të madhe opozitare, LDK. Kryetari i saj, Isa Mustafa, nënkryetarja Teuta Sahatqija, anëtarët: Ismet Beqiri, Arben Gashi, Eqrem Kryeziu dhe zëdhënësi Kujtim Shala, nuk janë përgjigjur në telefon.
Behgjet Pacolli qe zgjedhur president i Kosovës më 22 shkurt të këtij viti në një seancë problematike të Kuvendit të Kosovës. Jo shumë kohë pastaj Gjykata Kushtetuese pranoi një kërkesë të një pjese të opozitës, me të cilën kontestohet procedura e zgjedhjes së Behgjet Pacollit president. Por në të 34 deputetët e LDK-së dhe AAK-së nuk kanë përfshirë argumentin kryesor që pretendohet se do ta çonte në shkarkim Pacollin – votimin e tij për Qeverinë në cilësinë e deputetit, pasi kishte dhënë betimin si president – por vetëm është kontestuar kushtetutshmëria e vendimit të Kuvendit për vënien e biznesmenit kontrovers në majë të pushtetit.
“Rasti Pacolli” parashihet të përfundojë brenda 60 ditësh, nga dita kur lënda është proceduar në Kushtetuese. Gjyqtare raportuese në këtë rast është Iliriana Islami, kurse në kolegjin shqyrtues janë: Enver Hasani, Snezhana Botusharova-Doicheva dhe Ivan Çukaloviq.
Veç kontestimit procedural, Pacolli ballafaqohet edhe me kontestim të personalitetit të tij.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, do të qëndrojë më 21 e 22 mars në vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, me ftesë të presidentit Bamir Topi.
Në Shqipëri presidenti Pacolli do të shoqërohet nga disa ministra në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe nga përfaqësues të biznesit.
Ai do të pritet atje në takime zyrtare nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit shqiptar e përfaqësues të spektrit politik. Gjithashtu, Pacolli do t’u drejtohet me një fjalë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, do të vizitojë Universitetin Evropian të Tiranës, ku atij do t’i ndahet titulli i nderit “Doctor Honoris Causa”, do të marrë pjesë në Forumin e Biznesit Kosovë-Shqipëri dhe një varg aktivitetesh të tjera. Në përmbyllje të vizitës, presidenti Pacolli do të vizitojë edhe qytetet e Krujës e të Lezhës. Pas vizitës në Shqipëri, Pacolli shumë shpejt do ta vizitojë edhe Maqedoninë.
http://www.zhurnal.mk/MKD/content/?id=201132113436