Shoqëria civile në Kosovë, Maqedoni por edhe më gjerë, ka reaguar ashpër ndaj dhunës policore të ushtruar në aksionin për arrestimin e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Sh.m.a.i.k Illyricum Libertas - Tetovë, përmes një reagimin thekson se është e tronditur thellë si dhe reagon ashpër “ndaj aksionit terrorist të Policisë së Kosovës, e cila në një akt ç’njerëzor ka arrestuar kreun e lëvizjes kombëtare Vetëvendosje , Albin Kurtin si dhe 5 aktivistë të tjerë, Vlorian Mulliqaj, Sali Zyba, Nderim Matoshi, Frashër Krasniqi dhe Faton Zeka”.
Kjo organizatë kërkon nga SHPK që të lirojë menjëherë nga burgu aktivistët e arrestuar kurse nga Gjyqësori i Republikës së Kosovës kërkojnë pushimin e menjëhershëm të rastit absurd dhe të padrejtë politik kundër liderit të shoqërisë civile në Kosovë, Albin Kurtit.
Edhe organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE) me seli në Shkup thotë se, gjatë aksionit për arrestimin e Albin Kurtit, policia e Kosovës i ka tejkaluar kompetencat, pasi ka ushtruar dhunë të pa parë duke përdorur gazë-lotsjellës, demoluar dyer e dritare si dhe rrahur aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje. OBRIE thotë se gjatë këtij aksioni kemi shkelje të të drejtave të njeriut.
“Dhuna e shfaqur nga policia e Kosovës në këtë rast, është e pajustifikueshme, pasi që Albin Kurti është trajtuar si të ishte terroristë, e jo një pjesëtarë i shoqërisë civile, një intelektual dhe dijetar i cili natë e ditë punon për të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në reagimin e organizatës OBRIE.
Lëvizja për Integrim dhe Bashkim (LIB), gjithashtu ka shprehur indinjatën e thellë lidhur me ndërhyrjen brutale të policisë së Kosovës në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje!.
LIB-i kërkon lirimin e Albin Kurtit dhe aktivistëve të tjerë të L. Vetëvendosje!, zbardhjen e krimeve të 10 shkurtit 2007, ndëshkimin e vrasësve (policëve rumunë të veshur me petkun e OKB-së).
Ndërkaq, KMDLNJ ishte e para që konstatoi se se ndërhyrja e policisë për arrestimin e Kurtit, në selinë e Lëvizjes, ishte e dhunshme.
Gjatë këtij intervenimi policia ka përdorur dhunë fizike me ç’rast – siç thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së, janë lënduar rëndë: Salih Zyba, Frashër Krasniqi, Nderim Matoshi, Florian Molliqaj dhe Faton Zeka.
Albin Kurti, siç theksohet në komunikatë, e ka të çarë ballin pasi policia e ka përplasur për dritare. Të arrestuarit, gjithnjë sipas KMDLNJ-së, janë rrahur edhe në vetura të policisë, si dhe në sallën e Qendrës për Ndalim.
Monitorues të KMDLNJ-së në sallë kanë vërejtur fasha me gjak shiringa dhe njolla të gjakut, që – siç thuhet më tej në komunikatë - është dëshmi se të arrestuarit e kanë pësuar nga dhuna e policisë.
KMDLNJ kërkon që të zhvillohen hetimet dhe përgjegjësit për këtë dhunë të mos mbesin të pandëshkuar. KMDLNJ do të kërkojë raport të ekspertit mjekoligjor për lëndimet e shkaktuara ndaj aktivistëve të “Vetëvendosjes” dhe nëse ka lëndime të tilla edhe për policët e lënduar, thuhet në komunikatë. (INA)