E çka presim ne nga komuniteti i ndërmarrësve tanë? Ne presim nga ta më shumë investime, më shumë vende pune, më shumë kreativitet, zbutje të nivelit shqetësues të disbalancit tregtar, më shumë fokus në përdorimin e teknologjive që e ruajnë ambientin, pajisje me kontrata të të gjithë punëtorëve dhe kalim masiv në formalitet, respektim të orareve të punës, avancim të vazhdueshëm të barazisë gjinore në politikat e tyre të punësimit, dhe, avancim të përgjegjësisë sociale.
VETËVENDOSJE! është makina që asfaltin e gati 18 viteve të fundit e zëvendëson me pemë e perime, me prodhime vendore e shëndetësi për qytetarin. Qeverisja jonë 10% e tenderëve të politikanëve të PLDKAAK të 18 viteve të fundit do ta zëvendësojë me ushqim në shkolla për fëmijët tanë, me shtesa fëmijësh e vende nëpër çerdhe, me bursa për studentë e hulumtime për shkollarë, me grante për fermerë e kredi për ndërmarrës.
Çka i ofron qeverisja e VETËVENDOSJE!-s mërgatës sonë? Me ne në qeverisje, bashkatdhetarët nuk do të zhvatet më nëpër kufij sa herë që të marrin rrugën për Kosovë. Me ne në qeverisje mërgata nuk do të shihet vetëm si burim për kërkesë shtesë për mallra dhe shërbime, por si potencial për investime e zhvillim, për prurje të teknologjive e përvojave të reja, dhe, me siguri, me ne në qeverisje, mërgata nuk do të përjashtohet nga e drejta e votës përmes bllokimeve artificale të KQZ-së.