Mos u përçani në parti por bashkohuni në Lëvizjen VETËVENDOSJE!
Në sallën e shtëpisë së kulturës, “Bajram e Gursel Sylejmani”, e cila nuk i zinte qytetarët e interesuar, intonimi i himnit kombëtar, hapi tubimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me qytetarët e Vitisë.
Kandidatja për deputete, Albulena Haxhiu përshëndeti të pranishmit duke thënë se, “ka ardhur koha që të flasim në cilësinë e shqiptarit, duke i marrë parasysh së pari interesat tona e pastaj të të tjerëve”.
Pas saj kandidati për deputet, Rexhep Selimi iu drejtua vitiasve me fjalët “Para dhjetë vitesh, Vitia, Gjilani e Dardana ishin Drenicë, ndërsa sot kështu të bashkuar me Kumanovë e Viti po më duket e tëra Shqipëri”. Rexhep Selimi vazhdoi me fjalët e tij të zjarrta “Jemi bashkuar sot që ta përmbushim së bashku amanetin e shenjtë të dëshmorëve që ta bëjmë një Shqipëri. Prandaj mbështeteni Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe konceptin e saj. Më 12 dhjetor votoni numrin 40 sepse kemi shumë punë për të bërë!”.
Ndërsa kandidati Hysen Durmishi qytetarëve të Vitisë u tha ndër të tjera se “Ne jemi të ndryshëm nga të gjitha subjektet tjera politike. Përderisa të tjerët angazhohen që të negociojnë me Serbinë Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet që të bashkohemi me Shqipërinë”.
Ambasadori William Walker u shpreh i mahnitur me entuziazmin e qytetarëve në tubimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. “Kam udhëtuar shumë përgjatë karrierës sime. Kam parë shumë popuj e shumë vende të ndryshme. Mirëpo këtë entuziazëm për ndryshimin e gjendjes së rëndë, po e shoh për herë të parë”.
Ëalker i ftoi qytetarët e Vitisë që kështu të bashkuar edhe më 12 dhjetor të votojnë për ndryshim.
Pas Ambasadorit Walker, kandidatët për deputet Arton Musliu, Salih Zyba, Violeta Salihu dhe Vjollca Ramiqi përshëndeten qytetarët duke i ftuar ata që së bashku të bëhen pjesë e realizimit të programit politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Ndërsa i fundit që iu drejtua qytetarëve ishte Albin Kurti. I përcjellur me brohoritje e duartrokitje të shumta Kurti tha se, “Duhet të bashkohemi kundër ish-pushtetarëve që ishin kundër popullit. Ish-pushtetarët duhet të mbeten ish-pushtetarë. Ish-pushtetarët nuk ndalen vet. Ata duhet t’i ndalim ne që jemi bashkuar e që s’ka fuqi të na ndaloi”.
Kurti kritikoi edhe procesin etnik të decentralizimit. “Për pesë vjet me radhë kemi qenë bashkë me ju kundër procesit të decentralizimit. Decentralizimi etnik Mitrovicën e ndarë po e riprojekton gjithandej nëpër Kosovë e edhe në Viti. Mirëpo pyka jonë që do ta ndaloi copëtimin e Vitisë do të jetë Mogilla”.
Kurti i porositi qytetarët që të mos përçahen në parti, por të bashkohen në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. “Më 12 dhjetor nis ndryshimi i madh. Ndryshimi i bërjës së Kosovës Shqipëri”.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Sekretariati për Media dhe Komunikim