Hier noch etwas auf albanisch
Gjatë sundimit të Jugosllavisë së Versajit (1918-1941), Serbia mori masa të ndryshme drastike për t’i shpërngulur shqiptarët nga trojet e tyre etnike dhe për t’i kolonizuar në to kolonët serbë e malazezë. Akademiku monstrum, Vasa Çubrilloviq, ia ka paraqitur qeverisë mbretërore një referat gjenocidial më 1937, për zhdukjen e shqiptarëve nga Jugosllavia. Këtë referat qeveria jugosllave, përkatësisht serbe, e ka zbatuar me dhunë të përhershme ndaj tyre, me taksa të rënda, burgim të njerëzve të pafajshëm, tortura e vrasje, kështu që më se 250 mijë shqiptarë janë detyruar t’i braktisin trojet e tyre e të vendosen në shkretëtirat e Anadollit në Turqi dhe pjesërisht në Shqipëri. Në atë kohë, vetëm në fillim, janë vendosur në Kosovë, në pronat e uzurpuara shqiptare, më se 60 mijë kolonë serbë e malazezë. Për ta kamufluar këtë terror ndaj popullsisë së qetë shqiptare, qeveria e Beogradit deklaronte se kjo është vetëm ‘’reformë agrare’’, ‘’akcion i mbledhjes së armëve’’, ‘’akcion kundër komitëve dhe armiqve të shtetit’’ etj. ( Dr. Millovan Obradoviq, Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu (1918-1941, Prishtina, 1981).
Akademiku Çubrilloviq shkruante në referatin e tij se qeveria duhet të organizojë djegëjën e fshatrave dhe vrasjen e shqiptarëve natën, kurse ditën duhet të simulojë gjoja ndjekjen e aktorëve të krimeve të natës. Madje, ai propozonte se për aksione të tilla terroriste është më i përshtatshëm fisi malazias Vasojeviq, i cili duhet të angazhohet në këtë akcion.(Dr. Vasa Çubriloviq, L’ expulsion albanais - Memoire presente le 7 mars 1937 a Belgrade). Një referat tjetër të ngjashëm më këtë, Çubriloviqi e ka shkruar në tetor më 1944 për Qeverinë jugosllave-komuniste, e cila erdhi në pushtet me ndihmën e armatës kuqe sovjetike. Edhe gjatë sundimit të Jugosllavisë social-komuniste, ndaj shqiptarëve u morën masa drastike dhe gjenocidiale, kështu që u detyruan të shpërngulen për në Turqi e Shqipëri më se 250 mijë vetë.
Janë bërë vrasje masive të shqiptarëve, pa kurrfarë përgjegjësie, të njerëzve të pafajshëm, deportime në kampin famëkeq Goli Otok, për arsye politike antikomuniste, janë detyruar familjet shqiptare që të deklarohen se janë të kombësisë turke, shqiptarët janë pushuar nga puna në përmasa të mëdha, janë mbyllur shkollat shqipe etj. Por do të mbetet në histori i paharrueshëm gjenocidi i Tivarit në dimrin e vitit 1945, kur u pushkatuan në këtë qytet më se 4.200 djem shqiptarë, të cilët qeveria komuniste serbe i kishte mobilizuar gjoja për të luftuar kundër ushtrisë gjermane në bregdet, në Istër e në Slloveni. Në realitet, përveç këtyre të pushkatuarve në Tivar, janë vrarë edhe shumë të tjerë në Dubrovnik, Trogir, në ishuj, në Goricë etj., por dhe gjatë rrugës, të cilën e kanë kaluar në këmbë prej Prizrenit deri në Tivar, të veshur e të mbathur shumë keq dhe pa ushqim. Këta të mobilizuar nuk kanë qenë të pajisur me asgjë ushtarake, madje as një armë nuk e kanë pasur me veti, sepse kanë qenë të caktuar për likuidim masiv, siç është programi i përhershëm sekret i çdo qeverie serbe gjatë gjithë shekujve, për pastrimin etnik të trojeve shqiptare.
Kosova.com - Argumentet dhe metodat e politikës ekspansioniste serbe