Pacolli lobon në Afrikën Lindore, Burundi e Uganda shqyrtojnë njohjen e Kosovës
Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, gjatë qëndrimit në Afrikë, ka vizituar sot Ugandën ku është pritur nga Presidenti i këtij shteti, z. Yoweri Museveni. Në kuadër të angazhimeve për shtimin e numrit të njohjeve për shtetin e pavarur të Kosovës, zv.Kryeministri i parë, z. Behgjet Pacolli ka qëndruar sot në Rezidencën Presidenciale të Ugandës, ku ka shprehur falënderimet e tij për Presidentin, z. Yoweri Museveni, duke vlerësuar lartë gatishmërinë e Institucioneve të këtij vendi për të takuar autoritetet përfaqësuese të Shtetit të Kosovës. Z. Pacolli ka vlerësuar se vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera të Botës, është i rëndësisë jetike për të ardhmen e vendit tonë. Zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe integrimi i Republikës së Kosovës në strukturat Euroatlantike mbeten edhe më tutje sfidat kryesore të Institucioneve Demokratike të Kosovës, ka theksuar zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli.
Presidenti i Republikës së Ugandës ka vlerësuar punën e Institucioneve të Kosovës dhe të zëvendëskryeministrit, z. Pacolli, për angazhimet në fushën e lobimit për shtimin e numrit të njohjeve për shtetin e pavarur të Kosovës, duke shqyrtuar njëkohësisht kërkesën e Institucioneve të Kosovës për mundësisë e njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga Uganda si dhe vendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Zv.Kryeministri i Parë i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, gjatë qëndrimit në Ugandë është takuar edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të këtij shteti, z. Sam Kahmba Kutesa. Në ambientet e kësaj Ministrie, zv.Kryeministri, z. Pacolli e ka njoftuar z. Kutesa për situatën aktuale politike e ekonomike në Kosovë si dhe për nevojën që ka vendi punë për njohje të reja.
Z. Pacolli viziton Republikën e Burundit
Zv.Kryeministri i parë i Republikë së Kosovës, në kuadër të fushatës së tij lobuese për shtimin e numrit të njohjeve për shtetin e pavarur të Kosovës, ka udhëtuar më pas në Afrikën Lindore, në Republikën e Burundit, në kryeqytetin Bujumbara, ku është pritur nga zv.Presidenti i këtij vendi z. Terence Sinunguruza. Zëvendëskryeministri, z. Behgjet Pacolli ka diskutuar me zv.Presidentin, z. Terence Sinunguruza për zhvillimet politike aktuale në dy vendet. Z. Pacolli ka vlerësuar gatishmërinë e zv.Presidentit për këtë pritje, duke e parë këtë si mundësi të mirë për të intensifikuar kontaktet ndërmjet përfaqësuesve institucional të të dy shteteve, në drejtim të vendosjes së marrëdhënie diplomatike, pasi Republika e Burundit të kenë shqyrtuar me vëmendje mundësinë e njohjes së Kosovës, si shtet të pavarur dhe sovran.