Vetëvendosje “tregon dhëmbët” në vjeshtë
Aktualisht, ajo e ka ulur në minimum tempin e aktiviteteve, ndërsa që reforma e brendshme e paralajmëruar kohë më parë është shtyrë për vjeshtën e këtij viti, kohë kur “Vetëvendosje” do të zhvilloj edhe zgjedhjet e para të brendshme.
Prishtinë. Përkundër vendimit definitiv për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme dhe paralajmërimeve për mbushjen e radhëve të saj me personalitete të fuqishme, Lëvizja “Vetëvendosje” po përjeton një periudhë pushimi në këtë drejtim.
Aktualisht, ajo e ka ulur në minimum tempin e aktiviteteve, ndërsa që reforma e brendshme e paralajmëruar kohë më parë është shtyrë për vjeshtën e këtij viti, kohë kur “Vetëvendosje” do të zhvilloj edhe zgjedhjet e para të brendshme.
Ndërsa, zyrtarët e saj, deri më tani, nuk kanë bërë asnjë hap as në aspektin e regjistrimit në organet kompetente zgjedhore.
Megjithatë, aktivistët e “Vetëvendosje”, janë të bindur se Lëvizja do të përjetoj së shpejti një valë të madhe aderimesh të figurave me kredenciale të larta politike dhe akademike.
Deri më tash, asaj i janë bashkangjitur biznesmeni shqiptaro-amerikan Florim Krasniqi, ish- kryetari i Malishevës, Gani Krasniqi dhe ekonomisti, Ismet Hamiti.
Erzen Vraniqi, aktivist i “Vetëvendosjes” ka paralajmëruar se shumë shpejt do të bëhet edhe prezantimi i figurave të reja që kanë aderuar në Lëvizje.
“‘Vetëvendosje’ është duke punuar me intensitet të shtuar në terren, në shtrirjen e strukturës së brendshme të saj. Të gjitha qendrat ekzistuese nëpër komunat e Kosovës po konsolidohen, si dhe po krijohen pikat e ndryshme të lëvizjes në kuadër të secilës qendër”, tha Vraniqi.
Sipas tij, sekretariati i rrjetit dhe i qendrave po zhvillon një sërë takimesh nëpër komuna me njerëz të profileve të ndryshme të cilët e përkrahin aktivitetin e Lëvizjes dhe janë në pajtueshmëri të plotë me konceptin politik të “Vetëvendosjes”.
“Si rezultat i këtyre takimeve kemi aderim të madh të njerëzve në radhët e Lëvizjes, mes tyre edhe personalitete të njohura në opinion. Lëvizja në një të ardhme të afërt do të bëjë prezantimin e këtyre figurave të reja në opinion”, tha Vraniqi.
Mosaplikimin për regjistrimin në zyrën e partive politike në KQZ, Vraniqi e arsyeton me mosmiratimin e programit politik.
“Në vjeshtë pritët t’i mbajmë zgjedhjet e brendshme dhe do ta kemi të kompletuar strukturën udhëheqëse ku do të miratohet edhe programi politik e më pas të aplikojmë për regjistrim në KQZ”, tha ai.
Ndërsa, analistët politik vlerësojnë se pakënaqësia në rritje e qytetarëve të Kosovës me politikën aktuale mund të përkthehet në përkrahje për Lëvizjen e udhëhequr nga Albin Kurti, në zgjedhjet ardhshme.
Analisti Avni Zogiani, mendon se një problem shumë i madh për “Vetëvendosjen” do të jetë fakti që kjo Lëvizje hyn në zgjedhje si subjekt nga jashtë sistemit, në një sistem ku subjektet politike janë akomoduar me manipulimin dhe blerjen e votës.
“Vetëvendosja’ ka vetëm sinqeritetin përballë tërë këtij sistemi që shpesh vepron në prapaskenë. Kjo ka mundësi që të kufizojë përkrahjen e ‘Vetëvendosjes’ dhe prandaj do të jetë shumë e vështirë për këtë lëvizje”, tha Zogiani.
Ndërsa, drejtoresha e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike në KQZ, Miradije Mavriqi, ka thënë se zyrtarët e “Vetëvendosjes” ende as nuk ka thirrur as për të marrë ndonjë lloj informacioni për regjistrim.
Ndryshe, reforma e paraparë të zhvillohet në “Vetëvendosje” në vjeshtë, përfshin aspektin e kuadrove dhe atë programor të Lëvizjes.
Ndërkohë që udhëheqja e “Vetëvendosjes”, është përcaktuar tashmë që në zgjedhjet e ardhshme të mos konkurrojnë si parti politike, por si lëvizje qytetare.
Yll Press - Vetvendosje tregon dhmbt n vjesht > Politika: Speciale