Një shekull nga numri i parë i gazetës "Shkupi"
Të hënën mbushen plot 100 vjet nga dalja e numrit të parë të gazetës "Shkupi", gazeta e parë në gjuhën shqipe në këto troje, rikujton “Lajmi” i Shkupit. Numri i parë i gazetës javore "Shkupi" doli më 29 gusht të vitit
1911, ndërsa vendimi për botimin e gazetës "Shkupi" u mor në Kongresin e dytë të Manastirit,
më 2 prill të vitit 1910. Redaktor i gazetës ka qenë Jashar Erebara.
Edhe pse gazeta "Shkupi" ishte mjaft jetëshkurtër, vetëm 34 numra (29 gusht 2011 - 3 tetor 1912) ajo ka një rëndësi të veçantë. Vetë rrethanat historike janë ato që e bëjnë këtë gazetë të veçantë dhe të rëndësishme. Janë vitet e fundit të Perandorisë Osmane dhe vitet kur Ballkani gjendej në një udhëkryq. Botimi i gazetës "Shkupi" duhej të vetëdijësonte masën dhe të shmangte rrezikun e shkombëtarizimit. Lëvizja Kombëtare Shqiptare shtroi para vetes detyra të rëndësishme që nëpërmjet hapjes së shkollave dhe botimit të një gazete në gjuhën shqipe në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës, në Shkup, t’i rezistonte këtyre synimeve.
Kjo gazetë është e rëndësishme nga disa aspekte. Së pari aspekti gjeopolitik i tokave shqiptare, sepse doli në Shkup dhe mban emrin e këtij qyteti, duke e bërë atë një nga qendrat më të rëndësishme. Së dyti gazetaria shqiptare në këto troje nuk mbeti prapa gazetarisë së shteteve fqinje dhe e treta është e rëndësishme për mendimin politik autentik shqiptar.