Reaktionen aus Albanien
Reagim Këshilli kundër Gjyqit të Albin Kurtit – Tiranë 14 Qershor 2010
Arrestimi brutal i Albin Kurtit dhe 5 aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje!, dhuna çnjerëzore ndaj më shumë se 40 aktivistëve, qytetarëve nga Kosova e Shqipëria ditën e shtunë, 12 qershor bën përgjegjës drejtpërdrejtë:
Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçin, Ministrin e Brendshëm Bajram Rexhepin, drejtuesin e EULEX, Yves de Kermabon dhe shefin e ICO Peter Faith.
Dhuna e përdorur nga Policia e Kosovës është në kundërshtim me çdo Konventë të të drejtave të Njeriut. Zyrtarët vendorë e ndërkombëtarë që kanë urdhëruar përdorimin e dhunës deri në rrezikimin e jetës së qytetarëve brenda zyrës së Lëvizjes Vetëvendosje duhet të dalin para drejtësisë. Nëse kjo nuk bëhet nga institucionet e Kosovës, ne do të ndërmarrim hapa për ta çuar këtë rast para gjykatave ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Duket qartë se qëllimi i EULEX dhe qeverisë së Kosovës është izolimi përfundimtar i Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Gjyqi që po zhvillohet sot është shenja që na tregon më së mirë që Kosova nuk është dot as shtet demokratik, as sovran por mbi të gjitha Shqiptarët e Kosovës nuk jetojnë në liri. Sakrifica e tyre për çlirim nuk mundi të themelonte as një shoqëri të drejtë as mundësinë për shprehjen e vullnetit popullor.
Këshilli kundër Gjyqit te Albin Kurtit në Tiranë, i bënë thirrje popullit të Kosovës të kundërshtojë me këmbëngulje çdo vendim të gjykatës së EULEX-it që në fakt është Vendim për të ndaluar pjesmarrjen e liderit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje në proçeset politike në Kosovë.
Këshilli kundër Gjyqit të Albin Kurtit në përputhje me vullnetin e 175.000 nënshkruesve të peticionit kundër këtij gjyqi i bën thirrje shqiptarëve të Shqipërisë, organizatave, mediave, studentëve shqiptarë, por jo vetëm të protestojnë aktivisht kundët represionit më të ri në Europë, atij që po ndodh sot në Kosovë.
Këshilli kundër Gjyqit të Albin Kurtit në Tiranë do të organizojë aksione të pandalura kundër këtij procesi apo çdo vendimi të mundshëm kundrejt Albin Kurtit. Këto aksione do të adresojnë përgjegjësit e këtij represioni.
Këshilli kundër Gjyqit të Albin Kurtit në Tiranë i drejtohet edhe njëherë publikisht Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Bamir Topi të shprehet e të reagojë për çka po ndodh. Presidenti i Republikës është garant i mbrojtjes së të drejtave të Shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Këshilli kundër Gjyqit të Albin Kurtit në Tiranë e fton Kryeministrin z. Sali Berisha të intesifikojë qëndrimin dhe veprimet e tij për atë çfarë ai quan Politikë Kombëtare.
Në kordinim dhe solidaritet me Lëvizjen Vetëvendosje!, me Këshillin kundër gjyqit të Albin Kurtit në Prishtinë, Maqedoni, Preshevë e Mal të zi do të ndërrmerren një seri masash institucionale (edhe në nivel ndërkombëtar) dhe popullore për tìi dhënë fund përndjekjes së Albin Kurtit dhe shkeljes së dinjitetit dhe mohimit të lirisë në Kosovë.
Këshilli kundër Gjyqit të Albin Kurtit - Tiranë