Einweihungsfeier für die Hasan Prishtina Statue
Shkup, përurohet busti i Hasan Prishtinës
Personalitete të shumta shqiptare morën pjesë në ceremoni
14 tetor 2012 17:40
Shkupi shqiptar përjetoi edhe një ditë të madhe historike. Në vazhdën e aktiviteteve të shumta për shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në Shkup u zbulua solemnisht busti i veprimtarit dhe heroit të njohur shqiptar Hasan Prishtina, njërit prej ideologëve kryesorë të pavarësisë së Shqipërisë. Në mesin e mijëra qytetarëve që morën pjesë në këtë akt të paharrueshëm solemn, pati edhe personalitete të shumta jo vetëm nga Maqedonia por nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti deklaroi se Hasan Prishtina ka merituar të ndodhet në qendër të Shkupit, pasi prej këtu i ka filluar veprimtarinë e vetë patriotike.
Shtatorja e Hasan Prishtinës është vendosur në komunën Cair, në një nga pjesët më të frekuentuara të Shkupit vetëm disa metra larg përmendores së heroit kombëtar,. Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se Shkupi, nuk do të ishte ky që është sot, pa Hasan Prishtinën.
Tejet emocionale në këtë ditë të madhe ka qenë paraqitja e Mehmet Prishtinës, pinjollit të fami8ljes Prishtina. Ai falënderoi të gjithë ata që ndihmuan vendosjen e Shtatores së Hasan Prishtinës në Shkup, duke shtuar se Shkupi ka qenë udhëkryqi i të gjitha veprimtarive kombëtare të Hasan Prishtinës.
Përmendorja e Hasan Prishtinës është e derdhur në bronz me lartësi prej tre metrave dhe bazamentin prej 2 metrave. Ky projekt ka pasur një kosto prej 72 mijë euro, që është mbuluar nga familja e Hasan Prishtinës, kryesisht nga Mehmet Prishtina, ndërsa ka pasur mbështetjen edhe të komunës së Çairit.
Shkup, përurohet busti i Hasan Prishtinës | ABC News