PUSHO SHQIP!
Në fillim të sezonit të pushimeve verore, Lëvizja Qytetare “ZGJOHU!” ftonë të gjithë qytetarët shqiptarë të Maqedonisë dhe të Kosovës si dhe të gjithë të tjerët që të pushojnë SHQIP gjatë këtij sezoni veror dhe të vizitojnë bregdetin shqiptar.
ZGJOHU! fton qytetarët që planifikojnë dhe kanë mundësi të bëjnë pushime këtë vit, të vizitojnë bregdetin tonë shqiptar për t'i shijuar bukuritë e detit Jon dhe detit Adriatik dhe në këtë mënyrë t’a ndihmojnë vetën dhe Shqipërinë në këto kohëra të vështira financiare, por njëkohësisht edhe të njohin Shqipërinë më mirë.
“Ju ftojmë të vizitoni Tiranën e të kaloni çaste të bukura në kryeqytetin shqiptar, Durrësin si një nga qytetet më të vjetëra në Shqipëri me amfiteatrin më të madhë në Ballkan. Vizitoni Shkodrën dhe kështjellën e Rozafës, Fierin me Apolloninë, Beratin - qytetin e 1000 dritareve të mbrojtur nga UNESCO, Gjirokastrën e Ismail Kadaresë të mbrojtur gjithashtu nga UNESCO, Sarandën në jug të Shqipërisë të njohur për plazhet fantastike, Vlorën e pavarësisë, Krujën e Skenderbeut, Korçen e serenatave shqiptare dhe vendbanimet tjera shqiptare. Mos harroni të vizitoni edhe Butrintin, Bylisin, malin Tomorr, Alpet Shqiptare, gjithë vijën e bregdetit shqiptar, dhe shumë e shumë vende të tjera shqiptare që presin t’i zbuloni”, thuhet në ofertën e Zgjohu.
Lëvizja ZGJOHU! është e bindur që shqiptarët dhe të tjerët nga Maqedonia dhe Kosova do të vërshojnë plazhet e Shëngjinit, Durrësit, Ksamilit, Dhërmisë, Himarës, Borshit, Velipojës, Vlorës, Jalës, Sarandës, Kavajës, etj. Mikëpritja shqiptare dhe bukuritë e bregdetit shqiptar do t'ju falin çaste të paharruara dhe t'ju frymëzojnë që të riktheheni vite me rradhë në Shqipëri. (INA)