Han s’e ka frikë Hungarinë luajmë me skemë ofensive
Shqipëria do të luajë sërish me një skemë sulmuese, ashtu sikurse ndodhi edhe në ndeshjen kundër Maltës, ku kuqezinjtë arritën të fitonin 3-0. Në sulm do të jetë i vetëm Erjon Bogdani, por do të ketë pas shpine tre mesfushorë me tipare ofensive si Ervin Skela, Klodian Duro dhe Jahmir Hyka. Formacioni i Shqipërisë për ndeshjen e nesërme kundër Hungarisë pritet të mos ketë ndryshime për sa i përket ndeshjes kundër Maltës, me përjashtim të Elvin Beqirit, që është rikuperuar plotësisht dhe është gati të rikthehet titullar në qendër të repartit të mbrojtjes, përkrah Debatik Currit. Ari Han po mendonte të spostonte Lorik Canën në vend të tij, por nuk ka vendosur përfundimisht sepse mbrojtësi shkodran ia ka dalë mbanë. I vetmi dyshim është krahu i majtë i mbrojtjes, ku në duel janë Kristi Vangjeli me Ansi Agollin. Agolli, i cili luajti si titullar në ndeshjen kundër Maltës, ka një epërsi të lehtë për shkak se është aktivizuar rregullisht gjatë kësaj periudhe, megjithatë, nuk e ka të sigurt vendin e titullarit. Në të djathtë të mbrojtjes do të luajë Armend Dallku. Në mesfushë nuk pritet të ketë ndryshime, pasi Duro është rikuperuar dhe do të jetë i gatshëm për këtë ndeshje. Ai e ka fituar duelin me Besart Berishën për një vend në krahun e djathtë, ndërsa Skela pritet të luajë në qendër. Jahmir Hyka gjithashtu pritet të luajë si titullar në krahun e majtë, për të ndihmuar Erjon Bogdanin në qendër të sulmit. Alternativat për të bërë freskuar pjesën sulmuese të ekipit në pjesën e dytë janë Besart Berisha dhe Edmond Kapllani. Për këtë të fundit do të jetë një mundësi e mirë kjo ndeshje që të fitojë besimin e trajnerit Han dhe të korrigjojë gabimin që bëri në grumbullimin e fundit, kur goditi me shkelm në mënyrë të vullnetshme Debatik Currin. Ky veprim i pamatur i kushtoi jo pak lojtarit, i cili përfundoi në tribunë.
Kuman dërgon "spiunë"
Seancën e djeshme stërvitore e kanë ndjekur edhe dy të dërguar të trajnerit të Hungarisë, Ervin Kuman. Lajmin e bënë të ditur burime pranë stafit të përfaqësueses shqiptare. Ndërkaq mësohet se trajneri i përfaqësueses shqiptare iu ka tërhequr vëmendjen lojtarëve të tij edhe në seancën e djeshme stërvitore. Holandezi iu ka kërkuar futbollistëve shqiptarë që të mos e teprojnë me mbajtjen e topit dhe të jenë sa më të lëvizshëm në fushën e lojës dhe kur janë pa top. Një kërkesë të tillë Han ua ka përsëritur vazhdimisht lojtarëve të Kombëtares edhe në grumbullimet e mëparshme. "Nuk dua që të rrezikojmë kot. Kur unë them se ju duhet të lëvizni shumë pa top, atëherë duhet ta bëni këtë gjë. Përpiquni të pasoni sa më shumë topin dhe të mos e mbani shumë atë", mësohet t'u ketë thënë tekniku lojtarëve në stërvitjen e zhvilluar pasdite.