I ndalohet kalimi i urës së Ibrit, zv/ministrit serb Angjelkoviq
Autoritetet kosovare i kanë ndaluar vizitën një zyrtari tjetër serb në Kosovë. Kësaj radhe, të ashtuquajturit zv/ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Bojan Angjelkoviq, nuk i është lejuar që të kalojë urën e Ibrit, pasi planifikonte të vizitonte disa të rikthyer në rajonin e Pejës. Zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Besim Hoti ka njoftuar se policia ka ndaluar zyrtarin serb me urdhër të autoriteteve kosovare, pasi vizita e tij nuk ishte lejuar zyrtarisht. Angjelkoviq, i cili shoqërohej nga tre persona të tjerë, është kthyer prapa.
Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi ka deklaruar se në Kosovë mund të hyjnë qytetarët e shteteve tjera, por hyrja nuk do t'iu lejohet zyrtarëve, të cilët nuk kanë marrë leje nga institucionet e Kosovës.