[h=1]
Ergys Kaçe: Për Brazilin duhet shumë punë dhe pak fat[/h] 18/06/2013 11:36

Nga Edmond Sufaj
Edhe pse ai është kërkuar që të luajë me Greqinë, ai zgjodhi që të luajë me kombëtaren kuqezi. Mesfushori 19-vjeçar i Shqipërisë është kërkuar së fundi nga Olimpiku i Marsejës.
Në ndeshjen ndaj Norvegjisë, Ergys Kaçe u aktivizua në pesë minutat e fundit të ndeshjes. u aktivizua në ndeshjen e tij të parë me skuadrën kombëtare. Talenti i tij ra menjëherë në sy, ku me lojën e tij nga krahu i majtë erdhën dhe dy raste të pastra për shënim në minutat e fundit.
Një paraqitje e veçantë kjo nga një lojtar 19-vjeçar, i cili është pjesë e formacionit bazë te PAOK në Greqi, me të cilin do të luajë në kupën e kampioneve. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta e Sportit”, Kaçe ka shprehur gjithçka në lidhje me karrierën e tij sportive.
Ai tregon me krenari zgjedhjen e bërë, ku në ndryshim nga disa futbollistë të tjerë, mesfushori zgjodhi kombëtaren e Shqipërisë dhe jo të Greqisë. Futbollisti është ftuar nga trajneri i De Biazi në sfidën me Norvegjinë, duke qenë dhe një nga lojtarët më të rinj në kombëtaren shqiptare. Mesfushori është aktivizuar si titullar në të gjitha ndeshjet e zhvilluara në kampionatin helen me ekipin e PAOKU-t.
Së fundi, lojtari ka marrë dhe një ofertë nga Olimpiku i Marsejës, por Kaçe preferon të luajë me ekipin grek edhe për disa sezone të tjera. Lojtari i ri ka 9 vite që jeton në Greqi, por nuk harron qytetin e tij të lindjes, Korçën. Pikërisht, ai është dhe një nga tifozët e Skënderbeut. Por kur e pyet nëse do të luante në Shqipëri nëse do t’i vinte ndonjë ofertë e mirë, ai përgjigjet se për momentin nuk është i interesuar për një lëvizje të tillë.
Jeni lojtari me i ri i thirrur në kombëtaren shqiptare, si ndjeheni për këtë fakt?
Jam shume i lumtur qe jam pjese e kombëtares. Ndihem mjaft i gëzuar që jam veshur kuqezi.
Cili ishte sekreti i trajnerit De Biazi që arriti t’iu ftonte në ekip?
Unë e zgjodha Shqipërinë, sepse jam shqiptar! Për De Biazin mendoj se ka cilësi të shkëlqyera si trajner, por me mua nuk përdori ndonjë sekret.
A keni pasur kërkesë nga Greqia për të luajtur me kombëtaren?
Po patjetër. Jam ftuar nga trajneri i Greqisë, por përgjigja ime ka qenë jo.
Si është pritur vendimi juaj te skuadra e PAOK-ut, në lidhje me zgjedhjen që keni bërë për të luajtur me Shqipërinë?
Nuk është pritur dhe aq mirë, sepse ato dëshironin që unë të luaja me Greqinë.
Çfarë ju bëri më shumë përshtypje nga kombëtarja shqiptare kur u grumbulluat?
Tifozeria e zjarrtë kuqezi më beri më shumë përshtypje. Në atë ndeshje u krijuar një atmosferë e jashtëzakonshme.
Duke parë moshën tuaj, a do kishit pranuar të luanit me kombëtaren nëse fillimisht do te ftonin te ekipi U-21 i Shqipërisë?
Me kombëtaren U-21 jam ftuar dhe kam zhvilluar 4 ndeshje në vitin 2011.
Sa mundësi ka kombëtarja shqiptare për t’u kualifikuar në botërorin e Brazilit dhe çfarë i duhet më tepër kuqezinjve?
Kemi shumë mundësi për të arritur kualifikimin. Për të arritur qëllimin, pra kualifikimin, na duhet shumë punë dhe pak fat.
Ju keni qenë një lojtar titullar në formacionin bazë te PAOK, me të cilin do të luani në kupën e kampioneve. Çfarë do të thotë kjo për ty?
Jam shumë i lumtur që jemi kualifikuar në Ligën e kampioneve, ku dëshiroj të jap maksimumin.
Cili është pozicioni juaj i preferuar në fushën e lojës?
Pozicioni im i preferuar është që të luaj mesfushor në krahun e djathtë.
Cilat kanë qenë ofertat konkrete nga ekipet jashtë Greqisë?
Kam pasur shumë oferta si brenda dhe jashtë Greqisë. Një nga skuadrat që më ka kërkuar duke me ofruar një ofertë konkrete ka qenë skuadra franceze e Olimpikut të Marsejës, por për momentin jam i lumtur te PAOK-u.
Sa vite kontrate keni me ekipin aktual dhe si po e përjeton faktin se do te luash në ligën e kampioneve?
Me PAOK-un nuk kam rinovuar ende, por se shpejti do të rinovoj për katër vite. Të luash në një eveniment të tillë është diçka e jashtëzakonshme dhe me shumë vlerë.
Cili ka ndikuar më shumë në rritjen tuaj si futbollist?
Në profesionin tim kam pasur shumë shtysa, por më shumë ka ndikuar trajneri i skuadrës së PAOK-ut, i cili me ka besuar vendin e titullarit pothuajse në çdo ndeshje.
Me cilën nga skuadrat shqiptare jeni tifoz?
Natyrisht, me Skënderbeun e Korçës.
Nëse do t’iu vinte ndonjë ofertë e veçantë, a do luanit në Shqipëri?
Për momentin nuk do të preferoja një gjë të tillë. Për të ardhmen nuk mund të flas dot, pasi gjithçka mund të ndodhë në jetë.
Ergys Kaçe: Për Brazilin duhet shumë punë dhe pak fat