Cana-tifozët kuqezi, lot gëzimi pas fitores!
Pavarësisht se vetë shqiponja, si shpend, ka rreth 60 lloje “speciesh” në rracën e saj, ditën e shtunë në “Qemal Stafa” e pranishme ishte vetëm ajo kuqezi. Duke filluar që nga 11 “gladiatorët” në fushën e blertë, stafi teknik, por pa dyshim edhe tifozët, që “fluturonin” mbi stadium, duke e kontrolluar dhe përkrahur me zemër skuadrën nga distanca, formuan një “ushtri” të pathyeshme nga “rusët e bardhë”.
Skuadra në fushë dhe tifozët në shkallët e stadiumit krijonin një binom shpërthyes, duke e dominuar gjithë sfidën. Mbase do të kalojnë shumë vite dhe gjithçka do të mbahet mend si një natë ëndrrash të bukura.
I tillë ishte për fansët kuqezinj momenti pas triumfit, teksa “luftëtari” Cana afrohet në flamurin e këndit, pranë tribunës D1 (ku qëndron tifo-grupi “TKZ”) dhe pasi ia dhuron fanellën një djali të vogël në fushë, mes emocionesh merr mikrofonin nga duart e komentatorit dhe nis të thërrasë:
“Kjo është Shqipëria e vërtetë, kjo është shqiptaria”! Dhe më pas tregon me shenjë shpatullën e majtë, ku është “gdhendur” një tatuazh me shqiponjën dykrenëshe. Kaq ka mjaftuar dhe, duke parë idhullin e tyre, fansët kuqezi kanë kaluar në delir.
Stadiumi në atë moment ishte gati të shpërthente si një vullkan i akumuluar prej disa vitesh. Për më tepër këto emocione i bëjnë më të gjalla disa nga anëtarët e tifo-grupit të mirënjohur “Tifozat Kuqezi” (TKZ).
Gerti Peshkopia (lider i TKZ) “Ishte moment vërtet magjik, kur Lorik Cana hoqi fanellën për t’ia dhuruar një djali të vogël dhe u afrua afër flamurit të këndit, duke na treguar shqiponjën që ka tatuazh në krah. Në atë moment ishim në “qiellin e shtatë” dhe pa dyshim emocionet ishin të mëdha.
Nuk kemi kuptuar mirë se çfarë ndodhte dhe çfarë fliste Loriku në mikrofon prej zhurmës së madhe dhe muzikës, por mjaftoi ai veprim, që atmosfera të ndizej edhe më tepër. E kemi përkrahur kombëtaren gjatë 90 minutave dhe në fund, momenti kur lojtarët po bënin “ole-”në me ne dhe çasti i Canës, ishin vërtet fantastik.
Fatos Meta (Tiranë): “Entuziasmi ishte i jashtëzakonshëm kur erdhi Cana duke folur me mikrofon përpara nesh (para tij ishte edhe Salihi). Megjithëse nuk dëgjuam se çfarë thoshte nga thirrjet e forta, që mbizotëronin në atë moment, për tifozët ishte një kënaqësi e madhe.
S’kishte më bukur që lojtarët të bëheshin pjesë e thirrjeve për Shqipërinë, pasi e kishin mbaruar detyrën e tyre në fushën e blertë. Me pak fjalë, lojtarë dhe tifozë u bëmë “një trup” për Shqipëri dhe për fitoren.
http://www.sportishqiptar.com.al/wp-content/uploads/2011/03/tifozet-kuqezinj.jpg
Rrnofsh o Lorik! Je i papam !