Lëvizja VETËVENDOSJE! kërcënohet në Drenas
Drejtuar Qytetarëve të Kosovës, Gazetarëve e punonjësve të Medias, e çdo Institucioni të interesuar
Bëjmë të njohur për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për mediat, se sot, në datën 25 Nëntor 2010 ka ndodhur incidenti i parë elektoral – në prag të një krimi. Ndërkohë që përfaqësues të Lëvizjes VETËVENDOSJE! po organizonin takimin me anëtarë e mbështetës të kësaj lëvizje në fshatin Abri, në komunën e Drenasit, ata janë kërcënuar haptazi prej disa njerëzve të cilët jemi duke i identifikuar, e të cilët dyshojmë se i përkasin strukturave të pushtetit aktual.
Këta njerëz pasi kanë kërcënuar në telefon përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE në atë zonë, kanë penguar zhvillimin e tubimit, duke mos lejuar afrimin e anëtarëve dhe mbështetësve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në vendin e paracaktuar për zhvillimin e aktivitetit. Grupi i personave kërcënues nuk ka hezituar të jetë prezent në vendngjarje, dhe kur ka mbërritur në vend përfaqësia e kryesisë së kësaj Lëvizje, bashkë me aktivistin dhe kandidatin Visar Ymeri.
Lëvizja VETËVENDOSJE! është duke verifikuar identitetet e kërcënuesve, si dhe për pozicionimin e tyre politik e strukturor. Ne zotohemi që do t’i ndjekim raste të tilla pa asnjë tolerancë, në mënyrë ligjore, por edhe me kurajo qytetare. Lëvizja VETËVENDOSJE! ka treguar në historinë e saj se nuk trembet përballë kërcënimeve që mund të vijnë nga cilido pushtetar arrogant, apo nga lakejtë e tyre. I këshillojmë këta “guximtarë” të heqin dorë nga praktika të tilla, të cilat do të kenë efekt boomerang për vetë ata.
Jemi të vendosur të mbrojmë me çdo mjet, e me çdo kusht vullnetin e popullit të Kosovës, jemi të vendosur të çojmë deri në fund misionin që na kanë dhënë mbështetësit tanë. Çdo kërcënim ndaj secilit do të konsiderohët si kërcënim ndaj të gjithë aktivistëve të Lëvizjes, dhe çdo rast i tillë dëmton procesin zgjedhor që i përket qytetarëve të Kosovës.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Sekretariati për Media dhe Komunikim