25 studiot që do të projektojnë Parlamentin e ri
Suela Topi 18/11/2010 11:28:00
Kompleksi parlamentar, Berisha fton edhe studion franceze. Komisioni teknik nis punën për përzgjedhjen e më të mirëve
25 studio të njohura ndërkombëtarisht kanë shprehur interes për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Në mbledhjen e Komisionit Shtetëror për Ndërtimin e Parlamentit të ri shqiptar, Kryeministri Sali Berisha, pasi ka përshëndetur të gjitha studiot pjesëmarrëse, ka deklaruar se ndërtimi i godinës së Parlamentit të ri do të bëhet në vend të Piramidës, jo për qëllime politike, por për shkaqe ekonomike. Në mbledhjen e Komitetit Shtetëror, kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, nuk mori pjesë, ndërsa Kryeministri Berisha e ka akuzuar kryebashkiakun si nostalgjik të komunizmit. Në fund të fjalës së tij, kreu i qeverisë la të nënkuptohej se ndërtimi i Parlamentit nuk do të jetë e vetmja ndërtesë që pritet të ndërtohet në Tiranë.
Komisioni Shtetëror
Plot 25 studio: malazeze, franceze, italiane, gjermane, amerikane e britanike kanë shprehur interes për ndërtimin e Parlamentit të ri, atje ku sot është Piramida. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka falënderuar të gjitha studiot, që kanë treguar interes dhe gatishmëri për t’i dhënë Shqipërisë projektin më të mirë për Parlamentin e ri. “Në themel të këtij shteti qëndron institucioni i Parlamentit. Është ky institucion, që këto 20 vite, në përpjekje të mëdha dhe mbinjerëzore, në kushte të një qëndrimi të egër destruktiv të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe më vonë të Partisë Socialiste, të përdorimit qoftë dhe të plumbave në Parlament, ka vendosur, ka ngritur çdo vit dhe më lart ndërtesën e demokracisë në Shqipëri, me reformat që ka miratuar. Është ky institucion, në të cilin çdo qytetar shqiptar ka shprehur vullnetin e vet për të pasur përfaqësuesit e tij, për të pasur ndërtesën qendrore të vendit”, - tha Kryeministri, ndërsa kujtoi se atje ku sot është Kuvendi, ka qenë Komiteti Qendror i dhunës, terrorit, i shtypjes shqiptare. Ai shtoi se vendimi i marrë për ndërtimin e Parlamentit, aty ku sot ndodhet mauzoleu i Enver Hoxhës, është para së gjithash dhe mbi të gjitha ekonomik, edhe pse nuk e fshehu përçmimin ndaj ndërtimeve të shëmtuara, që u bënë në Tiranë gjatë periudhës së diktaturës. “Ata që këndojnë këngën e vlerave, ata tregojnë se janë vetëm skllevër të lejeve të ndërtimit, që marrin nga kryetari i bashkisë në mbrojtje të atit të tij shpirtëror. Unë mund t’u tregoj shqiptarëve jo një, por me dhjetëra raste, ku ndërtime identike si hotel “Tirana”, janë rrafshuar si një dëshmi e dështimit arkitekturor. Unë mund t’u faktoj shqiptarëve se pallate si Pallati i Kulturës gjenden vetëm në Ulanbator dhe se është një shëmti arkitekturore pa asnjë vlerë, me një zero vlerë, që e shëmton qendrën e kryeqytetit dhe mbarë vendin”, - tha Kryeministri, duke paralajmëruar kështu prishje të tjera. Sipas tij, Rama ka bërë çmos të ruajë monumentet e komunizmit. “Të gjitha studiot që i ka kontraktuar, kanë pasur porosi të prerë dhe përfundimtare: Mos prek trashëgiminë e Enver Hoxhës”, - tha Berisha. Ai shtoi se kryetarin e bashkisë nuk e lënë 20%. “Kryetari i bashkisë, në 12 vjet, përveç kumbullave të kuqe, dhe ato nuk bëjnë fruta, sepse siç do t’i thoshte daja i tij Nikita Hrushovi, “se i ha populli, ndaj nuk po i mbjellim”, përveç kumbullave të kuqe, nuk i la gjë tjetër qytetit, ikjen dhe bojërat”, - tha ai ndërsa iu kthye akuzave për abuzime me lejet e ndërtimit. Gjithsesi, sipas Berishës, zgjedhja e Piramidës si vendi më i përshtatshëm është vetëm kriter ekonomik, për më tepër që këtë vendim e ka marrë Partia Socialiste kur ishte në pushtet me Kryeministër Fatos Nanon. Berisha shtoi: “Rama vuan nga fetishi, i gjithë ky qëndrim i tij është i përcaktuar nga sindroma e fetishizimit, që u bën objekteve, në këtë rast statujave të diktatorit, kujtimit të diktatorit, varrit të diktatorit, mauzoleut të diktatorit”. Berisha ritheksoi se vendimi është i prerë dhe përfundimtar, Parlamenti do të ndërtohet tek Piramida.
Studiot e interesuara për projektin e Parlamentit të ri
1. AMA ARCHITECTURE & DAUDRÉ-VIGNIER
2. AREA PROGETTO ASSOCIATI & HIJJAS BIN KASTURI
3. ARX–PAOLO DI NARDO
4. BAUMSCHLAGER-EBERLE GRUPPE
5. BEHNISCH ARCHITEKTEN
6. COOPHIMME(L)BLAU
7. DAVID CHIPPERFIELD
8. DANIEL LIBESKIND
9. DOMINIQUE PERRAULT
10. BENEDETTA TAGLIABUE - EMBT S.l.
11. GMP von GERKAN, MARG und PARTNER
12. ISHIMOTO EUROPE S.r.l.
13. IVANIŠIN-KABASHI
14. JACQUES HERZOG, PIERRE DE MEURON
15. JEAN NOUVEL
16. JOSEF PAUL KLEIHUES
17. MARIO BOTTA
18. MARIO CUCINELLA ARCHITECTS S.r.l.& POLITECNICA Soc. Coop.
19. MICHAEL HOPKINS
20. NEUTELINGS RIEDIJK ARCHITECTEN
21. REM KOOLHAAS
22. RICHARD MEIER
23. ROGERS STIRK HARBOUR + PARTNERS L.t.d.
24. SAMYN and PARTNERS & Sti Studio Tecnico di ingegneria S.r.l.
25. WILLIAM ALLEN ALSOP
Gazeta Standard - 25 studiot që do të projektojnë Parlamentin e ri