Kodra e Diellit e Mati 1 lidhen me superstradë për 7 milionë euro
Prishtinë, 3 qershor - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH-së), Mahir Yagcilar, vizituan të enjten punimet ndërtimore në rrugën “B”, rrugë kjo që lidh lagjet “Kodra e Diellit” dhe “Mati 1”.
“Kemi dalë t’i shikojmë për së afërmi punimet që po kryhen në rrugën B, ku ka filluar të realizohet një projekt shumë i rëndësishëm për këto lagje dhe për qytetin e Prishtinës”, tha Mustafa.
Ndërtimi i kësaj rruge është investim i përbashkët i Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Ambientit, në të cilën vjet janë investuar 530 mijë euro nga Komuna dhe 470 mijë nga MMHP-ja. Sivjet ndërkaq, Komuna do të investojë 1 milion euro, e me po aq mjete do të kontribuojnë edhe Ministria e Ambientit, tha kryetari i Prishtinës.
“Kjo është faza e parë, me gjatësi rreth 700 metra, e cila përafërsisht do të kushtojë rreth 3 milionë e 100 mijë euro. Ndërkaq i tërë projekti i rrugës në gjatësi prej 2.2 km, do të kushtojë rreth 7 milionë euro”, sqaroi kryetari i Prishtinës.
“Kjo rrugë do të jetë e gjerë 36 metra, do t’i ketë gjashtë krosi, me shiritin ndarës për biçikleta, tre shirita të gjelbër dhe me një kanal të gjelbër anësor, i cili do të ndihmojë që në rast të vërshimeve apo të ujërave, të bëjë akumulimin, dhe po ashtu do të shfrytëzohet si sipërfaqe e gjelbër për qytetarë dhe për fëmijë”, tha Mustafa.
Ministri Yagcilar, ndërkaq, tha se ky projekt është i rëndësishëm për kryeqytetin e Kosovës për shumë aspekte, si për rregullimin e komunikacionit, rregullimin e hapësirës dhe zbukurimin e kësaj pjese të qytetit dhe të ambientit rreth tij.
Kodra e Diellit e Mati 1 lidhen me superstradë për 7 milionë euro - Komuna - Koha Net