Ministri Limaj përuroi nënkalimin e fshatit Kliqinë dhe rrugën në Ozdrim të Pejës
Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, i shoqëruar nga zëvendësministri Adem Grabovci dhe përfaqësues të kabinetit të tij dhe kryetari i komunës së Pejës, Ali Berisha, përuruan të mërkurën nënkalimin e fshatit Kliqinë dhe rrugën e re të asfaltuar të fshatit Ozdrim. Pas përurimit të nënkalimit të fshatit Kliqinë ministri Limaj tha se ”Ndërtimi i nënkalimit të këtij fshati ka qenë më se i domosdoshëm, për banorët e këtij fshati e posaçërisht të fëmijëve. Me ndërtimin e saj ne ju bëmë të mundur që nga njëra anë e saj në tjetrën të kalojnë duke mos u rrezikuar jeta e këtyre fëmijëve”.
Bashkëpunimi ynë me komunën e Pejës vazhdon siç ka vazhduar edhe vitin e kaluar, duke realizuar projekte të cilat i propozojnë përfaqësuesit e kësaj komune, për të përmirësuar jetën e qytetarëve, potencoi ministri Limaj.
“Ky përurim ka një rëndësi të veçantë, pasi që në këtë vend dikur djemtë e Kosovës kanë luftuar për ta larguar stacionin famëkeq të policëve serbë dhe në këtë vend është vrarë Adrian Krasniqi, njëri nga heronjtë e parë të Kosovës, i cili dha jetën e tij për lirinë e vendit tonë”, theksoi kreu i MTPT-së.
Ndërsa Ali Berisha, kryetari i komunës Pejës, tha se: ”Është një projekt i qëlluar i këtij lokaliteti, pasi që ky vend ka qenë pikë e zezë, ndërsa nënkalimi i ndërtuar do të mundësojë një qarkullim të sigurt të nxënësve të këtij fshati”.
Ministri Limaj gjithashtu të mërkurën përuroi edhe rrugën e re të asfaltuar të fshatit Ozdrim të kësaj komune.
”Ne jemi duke u munduar që të ndërtojmë dhe asfaltojmë rrugë të reja në mënyrë që t’ua bëjmë jetën më të lehtë banorëve të këtyre anëve si dhe t’u mundësohet qëndrimi në vatrat e tyre duke u ofruar kushte normale të jetës”, ka theksuar me këtë rast ministri Limaj.
Për ndërtimin e rrugës së re të sapo-asfaltuar, MTPT-ja ka dhënë 300 mijë euro, ndërkaq vlera e mjeteve financiare për ndërtimin e nënkalimit sillet rreth 50 mijë euro, projekt ky i cili po ashtu është financuar nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, njofton Zyra për informim pranë kësaj ministrie.
RTK