Moj Shqipëri e mjera Shqipëri
Kombëtarja shqiptare vazhdon të zhgënjejë. Kuqezinjtë janë mposhtur në ndeshjen miqësore nga përfaqësuesja modeste e Azerbajxhanit. Shqipëria në këtë përballje ishte pa ide, pa trajner edhe pa rezultat.
Kombëtarja e Shqipërisë ka vazhduar me paraqitje të dobëta. Kuqezinjtë janë mposhtur të premten mbrëma në Tiranë edhe në ndeshjen miqësore nga një skuadër modeste, siç është ajo e Azerbajxhanit, me rezultat minimal 0:1.
Përfaqësuesit shqiptarë luajtën dobët gjatë pjesës së parë, por hiq më mirë nuk u paraqitën as azerbajxhanasit. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe të lojës mysafirët ia dolën disi ta shënojnë një gol, i cili në fund doli të jetë edhe vendimtar.
Në fakt, Azerbajxhani golin e vetëm dhe të fitores në këtë takim e shënoi në minutën e 22-të nëpërmjet Aliyev, pas një pakujdesie të mbrojtjes kuq e zi.
Këtë gabim Kombëtarja shqiptare u mundua ta përmirësoi në vazhdim të lojës, por pa sukses. Në fakt, gjatë gjithë pjesës së dytë vendasit dominuan plotësisht dhe luajtën dukshëm më mirë sesa që luajtën në pjesën e parë. Kështu, ata krijuan shumë raste të mira shënimi, por assesi nuk ia dilnin t’i konkretizon në gol.
Në minutën e 62-të, Lorik Cana gjati me kokë, por një mbrojtës i mysafirëve evitoi gol të sigurt. Pas shumë shanseve tjera, edhe Edmond Kapllani në minutën e 89-të gjuajti mirë, por shtylla i shpëtoi pa pësuar gol azerbajxhanasit. Ndërsa, shpresat e Shqipërisë për ta evituar disfatën morën fund në minutën e 90-të, kur Gjergji Muzaka gjati me kokë, por jashtë portës dhe kështu ndeshje u përmbyll me rezultat minimal, 0:1.
Thjeshtë, kuqezinjtë nuk kishin ide se si t’i konkretizonin rastet. Ata këtë takim e zhvilluan nën udhëheqjen e Dzemal Mustedanagicit, ndihmësit të Josip Kuzes, i cili u largua nga posti i selektorit, pozitë kjo që vazhdon të mbetet e zbrazët.
Ndërkohë, numri i shikuesve ishte shumë i vogël, pasi këtë miqësore e kishin bojkotuar ‘Tifozat Kuq e Zi’, ashtu siç kishin paralajmëruar më herët.
Moj Shqipria e mjera Shqipri - Futboll - Gazeta Express