România
Gesperrt
auf albanisch
Bashkëpunimi i Kastriotit me Vlad Tepeshin
G. Shqip, dt. 24 shtator 2006
Drakula i Vllahisë dhe Dragoni i Arbënit
Citim:
(Vlad Tepeshi me të vëllanë e thërrisnin Skënderbeun "ungji Gjergj")
"Të ketë ekzistuar vallë ky kont?" Kjo kreshtë dilemash që dallga që ngriti irlandezi Bram Stoker, kur më 1897-ën shkroi librin e tij të famshëm kushtuar Kontit Drakula. Skenat imagjinare të vampirizmit erotik e turbulluan ahere fantazinë e shoqërisë puriste viktoriane, duke dëftuar se edhe ajo gjendje mund të joshej prej shamanizmit dioniziak, magjisë së zezë dhe perversitetit primitiv.
Duke e valavitur romanin e tij "ekstravagant" në tregun letrar moralizues europiano-perëndimor, shkrimtari romantik anglez i kish rënë bash në të. Stoker e kish kuptuar se industrializimi i ethshëm i asaj pjese të Europës ku ai jetonte, po i priste si me kosë legjendat popullore duke i zëvendësuar shkulma-shkulma me mitet urbane.
Po intuita e shkrimtarit e kish tjerrë edhe më imët se kaq. Pa i hyre kontekstit socio-urban të Anglisë në kohë të Stokerit, duhet thënë se "Drakula" pikoi në kohë të volitshme edhe se, mu atëherë, kjo pjesë e zhvilluar e Europës po zbulonte e habitur se ekzistokësh edhe një gjysmë tjetër e kontinentit: gjyma lindore. Flinte prej shekujsh ajo gjysmë, kllapitur në gjumin e ankthshëm, pllakosur nga terri që vetëm sa cimbisej pak nga gjysmëhëna osmane, hollake si jatagan.
Kish ngjarë thuajse gjithçka në pëllëmbë të shek. XV. E njëjta histori për krejt gadishullin Ballkanik. E njëjta shorte vendesh, besimesh të vjetra, dyersh princërore që patën stivosur emër e famë në rrjedhë të shekujve. Qe fati i atyre që jetuan e u ndeshën me Osmanet e llahtarshëm, e që brenda sinorëve të shkurtë të jetes së tyre aktive, u gdhinë në Perandorinë Bizantine, u burrëruan nën peshën e islamit dhe u ngrysën duke mbrojtur viset e veta dhe fenë e t‘parëve.
Gjergj Kastrioti dhe Vlad Drakula
Habitesh kur sheh sa fort ngjajnë mes tyre fatet e gjithë dinastive të Ballkanit dhe në veçanti ato të dy princave ballkanikë te messhek. XV, Gjergjit I Kastriot - Skënderbeut dhe Vlad III Draculea - Tepeshit.
Sikundër u shtrëngua Gjoni të jepte bijtë e tij peng si vullnet për të respektuar vasalitetin ndaj sulltanit, edhe Vladi II Dracul, i ati i Tepeshit u detyrua të bënte të njëjtën gjë me bijtë e tij aty nga 1442-shi; dhe ashtu si Gjergji ynë edhe Draculea (i biri i Dracul-it) qe dorëzuar në oborrin perandorak të Muratit II, për t‘u edukuar si mysliman i mire.
Në fakt edhe Draculea/Drakula do t‘i përkiste të njëjtës trupë dhe orderi ushtarak ku qenë rritur Kastrioti me të tjerë fëmijë të krishterë - jeniçerëve. Ndaj dhe rumuni i mitur (atëhere ish veç nja 12-13 vjeç) do ta njihte shumë shpejt autoritetin e Iskanderit, gjeneralit tashmë të famshëm nga Arbënia.
Burime hungare bëjnë me dije se Vladi i vogël, që ishte rreth 25 vjet më i ri se Skënderbeu, sikundër edhe vëllai i tij Radu, e thërrisnin atë "ungji Gjergj". Ky afrimitet ushqehej nga një besëlidhje e fshehtë (me degë edhe në kryeqytetin osman Adrianopojë/Edrene) që kishin ujdisur princat e Ballkanit me Janoshin nga Huniadi. Arratia e Skënderbeut nga kampi osman gjatë betejës së Nishit dhe bashkimi i tij me forcat serbe, para kthimit në Arbëni, anipse kalohet si gjest anësor nga historianët, ka qenë një veprim i shestuar gjatë e mire, me sfond politik dhe jehonë afatgjate.
Në një farë mënyre ai rreshtim shënoi që më 1443-shin, aderimin e Arbënisë në koalicionin e krishterë kundër të ligës që kish rënë mbi qytetërimin europian. Ballkani, ish-korridori për të mbërritur në zemër të kontinentit dhe Arbënia njëra ndër portat e rëndësishme të këtij korridori: Egnatia.
Sikurse Kastrioti, edhe Vlad Drakulea u kthye në atdhe për të qeverisur principatën e tij vetëm pas vdekjes së të atit dhe të njërit vëlla. Njëlloj si "ungji Gjergj", edhe Drakulea e mohoi islamin, fenë e re që kish përftuar në Divan, për t‘u kthyer në krishterimin katolik (gjest politik ky dhe kusht i nevojshëm për të trashëguar principatën e mbretit hungar).
Por Drakula kish trashëguar nga i ati, Vladi II Drakul, edhe përkatësinë në Urdhrin e Dragonit (Dragoit), urdhër kalorsiak ku ka gjasa të ketë bërë pjesë edhe Gjergj Kastrioti. Në kohë të Skënderbeut titulli "dragon" u jepej fisnikëve të fuqishëm politikisht ose ushtarakisht, të cilët pos tjerash, kishin marrë në sy të luftonin kundër turqve të pabesë e t‘i zbonin ata jashtë Ballkanit.
Duke u nisur nga kushtet e urdhrit në fjalë (Societas Draconistrarum), mund të mendohet se elita europiane do të ketë pasur një motiv vërtet të fortë për t‘ia akorduar këtë urdhër Kastriotit. Ndryshe nuk ka si shpjegohet mbijetesa në kohë e titullit me të cilin ai u quajt jo vetëm nga literatura post-mesjetare, por edhe nga kujtesa popullore: Dragoni i Arbënit apo dhe Kulshedra e Arbënit. Njëra ndër dy shpatat e tij që ruhen në muzetë e Europës e ka përjetësuar në dorëzën e saj shenjën e këtij urdhri pan-europian: figurën e dragoit/dragonit.
Skënderbeun e sulmoi dhe e tradhtoi tek osmanët njeriu më i dashur i familjes atërore, nipi i tij Hamzai, me të cilin qenë pagëzuar bashkë në Krujën e çliruar; Drakula mb‘anë tjetër u tradhtua nga Radu, vëllai i vetëm që i kish mbetur gjallë, me të cilin pat kaluar vitet e rënda të pengmarrjes. Ngjashmëria në jetët e këtyre njerëzve është vërtet mbresëlënëse.
Skënderbeun do ta tradhtonin mandej do princa shqiptarë, që në momente të caktuara shihnin tek ai veç despotin dhe tagrambledhësin; e njëjta dhimbë do ta kaplonte edhe Drakulën, i cili do të urrehej thekshëm nga bojaret e Transilvanisë dhe Vllahisë.
Sikundër Kastrioti, edhe Drakula i pashpirt e mundi keqas Mehmet Pushtuesin, madje e shqymbi bash në vitin 1462, kur Mehmeti ish në kulm të pushtetit dhe forcës së tij, duke e sfiduar ballas në një ndeshje pa ndihmën e ushtrive të tjera. Të 20.000 osmanët e ngulur në hu e ngjethën e ia ngrinë shpinën ngadhnjyesit të Kostandinopojës, e kështu ai u tërhoq nga një fushatë që e konsideronte historike, duke i shtuar Drakulës edhe llagapin turk Kaziglu Bej (Princi n‘Hu-ngulës).
Historia e njehsoi me Djallin
Pavarësisht nga faktet historike, kronikat osmane, legjendat gjermane apo relacionet e Vatikanit, të dy këta kalores mbijetuan në traditën gojore folklorike si njerëz që mbronin fatet e gjindjes në nevojë. Vetëm se, imazhi kolektiv i Gjergjit tonë mbeti gjithsesi figurë e panjollosur dhe e naltuar nga historia me lavde e vlerësime të përmasave kontinental, kurse përftesa mbi figurën e Drakulës nuk ia doli t‘i shpëtonte gjykimit të historisë, ca për shkak të karakterit të tij mizor e ca për efektin negativ mediatik që i mveshën atij tregtarët saksonë.
Lufta e Vladit III Tepesh nuk mori dot përmasa kombëtare dhe mizoritë e tij prekën si myslimanet, ashtu edhe të krishterët e të dy kishave. Ndonëse luftoi për principatën dhe për kryqin, Drakula nuk ia doli ta sundonte karakterin e tij të deformuar në vitet e pengmarrjes - historianët hamendin t‘i ketë ngjarë bash aty deformimi psiqik dhe perceptimi i njëanshëm i kulturës osmano-lindore i zakonit të nguljes së njerëzve në hu. (Drakula gjithsesi nuk qe i pari; e pat bërë këtë praktikë edhe parsi anglez i Worcester-it, John Tiptoft pas kthimit nga kryqëzatat).
Mizoritë deri në genocid të vojvodës Draculea-s sikurse njihej ai në Rumani, janë të njohura tashmë për historianët. Ky aktivitet i mënxyrshëm, që nga sa duket rezulton të ketë qenë i vërtetë, e ka terratisur figurën e këtij luftëtari deri në atë pikë sa vetë vulgu tek i cili ai qe mbështetur, duke mos e njohur origjinën fisnike të llagapit "drakula", filloi ta përftojë emërtimin Vlad Dracula si Vlad Djalli.
Për banorët e Moldavisë dhe Vllahisë ishte e thjeshtë të mbërrinin këtë përfundim nëpërmjet një etimologjie popullore: nga fjala "dracu" që në gjuhen e tyre do të thotë "dreq" ose "djall". Nga ana e tyre edhe Osmanët, ca nga besëtytnia që i karakterizonte si gjindje, e ca ngase kjo u leverdiste për të dëmtuar imazhin e njeriut që po u hapte aq shumë telashe, do t‘i jepnin krahë përhapjes së këtij besimi. Që këtu rrjedh dhe njësimi i Vladit me djallin dhe shpirtrat e këqij e të shqetësuar, të cilët Stokeri do t‘i përdorte shekuj më pas si harxh për romanin e vet.
Në ka qenë Drakula kaq mizor, apo në ka ekzagjerim mbi shifrat e viktimave të tij (kronikat i mveshin deri në 100.000 njerëz të ngulur në hu) kjo është një çështje që ha diskutim sot e gjithë ditën në rrethet e studiuesve. Por pavarësisht nga fakti që rumunët, turqit apo hungarët e përfytyronin apo jo Vladin e tyre si dreq, në llagapin tjetër të tij, në fjalën "tepesh", ngërthehet e vërteta e frikshme e sadizmit të skajshëm që duhet ta ketë karakterizuar këtë njeri misterioz të shek. XV. Tepesh, si mbiemër i dytë i Drakulës, kish marrë në rumanisht kuptimin e "ngulësit", për shkak të vesit të këtij princi për t‘i ngulur në hunj armiqtë e tij.
Pra, emri i tij nuk do të thotë as më shumë e as më pak se "Vlad n‘Hu-ngulësi". Edhe fjala tepesh ka një rezonancë jo të largët në shqipe. Në varësi të shqiptimit ("ce-pesh" për rumunët e "te-pesh" apo "the-pesh" për të tjerë) ajo asociohet krejtësisht me fjalën "thep" ose "cep" të shqipes - dhe kjo mund të renditet si dëshmia e radhës për kontaktin historik të shqiptarëve me vllehët. Nga sa duket, ky kontakt në Mesjetë nuk ka qenë aq i largët e misterioz sakur duket sot.
Gjithsesi, historianët kanë nisur sot t‘i ndërtojnë paralelet ndërmjet këtyre dy princave ballkanike, vërtet të paparë, të lidhur për s‘largëti me fijet e një fati të ngjashëm. Duke iu shmangur retorikave kombëtariste e fetare, shkruesit e historisë po analizojnë ftohtë elementet "e parëndësishëm" dhe detajet e jetës së tyre.
Kryesisht në universitetet amerikane, aty ku metodologjisë së studimit të historisë nuk i rëndojnë "ngarkesat lokale" dhe nacionalizmat që ndjehen ende në Europë, hipotezat e gjithfarshme nuk janë më tabu. Aty mbrohen tash edhe dizertacione speciale, sikundër njëri syresh në Michigan referuar nga Kurt W. Treptow-it me temë: "Native resistance to Ottoman expansion in southeastern Europe, 1443-1481: George Castriota Scanderbeg and Vlad III Dracula".
Nga Bajroni te Frank Coppola
Në të vërtetë, Bajronit i njihet merita e frymëzimit të «letërsisë së zezë». Ai ekzaltoi Mary Shelley-n, gruan e poetit të madh, të fantazonte e më pas të krijonte Frankeshtajnin (1817); por mendohet që ai të ketë yshtur edhe kultin e vampirizmit në novelën e Polidorit, të cilën besohej ta kish shkruar Bajroni me dorë të vet.
Nga udhëtimet në Shqipërinë e Poshtme, atij nuk i ishin shqitur mendsh historitë e kukudhëve dhe lugatëve, që sipas tij rridhnin fill e prej miteve të lashta ilirike, përhapur me kohë në krejt gadishullin e Ballkanit (i vdekuri që ringjallet pse merr jetë duke pirë gjakun e viktimave të veta). Nën këtë frymë Bajroni shkroi Kaurrin ku bëri vetë me dije se personazhi i tij nuk do të gjente paqë as në varr, por si të pllakoste në vendlindjen, do të pinte gjakun e racës së vet "duke zbrazur në mesnatë nga lëngu i jetës, vajzën, motrën, gruan". Në krijimet e tij rimerren besëtytni që gjëllinin rëndom në trojet ilirike "ku nuk vdisej prej plagësh, porse ato mb‘anë tjetër nuk mbylleshin kurrë" (kujto Gjergj Elez Alinë).
Konsiderohet se qe jehona e shkrimeve te Bajronit, e bashkuar me rrefimet e profesorit A. Vambery të Bukureshtit, mik i Stokerit, i cili ishte në Londër më 1890-n. Madje vetë Bram Stoker-i nuk mund të mohoje se për sendërtimin e fisnikut transilvanas, Kontin Drakula, Stokeri u grish prej Kontit Lara të Bajronit: sfond identik, e njëjta kështjellë e njëjta atmosferë misteri dhe tmerri, por që natyrisht Drakula, për vetë natyrën e tij gjysmë-ujk e gjysmë-lakureks, do të shtyhej në llahtaritë e tij shumë më larg se Lara dhe Kaurri. Krijimi kinematografik i Coppola-s për motive thjesht-komerciale, mjerisht e shndërron Drakulën në hijen e zbehte të legjendës së tij të shtrembëruar.
Pavarësisht nga krijimi, nga turravrapi i fantazisë, pavarësisht pra nga të gjitha, mbetet i kthjellët fakti se sikundër Gjergj Kastrioti, edhe ky sovran i një vendi të vogël mes malesh, ishte një kalorës që mbrojti tokën dhe identitetin e truallit të vet (e për rrjedhojë edhe atë të Europës) nga ushtria më e madhe në botë për epokën, nga mynxyra Osmane.
Urdhri i Dragonit
Publikisht Urdhri u formua më 13 dhjetor të vitit 1408 nga Sigizmundi I, në krye të Perandorisë së Shenjtë Romake, kur ai ishte ende mbret i Hungarisë. Qëllimi i Urdhrit qe mbrojtja e Kryqit nga armiqtë e tij dhe në mënyrë të veçante organizimi i kryqëzatave kundër Osmaneve.
Ndërmjet 24 dinastive themelues ishte edhe aleati i ardhshëm i Skënderbeut, Alfonsi i Napolit. Për një kohë të gjatë Urdhri ishte tejet i kufizuar, por më 1431-shin Sigizmundi vendosi ta zgjerojë rrethin e kalorësve-anëtarë të tij.
Nuk dihet nëse Skënderbeu hyri në atë urdhër pas kthimit në Arbëni dhe shtrëngimit të aleancës me dy ndër dragonët më të rëndësishëm: Huniadin dhe Alfonsin, por fakti është se me vdekjen e Sigismundit më 1437, urdhri dalëngadalë filloi ta humbiste rëndësinë e madhe që kish patur.
Könntest du bitte eine Kurzfassung Übersetzten