Vehabizmi në Kosovë
Edhe në Kosovë situata thuajse është e njëjtë. Atje madje ndryshe nga Maqedonia e cila ka adresuar problemin si rezultat i angazhimit të BFI-së në Shkup, në shtetin me më shumë se 90 për qind të popullatës që i përket besimit islam, mungojnë provat për individë të caktuar që mund ta ndjekin këtë rrymë të Islamit si nga Policia, ashtu edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK).
Në Policinë e Kosovës thuhet se vendi nuk është i rrezikuar as nga grupet radikale islame, as nga ndonjë formë e terrorizmit.
Zëdhënësi i policisë Baki Kelani, thekson se Kosova nuk është në një mënyrë të drejtpërdrejtë e rrezikuar nga sulmet terroriste, por vazhdon se Kosova nuk mund të jetë imune nga rreziqet që sillen nga sulmet e tilla.
Ai këto deklarata i mbështet në këmbimin e informacioneve me institucionet tjera të sigurisë në Kosovë, por edhe me Bashkësinë Islame të Kosovës.
"Në bazë të disa vlerësimeve, qofshin ato edhe ndërkombëtare, populli i Kosovës nuk llogaritet që është një popull, i cili mund të përfshihet në raste të tilla terroriste. E potencova se nuk paraqitet ndonjë rrezik i drejtpërdrejtë nga grupet e tilla", thotë Kelani.
Por në Bashkësinë Islame të Kosovës vërehen shqetësime për grupet radikale islamike, për të cilat thuhet se po veprojnë nga shtëpitë private dhe
"udhëhiqen nga persona që nuk janë të Kosovës".
Drejtori për media dhe veprimtari botuese të Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu.
"Edhe këtu po përflitet, po përdoret termi vehabist, termi selefist ... Është e vërtetë që, sidomos pas luftës, prania e shoqatave të ndryshme nga vende të ndryshme të lindjes dhe të perëndimit në Kosovë ka bërë që të hasim dukuri të reja. Në aspektin islam, kemi diçka të tillë që është e pranishme, siç është praktikimi i namazit – po lidhem konkretisht te namazi, apo te forma e të falurit dhe aty-këtu te dukuria e veshjes, ku hasim njerëz me mjekra të gjata dhe me pantallona të shkurtër. Nuk do të thosha se kemi një tendencë në rritje. Përkundrazi, ndoshta para disa viteve ka qenë shumë më e theksuar sesa tani", thotë Sadriu.
Por Fuad Ramiqi, drejtuesi i lëvizjes
"Bashkohu" ndaj të cilët edhe janë adresuar akuzat se i përket lëvizjes vehabiste, etiketimi me këtë lëvizje bëhet vetëm për një qëllim
"që të paraqitet Islami si frikë për njerëzimin".
"Nuk i përkas asnjë sekti, përpos që jam mysliman. Tendencat që të më lidhin me vehabizëm, janë tendenca që kanë zanafillë në qarqet anti-islame edhe jashtë Kosovës, edhe jashtë Ballkanit. Qëllimi është që të destabilizohet në përgjithësi çështja e bashkëjetesës së një shoqërie demokratike - kinse në Ballkan e Kosovë mund të ketë grupe të tilla. Por, tendencat shkojnë kah ato, që të paraqitet Islami si frikë për njerëzimin", thekson Ramiqi.
Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, duke marrë parasysh rrezikun nga Shtatorit në SHBA, ka hartuar një strategji kundër terrorizmit.
"Pozita gjeostrategjike e Kosovës, përveç që krijon mundësinë për ta bërë vendin tonë si cak transiti për aktivitete ilegale dhe trafiqe të ndryshme, paraqet rrezik edhe për shpërndarjen e sindromës së terrorizmit, veçanërisht të atij me bazë të fundamentalizmit religjioz. Në frymën e kësaj, edhe përbërja religjioze e popullatës sonë me shumicë islame mund të përdoret si element për zgjerimin e influencës në rajon. Shpeshherë, kjo përbërje mund të shfrytëzohet si alibi për të ndryshuar fokusin nga elementet tjera që janë të pranishme në Kosovë dhe rajon, e që për qëllime politike të paraqesin Kosovën si vend, i cili strehon, mbron, rekruton, trajnon dhe sponsorizon terrorizmin", thuhet në strategjinë, e cila synon mbrojtjen e të gjitha komuniteteve nga ndikimet e këtyre grupeve, si dhe parandalimin e luftimin e kësaj ideologjie.
Kosovarë me shtetësi të huaj, si në SHBA e Gjermani, janë akuzuar për sulme terroriste, të motivuara nga Islami radikal. Ndërsa, edhe në Kosovë ka individë të ndryshëm që janë akuzuar për përfshirje në komplote terroriste.
Një nga ta është Asllan Bajrami, njëri nga njerëzit më të kërkuar të FBI-së, nën dyshimin për mbështetje të veprave terroriste. Ai jeton lirshëm në Mitrovicë, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje ekstradimi midis Kosovës dhe Shteteve Të Bashkuara. EULEX-i thotë se nuk ka bazë ligjore për ta ekstraduar.
Sidoqoftë, këto trajtohen si raste të izoluara.
Vehabizmi në Shqipëri
Shqipëria në anën tjetër ka pasur batica dhe zbatica të ashtuquajtur
"luftës" së saj me fenomenin vehabi. Më e ashpër ka qenë gjatë fillim shekullit kur edhe disa elementë radikalë islamë, të mbështetur me miliona dollarë ngalamike tentuan të marrin nën kontroll drejtimin e Komunitetit Mysliman Shqiptarë.
Nga policia shqiptare ka pasur edhe disa përjashtime të disa celulave të disa shoqatave të cilat u identifikuan sipas policisë shqiptare si organizata terroriste.
Nga KSHM-ja sqarojnë se këto shoqata të përjashtuara dhanë ndihma, ngritën objekte kulti, por një pjesë e ndihmave të tyre ishin të kushtëzuara nga pas.
"Jepej një ndihmë për ndërtimin e një xhamie, por kërkonin që imam në këtë xhami të caktohej një njeri i tyre, që përfaqësonte të njëjtën rrymë. Ose jepnin pensione për jetimët, që ishin të domosdoshme për fëmijët shqiptarë në atë gjendje të mjeruar që ndodhej vendi, por kërkonin që këta jetimë të merrnin pjesë në kurset fetare. Në këto kurse nuk predikohej varianti i Islamit tradicional shqiptar, i cili ishte një Islam tolerant, por praktikoheshin pikërisht ato rryma të Islamit që ishin të huaja për besimtarët shqiptarë", theksojnë burime nga institucioni fetarë.
Sipas përfaqësuese të KSHM-së, kjo tentativë e dështuar atëherë e shpëtoi vendin nga një kërcënim serioz që i kanosej prej fraksioneve fundamentaliste islame.
"Situata për momentin është e qetë dhe nuk ndonjë lëvizje e cila do të jepte përshtypje se rrezikohet islami burimorë që me shekuj të tërë po promovohet në Shqipëri", theksojnë nga KSHM-ja.
Drejtori i Qendrës Shqiptare për Studime të Sigurisë Kombëtare në Shqipëri, Xhavit Shala, thekson se vehabizmi apo vehabo-salafizmi është një rrymë që ndodhet në pushtet në Arabinë Saudite, ka qenë në pushtet prej shekujsh dhe vazhdon të jetë në pushtet edhe sot.
"Ata kane patur në vazhdimësi synim përhapjen e kësaj rryme në vendet e Ballkanit. Me hapjen e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit, ata menjëherë hodhën hapat për ta përhapur pikërisht këtë ideologji dhe këtë rrymë vehabit, por tradita shqiptare ishte ndryshe nga kultura fetare që po sillnin këto shoqata të financuara nga bota Arabe", thekson Shala.
Sipas tij, përhapja e vehabizmit që nisi të shtrijë rrënjë në atë kohë në vend, ishte dhe është një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Shqipërisë.
"Vehabizmi dhe Salafizmi godasin identitetin tonë kombëtar dhe janë të rrezikshme dhe për demokracinë shqiptare, pasi ato janë rryma në Islam që nuk e pranojnë një rend demokratik. Për ta shteti duhet të jetë i bazuar mbi ligjet e shenjta. Ata nuk kanë asgjë të përbashkët as me besimtarët myslimanë shqiptarë dhe as me shqiptarët si komb", potencon Shala duke nënvizuar se depërtimi në islamin ballkanik është një strategji e përpjekje e kahershme e vehabizmit.
"Pra synimi i tyre nuk ka qene thjesht në Shqipëri. Synimi i tyre është marrja e kontrollit të strukturave të Bashkësive Islame edhe në Bullgari, Bosnje, Sanxhak, Maqedoni e Kosovë. Fatkeqësisht, edhe në Kosovë e Maqedoni, duke përfituar nga varfëria dhe papunësia e madhe, nëpërmjet OJQ-ve kanë depërtuar në përmasa të rrezikshme" përfundon Shala.
Retorika e rrezikut vehabi është reflektim i konflikteve të brendshme të myslimanëve praktikantë në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, por që synon përfshirjen e shtetit dhe gjithë shoqërisë në një pale kundër palës tjetër. Kjo retorikë e rrezikut vehabi, e majmur me imazhe globale të fanatizmit dhe ekstremizmit fetar, e bën të pa-mundur kuptimin e mirëfilltë të vehabizmit si fenomen fetar. Sipas këtyre rrymave, myslimanët e Ballkanit e kanë deformuar fenë islame dhe ka kohë që janë larguar nga islami i vërtetë.
Shkruan: Driton Dikena,
Marrë nga: Hëna e Re, dhjetor 2011.
__________________________________________________
(Ky hulumtim është bërë në bashkëpunim me organizatën daneze të gazetarisë hulumtuese SCOOP)