Varroset me nderime Leka Zogu I
U varros pretendenti për Fronin Mbretnor të Shqipërisë Leka Zogu I. Ai u varros në varrezat e Sharrës, pranë eshtrave të së ëmës, mbretëreshës Geraldinë dhe bashkëshortes së tij, Suzanë, e cila ndërroi jetë në vitin 2006.... Postuar: 06:57:59 / 03.12.2011
Gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e varrimit, i biri i pretendentit të fronit mbretëror, Leka Zogu i Dytë u betua se do të ndjekë rrugën e të atit.
“Betohem se do të ndjek rrugën e mbretit Leka dhe do jem në shërbim të kombit dhe atdheut”, u shpreh Leka Zogu II.
Në Kuvendin e Shqipërisë u zhvilluan homazhe në nder të pretendentit të fronit mbretëror Leka Zogu i Parë.
Pranë arkivolit me trupin e pajetë bënë homazhe personalitetet më të larta të shtetit shqiptar, presidentja e Kosovës Jahjaga, ambasadorët e akredituar në Tiranë, politikanë, intelektualë dhe qytetarë. Basha: Leka Zogu figurë themelore për aktet shtetformuese të Shqipërisë. Prej orës 10:00 në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë kanë filluar jnë homazhet në nderimet të Zogut të Parë
Përveç qytetarëve të shumtë që kanë mbërritur nga Kosova për të nderuar Leka Zogun e Parë, rreth orës 11:50 vetë Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka mbërritur në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë ku ka bërë homazhe në nder të Leka Zogu i Parë.
Njëri pas tjetrit, kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi kanë bërë homazhe në nderim të , Leka Zogu te Parë. Kryeministri dhe Presidenti ishin të shoqëruar nga bashkëshortet e tyre.
Homazhe ka bërë edhe kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Jozefina Topalli, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe zëvendësministri, njëherësh ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto. LSI-ja e kishe cilësuar si një humbje të madhe për kombin shqiptar, ndarjen nga jeta të Leka Zogut I.
Pas homazhe nga personalitetet më të larta shtetërore, komuniteteve fetare, shoqërisë civile, përfaqësuesve të medias, artit dhe kulturës, arkivoli i mbështjellë me flamurin kombëtar, ku prehet Leka Zogu i Parë është vendosur para godinës së Kuvendit të Shqipërisë. Përfaqësuesit e komuniteteve fetare kanë mbajtur një lutje secili në mënyrën e vet në nderim të shpirtit të Leka Zogut të Parë.
Përveç anëtarëve te kabinetit qeveritar dhe deputeteve te mazhorances dhe opozites, homazhe deri në këto momente kanë bërë edhe ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth dhe ambasadori i Shteteve te Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu.
Homazhe ka bërë edhe përfaqesuesit e komuniteteve fetare ne vend. Pamjet televizive tregojnë rradhë të njerëzve që presin për të nderuar Leka Zogun e Parë. Për t’i bërë nderimit e fundit Zogut të Parë kanë ardhur edhe shumë mbështetës të tij nga trojet e tjera shqiptare.
Leka Zogu i Parë përcillet për në banesën e fundit me një protokoll të posaçëm shtetëtor, ndërsa dita e sotme do të jetë ditë zie kombëtare. Flamujt e të gjitha institucioneve jane ulur ne gjysëmshtizë, ndersa rruget nga ku do te kaloje kortezhi mortor jane dekoruar per rastin.
Policia e Tiranës njoftoi sot marrjen e masave të sigurisë gjatë zhvillimit të ceremonisë mortore për pretendentin për Fronin Mbretëror, Leka Zogu i Pare.