Niset drejt Afganistanit kontingjenti i 8 i forcave ushtarake
Janë nisur sot për në Herat të Afganistani kontingjenti i forcave tona të armatosura të përbërë nga 222 paqeruajtës midis të cilëve oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë të përzgjedhur nga testimi stërvitor, fizik, shëndetësor dhe njohje teknike e armatimi.
Kontingjenti në fjalë niset për të zëvendësuar trupat komando të kontingjentit të 3-të shtesë dhe kontingjentin e 7-të të këmbësorisë malore, të cilët në datën 27 janar të këtij viti do të kthehen në atdhe.
Ceremonia e përcjelljes së kontigjentit të 8-të të Forcës Tokësore, i cili përbëhet nga një kompani e batalionit të këmbësorisë së motorizuar dhe një kompani e batalionit komando, u zhvillua në ambientet e garnizonit të Zall Herit, paraditen e së hënës. Për të përcjellë trupat paqeruajtës në këtë mision të rëndësishëm ishin të pranishëm Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral major Maksim Malaj, zv. Ministri i Mbrojtjes, z. Ekrem Spahia, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Viktor Berdaj, amabasadori i Italisë Luigi Marucio, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, komandantë të forcave dhe strukturave të tjera të larta të FA, drejtorë drejtorish në Ministrinë e Mbrojtjes e Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, të afërm dhe familjarë të paqeruajtësve.
Aktualisht Forcat e Armatosura nëpërmjet strukturave të Forcës Tokësore marrin pjesë me trupa në Operacionet e Mbështetjes së Paqes “ISAF” të drejtuara nga NATO në Afganistan me 2 kompani në Herat, 1 togë në Kabul për operacione siguruese, shoqërimi, si dhe 1 kompani speciale në operacion luftarak në Kandahar, Afganistan.
Gazeta Start: Niset drejt Afganistanit kontingjenti i 8 i forcave ushtarake