Armatoset FSK-ja
Enjte, 21 Janar 2010 20:27
Fidan Tahiri
Përveç kompletimit të resursit human, Forca e Sigurisë së Kosovës gradualisht po plotësohet dhe në pjesën teknike të saj. Pjesa e parë e armatimit veç ka arritur në depot e këtij institucioni të sigurisë.
Ndonëse ajo ka një vit që është krijuar, ka një teknikë të mjaftueshme sa u përket intervenimeve, në rast fatkeqësive natyrore apo dhe ndonjë rasti për emergjenca civile.
Pothuaj se e tërë teknika që ka FSK-ja është e ardhur si donacion. Ajo është e llojit të ndryshëm, duke u ranguar nga ato të transportit të rëndë e deri tek autoambulancat.
Armatimi
Përveç makinerisë, pjesëtarët e FSK-së pritet që gjatë këtyre ditëve të pajisen edhe me armë të brezit, e shumë shpejt edhe me armë të gjata.
Sipas Ibrahim Shalës, drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, armatosja e FSK-së pritet të bëhet shumë shpjet. "FSK-ja është furnizuar me armët e brezit, ato priten vetëm të shpërndahen, kurse armët e gjata janë në fazën përfundimtare të procesit të prokurimit, ndërkaq kontraktuesi pritet t'i sjellë shumë shpejt në depot tona", u shpreh Shala.
Konkurs edhe për 400 pjesëtarë
Ndërkaq, duke filluar nga enjtja (sot), Forca e Sigurisë së Kosovës e hap dhe një konkurs për rekrutimin dhe pranimin e pjesëtarëve të rinj.
Gjatë këtij rekrutimi pritet të pranohen 400 pjesëtarë, ndërsa përzgjedhja e tyre do të bëhet në bazë të konkurrimit, ku përfshihen aftësitë psiko-fizike, gjendja shëndetësore dhe procesi i verifikimit. "Në këtë fushatë të rekrutimit, që fillon më 21janar, do të pranohen 400 pjesëtarë të rinj të FSK-së nga kontingjenti civil", ka bërë të ditur drejtori i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në FSK, Ibrahim Shala.
Misioni i FSK-së
Misioni i FSK-së është që të kryejë operacione të reagimit ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj; operacionet e mbrojtjes civile brenda Kosovës; si dhe t'u ndihmojë autoriteteve civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera.
Detyra të tilla do të përfshijnë operacionet e kërkim-shpëtimit; mënjanimin e mjeteve shpërthyese; kontrollin dhe pastrimin e materieve të rrezikshme; zjarrfikjen; si dhe detyrat tjera të ndihmës humanitare.
Misioni i parë i kësaj force jashtë vendit ishte ai në Shqipëri, që në bashkëpunim me forcat e NATO-s dhe ato shqiptare ndihmuan në evakuimin e popullatës nga zonat e përmbytura.
http://www.purestudio-host.info/info...etare&Itemid=2