Mbyllet tenderi për helikopterët,, Berisha merr dhe një tjetër deklaratë mbështetëse nga Franca
Nga Tema
Shqipëria do të blejë disa helikopterë nga një kompani franceze. Bashkë me helikopterët, kryeministri ka blerë dhe një deklaratë mbështetëse nga shteti francez, në kulmin e krizës politike në vend.
Sekretari i Shtetit francez për Çështjet Evropiane, Pierre Lellouche, ishte dje në Tiranë, ku bëri dhe disa deklarata politike, në favor të qeverisë dhe kundër opozitës.
Lellouche tha se nuk e kuptonte liderin e opozitës, kur thoshte që zgjedhjet janë legjitime, por nuk pranon të hyjë në Kuvend.
“Mendimi ynë është shumë i thjeshtë, principi bazë i demokracisë është që, sapo zgjedhjet mbarojnë dhe në momentin që KQZ nxjerr rezultatin, duhet të pranohet ndryshimi, ai që fiton merr pushtetin dhe ai që humb do të kalojë në opozitë. Por pranimi i kësaj alternance është baza e demokracisë. Kjo duhet të pranohet mirë në kokë, sepse është rregull absolut, sepse, nëse nuk pranohet ndryshimi i pushteteve, atëherë është regjim diktatorial. Unë e kuptoj se demokracia mund të mos jetë perfekte, mund të ketë kundërshtime, por koncepti tjetër bazë në këtë rast, kur ka kontestime, gjithçka rregullohet përmes drejtësisë dhe dialogut”, - tha Lellouche.
Megjithëse kryeministri gjatë gjithë kohës foli për një vizitë, ku ishte diskutuar për integrimin dhe të tjera çështje, mediet franceze sqarojnë se zyrtari francez ndodhej aty për të përfunduar çështjen e blerjes së helikopterëve.
Kështu e nis lajmin agjencia e njohur franceze, AFP, që konfirmon se tashmë marrëveshja është gati dhe do nënshkruhet javën që vjen. AFP thotë se janë pesë helikopterë Cougar AS 532 AL, që do blihen nga kompania EuroCopter për një shumë prej 80 milionë eurosh. Nga tenderi janë skualifikuar një kompani amerikane, Sikorski, dhe një italiane, Agusta.
Faktin e shitjes së helikopterëve e ka konfirmuar dhe kryeministri Berisha gjatë konferencës për shtyp. I kompleksuar nga fakti se mund të zbulohej qëllimi i vizitës së zyrtarit francez, Berisha theksoi se kompania që do shiste helikopterët, ishte franko-gjermane. “Është e vërtetë që është bërë një tender në përputhje më të gjitha rregullat dhe ligjet e Shqipërisë dhe këtë tender e ka fituar një konsorcium franko-gjerman, në mos gaboj, është një ndër konsorciumet më të mëdha në Evropë dhe në botë që ndërton Air Bus, Aerokopter. Kjo është e vërtetë”, - tha Berisha.
***
Para disa muajsh gazeta “TemA” raportoi se qëllimi i vizitës së beftë të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, në Francë ishte lobimi i qartë për të blerë helikopterë ushtarakë nga një kompani franceze. Lajmi bëhej i ditur nga mediet franceze. Një raport i agjencisë “Reuters”, së cilës i referohej dhe revista e mirënjohur franceze “L’Express”, theksonte se për këtë qëllim është mbajtur dhe takimi në pallatin presidencial.
Sipas saj, kompania EuroCopter, një kompani me shumicë aksionesh të shtetit francez, synon marrjen e këtyre helikopterëve, që Shqipëria ka planifikuar t’i blejë pas anëtarësimit në NATO.
Siç raporton “L’Express”, EuroCopter e dëshiron këtë tender, pasi bëhet fjalë për një shumë të majme, e cila është parashikuar tashmë në buxhet.
Kryeministri, Sali Berisha, e përdori kështu atë vizitë për të marrë mbështetje nga Franca, një vend i rëndësishëm i BE, në prag të aplikimit për marrjen e statusit kandidat.
Gjithçka ishte pjesë e një historie të qartë lobimi që nis që nga marrëdhëniet e mira me ambasadoren franceze.
Prej kohësh në valët e televizionit kombëtar “Klan”, një televizion nën ndikimin absolut të kryeministrit, Sali Berisha, transmetohej një spot i kompanisë EuroCopter.