ASNN - Një skuadër kosovare e basketbollit ka mundësi që edicionin e ardhshëm (2011-2012) të garojë në Ligën Ndërkombëtare të Ballkanit në Basketboll (BIBL). Në këtë ligë rajonale garojnë ekipe nga Bullgaria, Rumania, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia dhe Serbia.
Sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Nazmi Paçarada, të premten do të zhvillojë takim me izraelitin Shej Shtriks, që është drejtor sportiv i Ligës së Ballkanit. Takimi do të zhvillohet në Shkup. Paçarada thotë se ka gjasa që një skuadër kosovare edicionin e ardhshëm të paraqitet në Ligën e Ballkanit.
"Shtriks është njeriu kryesor në Ligën e Ballkanit, - ka thënë Paçarada të enjten, duke folur për mediat kosovare. - Ai më herët ishte arbitër i basketbollit. Ne jemi duke përdoruar lidhjet e mira që kemi krijuar me arbitrat e rajonit për të lobuar te njeriu i parë i Ligës së Ballkanit.”
“Të gjithë arbitrat e rajonit që kanë drejtuar ndeshje në Kosovë kanë bindje të mirë për basketbollin kosovar dhe kanë premtuar se do të na ndihmojnë", - ka shtuar Paçarada. Ai ka thënë se në takim do të shqyrtohen të gjitha mundësitë për përfshirjen e një ekipi nga Kosova në Ligën e Ballkanit.
Liga e Ballkanit është duke u zhvilluar për të tretin vit me radhë. Në edicionin 2010-2011 në këtë ligë garuan dhjetë ekipe të ndara në dy grupe. Turneu final i këtij edicioni nisi të premten në Kavadarci të Maqedonisë.
"Fakti që liga zhvillohet në dy grupe është favorizues për ne, - ka theksuar sekretari i FBK-së. - Ekipi kosovar mund të luajë në grupin ku nuk luan ekipi nga Serbia, nëse serbët nuk pranojnë të garojnë me ne. Në fakt neve nuk na pengon që të garojmë edhe me ekipe nga Serbia.”
“Për të lejuar pjesëmarrjen e një ekipi nga Kosova, Ligës së Ballkanit i duhet një konfirmim nga FIBA. Ne këtë konfirmim do të mundohemi ta sigurojmë në takimin që muajin tjetër e kemi me drejtues të FIBA-s", - ka shtuar ai. Sipas sekretarit të përgjithshëm të FBK-së, inkuadrimi i një ekipi kosovar në Ligën e Ballkanit do të ndikonte që interesimi për basketbollin të kthehej sërish.
Paçarada vlerëson se paraqitja e një ekipi në BIBL do të ndikonte që të gjitha ekipet të përforcohen pasi do të zhvillohej garë për dalje në ligë rajonale. Ai pret që edhe tifozët dhe sponsorët t'i kthehen basketbollit, nëse sigurohet pjesëmarrja në Ligën e Ballkanit. Paçarada ka bërë të ditur se do të shikohet mundësia edhe për inkuadrim në Ligën e Adriatikut që njihet edhe si NLB Liga.
"Shumë shpejt do t'u shkruajmë edhe drejtuesve të Ligës NLB. Ka gjasa që edicionin e ardhshëm të organizohet edhe Liga e Dytë e NLB-së dhe ne do të kërkojmë që të jemi pjesë e saj. Ne jemi të gatshëm që të luajmë kundër ekipeve të Serbisë. Ofrojmë siguri për zhvillimin e ndeshjeve në Kosovë", - ka thënë Paçarada.
Në ligën e Adriatikut këtë edicion garojnë ekipe nga Sllovenia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Republika Çeke. Ndikimi i Serbisë në këtë ligë është shumë i madh. Në të vërtetë, ekipet kosovare nuk janë pjesë e asnjë lige rajonale.
Përveç dy ligave të basketbollistëve zhvillohet edhe një ligë e basketbollistëve dhe një e hendbollisteve. Në rajon planifikohen të formohen edhe liga tjera, por thuajse në asnjërën prej tyre nuk përmendet Kosova.