[TABLE="class: blog"]
[TR]
[TD][h=1]SHQIPTARËT NË RRJEDHAT KULTURORE TË SIRISË[/h][TABLE="class: blog"]
[TR]
[TD][TABLE="width: 100%"]
[TR]
[TD]Roli i shqiptarëve në Siri, edhe pse në krahasim me kombet e tjera ishin pakicë kombëtare, në jetën kulturore ishte tejet i dukshëm. Këtë e dëshmon qartë pjesëmarrja e tyre në krijimtarinë shoqërore dhe kulturore, në letërsi e publicistikë, mandej në roman, dramë, poezi, tregim, gazetari, përkthim e fusha të tjera.
[TABLE="class: blog"]
[TR]
[TD="align: justify"]Roli i shqiptarëve në Siri, edhe pse në krahasim me kombet e tjera ishin pakicë kombëtare, në jetën kulturore ishte tejet i dukshëm. Këtë e dëshmon qartë pjesëmarrja e tyre në krijimtarinë shoqërore dhe kulturore, në letërsi e publicistikë, mandej në roman, dramë, poezi, tregim, gazetari, përkthim e fusha të tjera.
Edhe pse shumica e shqiptarëve erdhi në Siri nga fshatrat, do të thotë pa gjuhë dhe kulturë, ata prapëseprapë u ngritën në atë masë sa për t’i kontribuar kulturës dhe vendit.
Kontributi i bashkëkombësve tanë në letërsinë siriane është aq i madh sa që ata patën rol vendimtar në krijimin e tri gjinive të reja letrare në atë letërsi, e sidomos në dramë, roman dhe në tregim. Përveç kësaj, shqiptarët u dalluan edhe në poezi, gjini kjo që është me një traditë të lashtë shekullore në Siri.
Në romanin sirian Maruf Arnauti (1852) kishte një rol thelbësor në zhvillimin e kësaj gjinie letrare në letërsinë siriane. Më nuk vehet në dyshim se romani i parë në Siri u shkrua nga shqiptari M. Arnauti, i cili u paraqit në vitin 1929 në tri vëllime me titull “ “Sejid Kurejsh” (Zotriu i Kurejshit). Në këtë vepër bëhet fjalë për gjendjen shoqërore-politike të arabëve para islamizmit, për ç’gjë në atë kohë kishte qëndrim kundër mendimeve të prapambetura mbi lidhjen e nacionalitetit me fenë. Romani ka tri vëllime me gjithësej 918 faqe. Ky roman i vetëm deri më tani në letërsinë siriane është botuar katër herë.
Iniciativa e M. Arnautit që kjo vepër të mbështetet në histori, tek lexuesit u prit shumë mirë dhe zgjoi kërshërinë tek të gjithë dashamirët e letërsisë dhe pikërisht për këtë arsye romani Zotriu i Kurejshit autorin e shtyri që të shkruajë edhe më shumë në këtë drejtim. Kështu, më 1936 në Damask u botua romani i tij i dytë në dy vëllime “Omer ibn el-Hatab”, roman ky që ka përmbajtje historike-shoqërore, e në të cilin autori, midis tjerash, përshkruan jetën shoqërore dhe politike të arabëve, si dhe luftën e tyre për çlirimin e Sirisë dhe të Irakut.
Pesë vjet më vonë, po në Damask i botohet romani i tretë me titull “Tarek ibn Zijad”. Aty autori trajton ngjarjet që kanë të bëjnë me pushtimin e Spanjës.
Në vitin 1942 në Damask u botua edhe romani i tij i katërt me radhë “Fatima elbetul”, kurse një vit më vonë M. Arnauti filloi të shkruajë romanin e pestë të titulluar “Al-Kahira”. Kjo vepër për fat të keq mbeti e papërfunduar për shkak të vdekjes së autorit.6 Maruf Arnauti është autor i romanit të parë, të dytë dhe të pestë në letërsinë siriane, gjë që është kontribut i rrallë i ndonjë shqiptari në një letërsi të huaj. Edhe pse me karakter historik, romani i M. Arnautit mbetet vepër që ka dominuar për një kohë të gjatë në Siri.
Përveç M. Arnautit, në lëmin e romanit përmendet edhe Abdylatif Arnauti (1931). Romani më i njohur i A. Arnautit është “Al-Hatabun” (Druvarët), i cili bën fjalë për shpërnguljen dhe jetën e shqiptarëve në mërgim.
Kontributi i tij është më i dukshëm në përkthimin e romaneve shqiptare në gjuhën arabe. Deri më tashti A. Arnauti ka përkthyer dy romane ( “ Gjenerali i ushtrisë së vdekur“ dhe “Dasma“) të shkrimtarit tone të mirënjohur Ismail Kadare. Këto përkthime gjenden në bibliotekën e Degës së orientalistikës në Prishtinë.
Sa i përket gjinisë së dramës, shkrimet që flasin për kontributin e shqiptarëve në këtë drejtim nuk mungojnë. Në këtë lëmë vend të merituar zë Maruf Arnauti (?)… 1851-1948, i cili është ndër të parët që shkroi drama me plot kuptimin e fjalës. Arnauti shumë herët filloi të interesohet për teatër, kështu që në rini punoi një kohë në teatër e më pastaj studioi artin teatral. Mirëpo, aktiviteti i tij krijues ka filluar në dekadën e dytë të këtij shekulli kur ka përkthyer shumë drama nga gjuha frënge, të cilat i janë botuar në revista të ndryshme në Liban (Al-Ikbal, Al-Balag, Al-rai al-Am etj.). Më vonë M. Arnauti filloi të shkruajë edhe drama origjinale nga të cilat dallohen ” Xhemal Pasha Assafah “, (Xhemal Pasha gjakatari) dhe “Ebu Abdullah Essagir”, më 1929
Drama e parë origjinale e Maruf Arnautit (“Xhemal Pasha gjakatarii“ ) është shfaqur që në kohën e pavarësisë së parë të Sirisë, më 1919, dhe është pritur me entuziazëm të madh nga publiku i Damaskut.
M. Arnauti realizoi një kontribut të shumëfishtë në historinë e dramës siriane. Nga një anë, ai ishte i pari që në dramën siriane futi një temë aktuale, që rrjedh drejtpërdrejt nga realiteti. Drama bën fjalë për komandantin e ushtrisë osmane në Siri, Xhemal Pashën, i cili shprehu një armiqësi të madhe ndaj Lëvizjes kombëtare në Siri. Vërtet është për t’u habitur se si një shqiptar kaq herët ka mundur të shkruajë me një entuziazëm të tillë për kombëtarizimin arab, i cili në atë kohë sapo kishte filluar të paraqitej.
Si në këtë ashtu edhe në dramën tjetër që mban titullin “Abu Abdullah Essagir”, M. Arnauti realizoi edhe një kontribut të veçantë në pikëpamje artistike. Ai me këtë e bindi opinionin e gjerë se teatri mund të shfrytëzojë të gjitha temat letrare, artistike, historike, lirike, shoqërore dhe patriotike.
Shqiptarët u dalluan edhe si aktorë të teatrit të Sirisë. Në këtë drejtim u dallua Ekrem Huluki ( 1903-1968 ), i biri i letrarit Mustafa Huluki. Ekrem Huluki u dallua së pari me pjesëmarrjen e tij në revolucionin e viteve 1925-1927, për ç’shkak edhe u dënua me vdekje. Për shkak të dënimit ai iku në Kajro, ku qëndroi disa vite para se të kthehet në Damask. Në fillim u mor me pikturë, kurse më vonë u orientua kryesisht në teatër. Që nga viti 1940 ai ka bashkëpunuar me aktorin Abdyl Vehab në disa drama me tema patriotike e shoqërore, të cilat u shfaqën në Damask dhe në Bejrut.14 Më vonë, në bashkëpunim me të vëllain, përgatiti disa drama në radio me tematikë nga historia arabe e nga legjendat greke, si dhe nga veprat e shquara teatrale. Për aktivitetin dhe kontributin e tij në teatër kryetari i Republikës e shpërbleu me Dekretin për Mirënjohjen Siriane, në vitin 1964.
Nga veprat e tij dallohen “Dumuë” (Lotët). ” El-Xhela” ( Tërheqja ), “Katiatu Abë” (Mëkati i një ati), “Xherimetul Umë” (Krimi i një nëne ) e vepra të tjera.
Rrugën e tij artistike e vazhdoi i biri Usama Huluki, i cili arriti të bëhet aktor i shquar në teatër, në televizion dhe në film.
Në teatër u dallua edhe Ajshe Arnauti (1948), e cila u angazhua që nga mosha e hershme 10-vjeçare. Ajo mori pjesë në Damask dhe në Bejrut me më se 18 vepra teatrale.
Ndërkaq, në lëmin e poezisë shqiptari Mustafa Huluki (1850-1915) zë një vend të merituar e të veçantë. Shkrimet e tij dëshmojnë se a i filloi studimet në shkollën ushtarake në Damask, por në ndërkohë kaloi në shkollën ushtarake në Stamboll dhe prapë u kthye në Damask me gradë oficeri.
Në Damask ai u mor me poezi e përkthime dhe flitet se mori pjesë në përkthimin e Enciklopedisë së Parë Arabe (Enciklopedia e el-Bustanit).18 Për një kohë M. Huluki ishte edhe drejtor i shkollës së njohur El-Sultanie në Bejrut. Ai zotëronte mirë edhe gjuhën turke, gjuhën persishte dhe gjuhën frënge.
Vjershat e tij janë botuar në shumë gazeta e revista siriane dhe në ato libaneze. Në poezinë e M. Hulukit ndihet së pari fryma e kohës, e kjo shihet më së miri në vjershat e tij me përmbajtje lirike. Mirëpo, veçori kryesore e këtij poeti është llojllojshmëria e poezisë së tij. Nga poezitë e M. Hulukit në dispozicion kemi edhe ato që i janë kushtuar më shumë largimit ndaj Atdheut, ku shpreh indinjatën e thellë të vetmisë dhe jetën e tij larg atdheut. Vjershat e tij më të njohira janë: “Qiriut”,” Vetmia”, etj.
Sipas Dr. Lukës, poezia e M. Hulukit ka rëndësi të madhe sepse ai frymëzoi këtë gjini letrare me çështje patriotike. Për këtë arsye poezia e tij përhapej fshehurazi, mirëpo më vonë edhe publikisht. Dhe, nga fundi i jetës ai u verbua, por edhe më tej vazhdoi të shkruajë letra me karakter politik dhe artikuj letrarë. Sipas burimeve, i ati i M. Hulikit ishte prej Kavallës.
Pothuaj përafërsisht në të njëjtën periudhë kemi edhe krijimtarinë e poetit Thabit Niman Ferizaj (1860-1950). Këta dy krijues shënuan fillimin e poezisë te shqiptarët e Sirisë dhe jetuan gati në të njëjtën periudhë. Poezitë e tyre dallohen njëra nga tjetra.
Mustafa Huluki poezitë e tij i shkroi në gjuhën arabe, kurse Thabit N. Ferizaj në gjuhën shqipe me alfabetin arab.
Poezia e tyre dallohet shumë edhe për nga motivet. Kështu, M. Huluki u dallua në poezinë siriane si pionier i poezisë kombëtare, ngase poezia e tij kishte përplot motive antiturke. Ndërkaq, Thabit N. Ferizaj kishte në poezinë e tij vetëm motive fetare-mistike, që për ne mund të kenë vetëm ndonjë vlerë gjuhësore.
Njëherësh poeti Thabit N. Ferizaj është dëshmi e një momenti në jetën e shqiptarëve të Sirisë në atë kohë, gjë që ka të bëjë me dominimin e frymës fetare mbi frymën kombëtare. Thabit N. Ferizaj është nga ato familjet e ardhura në Ferizaj, muhaxherëve, në prag të Kongresit të Berlinit. Në Ferizaj mësonte persisht dhe arabisht, e më vonë punoi si mësues. Që në rini ka filluar të shkruajë poezi në gjuhën shqipe dhe në atë persishte. Ndër të tjera, ka shkruar diçka edhe mbi ndikimin e kolinizimit osman në shtetet ballkanike.
Thabit Nimani është detyruar të largohet nga Ferizaj për shkak se ka thyer traditat me rastin e martesës së tij të papranueshme për këtë anë.
Në Damask talenti i Th. Nimanit u shpreh jo vetëm në letërsi, por edhe në shkencë. Shkruante libra nga lëmi i astranomisë dhe i shkencave natyrore. U mor edhe me poezi. Shkruante vjersha në gjuhën arabe dhe në atë shqipe. Të gjitha vjershat e tij janë me përmbajtje gati mistike dhe shpeshherë i janë lexuar me rastin e festave fetare.
Është me interes të përmendet se Th. Nimani u orvat të përkthejë në gjuhën shqipe “Shahnamenë e Firdevsit”. Është me interes po ashtu të përmendet se ai shkroi një libër të veçantë me titull ” Mendimet e mia në historinë dhe në letërsinë arabe persiane, turke dhe shqipe “.27 Nga kjo shoqëri u dalluan edhe dy krijues të tjerë: Shevket Gavoçi dhe Abdulatif Arnauti, nxënësi i tij më i interesuar. Nga këta dy krijues është krijuar një poezi shqiptare me plotkuptimin e fjalës, gjë që mund të jetë pjesë përbërëse e poezisë shqiptare në përgjithësi. Ndonëse këta dy jetonin së bashku, megjithatë krijimtaria e tyre poetike dallonte shumë.
Shevket Gavoçi u lind në Shkodër, ku kreu shkollën fillore. Më vonë, në vitin 1937, erdhi në Kajro ku kreu shkollën e mesme në gjuhën arabe. Në Egjipt qëndroi deri në vitin 1944, prej nga kaloi në Damask. Në Siri përkrahu formimin e shoqërisë së parë shqiptare në Damask, si dhe mbrojtjen e frymës patriotike brenda kësaj shoqërie.
Edhe pse jetoi dhe jeton në rrethin arab, ky është shumë larg ndikimit të kulturës arabe dhe mbeti në botën e kulturës shqiptare, përkatësisht në poezinë shqiptare. Shevket Gavoçi në një mënyrë praraqet vazhdimin e traditave të poezisë shqiptare. Vjershat më të njohura të tij janë: ” Në dhe të huaj, ç’ka dielli që s’bën dritë”, “Malli për Atdhe”, etj.
Fitohet përshtypja për praninë e Shirokës në botën e tij poetike. Ndoshta kjo nuk është gjë e rastit, pasi që poeti në vitet e dyzeta jetoi një kohë të gjatë në Egjipt, pra atëherë kur vjershat e Shirokës ishin ende të freskëta në atë vend. Në vjershat e tij vërehet ndikimi i klasikëve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, sidomos i Shirokës. Edhe pse shkroi qysh herët veprat filloi t’i botojë vonë. Deri më tani disa poezi të tij i janë botuar në periodikun tonë kosovar.
Në lëmin e poezisë mund të veçojmë edhe Abdulatif Arnautin i lindur në Damask, më 1931, me origjinë nga Dobërlluka. Pasi i mbaroi studimet një kohë të gjatë filloi të punojë në arsim në cilësinë e drejtorit. Në ndërkohë e mbaroi edhe Fakultetin Juridik në Universitetin e Damaskut.
Abdulatif Arnauti përfaqëson një botë të përzier, meqë ishte i frymëzuar me motive kombëtare, në njërën anë, dhe ndër të parët që ranë në kontakt me poezinë shqiptare të shekullit XIX, në anën tjetër. Ai është i pajisur edhe me kulturë arabe, qoftë me atë klasike, qoftë me atë të kohës së tij. Në fillim të të pesëdhjetave-gjashtëdhjetave ai shkruante vjersha në gjuhën arabe, vjersha këto me motive shqiptare, në të cilat shprehte mallin dhe dashurinë e tij për vendlindje.Këto vjersha i botoi atëherë me një pseudonim mjaft karakteristik- “Ibn Kosova”, që në gjuhën shqipe do të thotë “I biri i Kosovës”. Më vonë, pas vendosjes së kontakteve me vendlindjen, në vitet e gjashtëdhjeta-shtatëdhjeta, Abdyli do të hyjë në një fazë krejtësisht të re, në të cilën do ta braktisë shkrimin e vjershave në gjuhën arabe dhe do të orientohet ekskluzivisht në shkrime në gjuhën shqipe.
S’do mend se komunikimi me vendlindjen bëri që ai të vërshojë opinionin me një sërë vjershash në gjuhën shqipe. Në saje të përkthimeve të shumta të tij, publikut arab iu mundësua të lexojë vjershat e Nolit, Naimit, Migjenit, Asdrenit, etj.
Vjershat e Abdylit janë botuar në disa gazeta e revista, si në “Drita”, “Nëntori”, “Fjala”, etj. Poezitë më të njohura të tij që i kemi janë: “Botë e huaj”, “Psherëtimë”, “Psalmë”, “Dëshiroj”, “Në kujtim të nënave”, “Zjarri i mallit”, “Lulet e Kosovës”, “Krua i fshatit tim”, “Mirupafshim”, “Ofshamë”, etj. Ai njëherësh është edhe anëtar i Unionit të Shkrimtarëve Arabë në Damask.
Së bashku me A. Arnautin përmendet edhe i vëllai Abdylkadër Arnauti, i lindur më 1936 në Damask, kurse me origjinë është nga Dobërlluka. Studimet e arteve figurative i mbaroi në Romë dhe në Paris ku edhe u diplomua. Pas mbarimit të studimeve u kthye në Damask, ku edhe sot punon si profesor në Fakultetin e Arteve Figurative. Ndonëse në Siri njihet më shumë si piktor, ai është njëherësh është edhe poet i mirë, meqë merret edhe me poezi. Vjershat e tij janë me përmbajtje lirike, e kjo shihet qartë në përmbledhjen e fundit “Remadun ala Arden baride” (Hiri mbi tokën e ftohtë).
Vjershat më të njohura të Abdukadër Arnautit që i kemi janë: “Zoti dhe Ademi”, “Gozhdë e
ndryshkët”, “Arkivoli”, “Varri”, “Dashuria sot”, “Vinjetë”, etj.
Është me rëndësi të përmendet fakti se edhe femrat shqiptare nuk mbetën prapa, ndonëse ato u çliruan vonë nga dogmat dhe traditat fetare. Në mesin e tyre dallohet Hatixhe Arnauti, e lindur më 1933 në Damask36, kurse me shkrime filloi të merret qëkur ishte nxënëse e shkollës së mesme.
Hatixhja ka botuar poezi në disa gazeta dhe revista para se të paraqitej përmbledhja e saj e parë e titulluar “Rebiu Kalben” (Pranvera e një zemre) në vitin 1954. Përveç kësaj, ajo ka edhe një përmbledhje tjetër të titulluar “El-harifu hazijnu fi bejti” (Vjeshta e hidhëruar në shtëpinë time).38 Në poezinë e Hatixhes ndihet një frymë lirike, por më tepër dominon hidhërimi i përzier me ndonjë shpresë që e mban. Vjershat më të njohura të saj janë: “Jam vajzë pa Atdhe”, “Flamuri”, etj.
Mirëpo, si poete më e njohur në mesin e shqiptarëve të Sirisë është Aisha Arnauti, e lindur më 1948 në Damask, me origjinë nga Dobërlluka. Në Damask kreu studimet e mesme dhe ato universitare – Gjuhën dhe Letërsinë Frënge. Para një kohe kaloi në Paris, ku edhe sot jeton dhe punon. Aisha filloi të shkruajë poezi në moshën shtatëvjeçare. Në moshën 11-vjeçare botoi vjershën e parë në gazetën e Damaskut “Al-Ahbar”. Në moshën 14-vjeçare ajo ishte në qendër të vëmendjes së shtypit arab-në Lindjen e Mesme, ngase u konsiderua që atëherë si një Sagan ere në Siri ).
Poezinë e Aishes e karakterizon një frymë patriotike e shumanshme. Kështu, ajo u prezentua me shumë vjersha në Antoligjinë e poeteshave arabe që doli në Nju-Jork në vitin 1979. Vjershat më të njohura të saj që i kemi janë: “Dyndja”, “Agimi i fëmijërisë”, “Pa titull”, “Çdo gjë është e rreme”, “I ndëshkuar e i dhunuar”, “Nga herë kur”… etj. Nuk është e tepërt të thuhet se një gazetë e Damaskut shkruante se Aisha Arnauti u bë objekt i gazetave dhe i revistave angleze, të cilat botuan fragmente nga poezia dhe biografia e saj, duke komentuar se ajo është mrekulli letrare e këtij viti.
Në radhën e poeteshave shqiptare me nam bën pjesë edhe Raxha Arnauti, e lindur më 1946 në Damask ku edhe e kreu shkollën e mesme. Më vonë ajo kaloi me punë në Algjeri dhe studimet universitare i vazhdoi në Degën e Letërsisë Frënge. Raxha dallohet me një gjuhë më të thjeshtë poetike, por me ndikime më të dukshme të rrethit të ri arab, përkatësisht atij algjerian. Në vjershat e saja vërehet dominimi i dy elementeve të jetës algjeriane-Saharaja dhe deti.42 Poezitë më të njohura të saj janë: “Shpresë”, “Prekje”, “Deti”, “Valët”, “Një shenjë”, “Lindje”, “Stuhi”, “Lumi”, etj. Poezitë e saja u botuan në gazeta e revista të ndryshme dhe përshkohen kryesisht nga fryma e ndjenjës emocionale.
Në lëmin e poezisë kemi edhe Barakat Latif Arnautin, i lindur më 1935 në Damask, me origjinë nga Kosova. Në Damask kreu vetëm shkollën e mesme, kurse më vonë u inkuadrua në punë në hekurudha. Një kohë ai kaloi në Gjermaninë Demokratike për ushtrime profesionale, ku e tërhoqi kultura letrare. Prej atëherë filloi të interesohet për kulturë e për letërsi, sidomos për poezi.43 Në vitet e shtatëdhjeta Barakati është paraqitur si poet dhe është bërë fenomen në letërsinë siriane. Deri në moshën dyzetvjeçare ishte punëtor i thjeshtë si shumë të tjerë. Mirëpo, në vitin 1976 është paraqitur përnjëherë si poet i mirë me një gjuhë të pasur. Së pari u prit me interesim të madh dhe menjëherë pas kësaj Nga Ministria e Kulturës iu botua një përmbledhje vjershash me titull “Këngët e lokomotivistit” në Damask në vitin 1973.44 Pa dyshim, Barakati është, tash për tash, një fenomen i rrallë në letërsinë siriane. Vjershat më të njohura të tij janë: “S’ka frikë”, “Gjethet e limonit”, “Tymi dëshmon Njeriun”, “Makinat”, “Një parajsë prapa natës”, “Shpresë”, “Gjykim,” “Shokut udhëtar”, “Ah, tash e pranoj varfërinë tënde”, etj. Ndonëse punonte fizikisht, ai arriti të krijonte një gjuhë e një botë poetike që pasqyrojnë vdekjen e punëtorit e jo lumturinë e tij.
Edhe në lëmin e tregimit sirian shqiptarët e Sirisë patën një rol të posaçëm. Në Siri tregimi është paraqitur shumë vonë. Shkak i kësaj vonese merret qëndrimi i pushtetit osman ndaj kulturës së re.
Në këtë lëmë shqiptari Mustafa Huluki (1850-1915) në Siri përkthente dhe botonte për herë të parë tregimet e para në librin e tij ” Vezaif el-Inath” (Detyrat e fëmijëve), i cili u botua që në vitin 1880 në Damask. Ky libër është përkthyer nga gjuha turke dhe sot gjendet në bibliotekën “Al-Dhahirije” në Damask. Vlera e librit në fjalë qëndron në faktin se është botim i parë i këtij lloji pas sjelljes së shtypshkronjës në Siri në vitin 1855.
Në fillim të këtij shekulli, kur tregimi sirian filloi të zhvillohet, u paraqit shqiptari Maruf Arnauti (1892-1948) me tregimin e tij “Firdevs al-Mearri” (Parajsa e Mearrit), i cili u botua në vitin 1915. Vlera e tregimit të M. Arnautit nuk qëndron vetëm në pikëpamjen artistike-historike, por edhe në qëndrimin e autorit, të cilin e formulonte me anë të tregimit.
Kur flitet për ndonjë kontribut të shqiptarëve në lëmin e tregimit padyshim meriton të përmendet Ali Huluki (1910), i biri i letrarit Mustafa Huluki me origjinë nga Kavalla. Ali Huluki hyri në historinë e tregimit sirian si pionier i këtij tregimi. Kohëve të fundit kritika moderne rolin e tij e ka ngritur shumë. Ai nuk është më vetëm pionier i tregimit, por edhe i realizimit dhe i angazhimit në Siri. Ali Huluki u dallua së pari në jetën patriotike, me pjesëmarrjen e tij në demonstrata kundër francezëve. Nga ana tjetër, ai u angazhua me grupin përparimtar të posaformuar, i cili hapi një front kundër vijës reaksionare, duke hapur në këtë mënyrë një faqe të re të historiesë së shoqërisë siriane.
Ali Huluki ka filluar të shkruajë tregime me tematikë nga rrethi i tij plot kontradikta shoqërore, gjë që ishte krejtësisht e re në tregimin sirian. Përmbledhja e tij e parë “Rebie vel Harif” (Pranverë e vjeshtë), e cila u botua në Damask më 1931, u prit me simpati nga ana e kritikëve, ngase ajo shënonte një lindje të re të tregimit sirian.50 Në këtë drejtim, Ali Huluki vazhdoi të shkruajë tregime të tjera, të cilat iu botuan në revista të ndryshme të Sirisë e të Libanit (Ed-duhur, Al-Ehad, Al- Bajrak, Al-Ahrar) e revista të tjera.
Kritiku sirian Abdel abu Shaneb në librin e tij “Faqet e panjohura në historinë e tregimit sirian” për kontributin e Ali Hulukit thekson: “Ai ishte i pari që në tregimet e veta ka trajtuar problemet e njerëzve në mënyrë imanente”. Ali Huluki është një pionier në shkrimin artistik të tregimit që si i tillë dallohet nga përralla. Në të shkruarit e tregimeve ai mbështetet në parime mendore të qarta. Huluki ishte angazhuar rreth problemeve të masave të varfëra; ishte kundër shtypjes shoqërore dhe kundër kontradiktave shoqërore. Me fjalë të tjera, angazhimi i tij në tregime ishte mbështetur në një qëndrim politik. Ishte i kujdesshëm në personifikimin e njerëzve të përditshëm dhe mu këtu qëndron krijimtaria e tij letrare.
Më vonë në tregimin sirian u dalluan edhe femrat shqiptare, të cilat gëzuan shpërblimet më të larta për veprat e tyre. Njëra ndër to është Hatixhe Arnauti (1934), e cila fitoi shpërblimin e parë për tregimin sirian në konkursin letrar, të organizuar nga redaksia e gazetës “Al-Bilad” të Damaskut në vitin 1956.
Përveç kësaj, u dallua edhe Aishe Arnauti (1946), e cila po ashtu fitoi shpërblimin e parë letrar për tregim në Liban në vitin 1960. Kjo fitore bëri një jehonë të madhe, ngase autorja ishte e moshës 14-vjeçare. Ndërkaq, në artin figurativ dallohet Abdylkadër Arnauti (1936), i cili që nga viti 1962 konsiderohet si njëri nga piktorët më të dalluar në Siri. Abdylkadër Arnauti organizonte ekspozita të shumta. Në vitin 1961 hap ekspozitën e tij të parë me 64 piktura, të cilat me motivet dhe stilet e tyre tronditën tërë Damaskun.
Në këtë drejtim cilësohet arti i tij për respektimin e thesarit arab, i cili në këtë kuadër paraqitet abstrakt e plastik, plot elemente reale artistike, të cilat nuk i mori nga ambienti shumë i komplikuar evropian, por nga ai i lagjeve popullore të Damaskut.
Është e vërtetë se këta krijues jetuan dhe vepruan në një kohë të vështirë, të ikur nga vendlindja dhe të vendosur në Siri. Mirëpo, me kontributin e tyre në letërsinë siriane ata kanë shprehur ndjenjat e tyre mallëngjyese të prekura thellë në shpirt për vendlindjen. Një pjesë e tyre shkruan në gjuhën arabe, por ndjenjat e tyre për atdheun, për vendlindjen e tyre stërgjyshore, i shprehën përmes kësaj gjuhe, të huaj për ta. Këto ishin ndjenja shqiptare, gjë që shihet në faktin se një pjesë e tyre u inkuadruan drejtpërdrejt në letërsinë shqiptare.
Dr. Isuf Ahmeti
[/TD]
[/TR]
[/TABLE]
[/TD]
[/TR]
[/TABLE]
[/TD]
[/TR]
[/TABLE]
[/TD]
[/TR]
[/TABLE]