Numri i madh i turistëve konfirmon industrinë e re, më shumë para se nga eksportet në 7 muaj
Turizmi, të ardhura mbi 1 miliard dollarë dhe 140 mijë vende pune
Shqipëria ka përjetuar një bum të madh turistik këtë vit, duke e kthyer këtë sektor në degën kryesore të ekonomisë. Këtë e ka konfirmuar Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë. Ai u shpreh se, të ardhurat nga turizmi janë më të mëdha se eksportet në shtatë muaj të parë të këtij viti. "
Turizmi është shndërruar sot, në degë kryesore të ekonomisë së vendit. Në rast se, në 7 muaj pati rreth 1 miliard dollarë eksporte, të ardhurat nga turizmi janë ndjeshëm më të mëdha dhe ato kanë një shpërndarje të shkëlqyer jo vetëm tek ata që presin pushues, por edhe tek një zinxhir i tërë prodhuesish. Faktikisht, kjo bën që Shqipëria të ketë dy periudha kulmore shitjesh, fundvitin dhe gushtin, ku shënohet një rritje e jashtëzakonshme e fuqisë blerëse të vendit", tha kreu i ekzekutivit. Duke shtuar se, në tërësi, nga vetë pushuesit dhe turistët ka pasur një vlerësim shumë pozitiv. Kryeministri Berisha theksoi se, faktori kryesor në këtë vërshim masiv të turistëve drejt Shqipërisë është infrastruktura. Shefi i ekzekutivit tha se, "investimet në infrastrukturë janë bërë përcaktuese në këtë zhvillim të madh e të shpejtë të turizmit. Vetëm në Qarkun e Vlorës janë ndërtuar apo janë në ndërtim mbi 250 kilometra rrugë kombëtare, rurale, dytësore të ndryshme. Nuk them se, të gjitha janë në funksion të turizmit, por 90 përqind e tyre u përkasin tërësisht zonave turistike të këtij qarku. Në total ky qark ka marrë 670 milionë euro investime". Duke vlerësuar të gjitha aspektet pozitive, shefi i qeverisë falenderoi mediat, që kanë paraqitur jo vetëm aspektin pozitiv, por edhe problematikat. Shefi i qeverisë garantoi opinionin publik se, ministritë janë marrë me seriozitetin më të madh me problematikat që ka vënë në dukje ky sezon turistik. Kryeministri Berisha u shpreh se, "në ultësirën bregdetare dhe bregun e Jonit, qytete janë Durrësi, Vlora, Lezha, Shëngjini, Orikumi, Himara, Saranda, por edhe Velipoja e Golemi, të cilat të marra sëbashku janë disa kilometra, maksimumi 40 kilometra. E gjitha pjesa tjetër e bregut është në territor komunash dhe natyrisht, fuqia administrative e tyre nuk mund të pretendohet të jetë e barabartë me atë të bashkive". Duke marrë përshembull plazhin e Gjirit të Lalzit, Kreu i ekzekutivit tha se, ky plazh shtrihet në territorin e dy komunave, kryetarët e të cilave kanë bërë një punë shumë të mirë, pavarësisht fluksit të madh të vizitorëve ku në një ditë të vetme ka pasur 46 mijë automjete dhe rreth 70-80 mijë pushues. Kryeministri e cilësoi një zhvillim pozitiv, që drejt Gjirit të Lalzit shkojnë pushues jo vetëm nga Tirana, por edhe nga Durrësi. "E theksoj se, përpjekjet dhe punën që kanë bërë këto komuna, por ndodhemi para një zhvillimi shumë të fuqishëm, që realisht ka ardhur këto dy vjet, që pas ndërtimit të rrugës. Më parë aty nuk shkohej, pasi të dukej si një udhëtim në ferr. Një rrugë me mijëra gropa dhe keqardhjen më të madhe e ndjeja teksa shihja fermerët që nuk shisnin dot prodhimet e tyre të mrekullueshme. Ndërsa sot, ata janë në gjendje të shesin çdo gjë", theksoi kreu i ekzekutivit, duke shtuar se qeveria duhet t'i ndihmojë komunat. Kryeministri Berisha tha se, do të ndihmohen edhe Bashkitë, pavarësisht se ato i kanë më të mëdha kapacitetet. Shefi i qeverisë theksoi se, ekzekutivi duhet të parashikojë një ndihmë të posaçme për komunat, pasi ato i kanë mjetet më të kufizuara. "Nëse rrugët që zbresin drejt detit po përfundojnë në të gjithë territorin, ne duhet të merremi me rrugët brenda fshatit, ku mund të ketë turistë. Gjithashtu, investimet në ujësjellës po ecin", tha shefi i qeverisë.
http://www.rilindjademokratike.com/R...t/politika.htm