Nis strategjia pesëvjeçare për emigrantët e kthyer
Integrimi i shtetasve shqiptarë që kthehen në atdhe është fokusi i Strategjisë Kombëtare pesë-vjeçare “Riintegrimi i shtetasve shqiptare të kthyer në vend”.
Zv/ministri i Punës, Kastriot Sulka, në një prononcim për median sqaron se Strategjia ka në fokus të saj shtetasit shqiptarë të kthyer në kuadër të Marrëveshjes së Ripranimit KE-Shqipëri dhe marrëveshjeve dypalëshe të ripranimit që Shqipëria ka nënshkruar me vende të tjera, ose përmes formave të tjera të kthimit të detyruar dhe vullnetar.
Duke u ndalur në përmbajtjen e këtij dokumenti, Sulka vuri në dukje se “politika që po ndiqet për shqiptarët e rikthyer ka qëllim sigurimin e një kthimi të qëndrueshëm për ta, përmes lehtësimit të procesit të riintegrimit, duke synuar minimizimin e kostove të migracionit, maksimizimin e përfitimit dhe nxitjen e kontributit të emigrantëve për zhvillimin ekonomik të vendit”.
Mekanizmi i mbështetjes për riintegrim fillon të funksionojë me mbërritjen e të kthyerve në Shqipëri. Shtetasit e kthyer përmes marrëveshjeve të ripranimit apo formave të tjera të kthimit të detyruar i nënshtrohen procedurës së identifikimit dhe intervistimit në Pikën e Kalimit Kufitar nga Policia Kufitare dhe e Migracionit (PKM). Për shtetasit e kthyer vullnetarisht, të cilët jo detyrimisht e deklarojnë këtë fakt gjatë hyrjes në Shqipëri, informacioni mbi Sportelet e Migracionit sigurohet përmes mjeteve masive vizuale të informimit në çdo Pikë të Kalimit Kufitar (PKK) si billboard, postera, etj.
Sipas Zv/ministrit parashikohet që informacioni paraprak mbi Sportelet e Migracionit dhe shërbimeve që ato ofrojnë t’u jepet shtetasve shqiptarë të kthyer në momentin e kalimit në Pikën Kufitare. Dhënia e këtij informacioni për Sportelet e Migracionit për këtë kategori të kthyerish do të bëhet nga Policia Kufitare dhe e Migracionit, përmes një fletëpalosjeje me shpjegime dhe kontakte të Sporteleve të Migracionit.
Sulka sqaroi se “mekanizmi parashikon një rol shumë të rëndësishëm të sporteleve të migracionit, të çelura gjatë këtij muaji (korrik) në të 36 zyrat e punës në të gjithë vendin, të cilat do të mbledhin të dhëna të hollësishme rreth të rikthyerve, do të kryejnë vlerësimin e nevojave për çdo rast, do të ofrojnë informacion dhe mbështetje për nevojat e identifikuara si dhe do të referojë tek institucionet përkatëse dhe shërbimet e kërkuara”.
Informacioni që do t’u ofrohet të rikthyerve ka të bëjë me hapjen e një biznes në Shqipëri, ku të investosh në Shqipëri, informacion rreth programeve mbështetëse për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në Shqipëri, për shërbimet sociale, për skemat e sigurimeve shoqërore, mbi aksesin në sistemin shëndetësor, skemat e sigurimit shëndetësor, kushtet dhe kriteret e përfitimit, dokumentacionin dhe procedurat etj.
Strategjia e re është konceptuar me dy faza zbatimi dhe shoqërohet me një Plan Veprimi që përbëhet nga 42 masash. Përveç indentifikimit të nevojave dhe ofrimit të informacionit, Strategjia dhe Plani i saj i Veprimit parashikojnë ndryshime dhe përmirësime ligjore të cilat do të mundësojnë hartimin dhe zbatimin e programeve specifike të nxitjes së punësimit për të rikthyerit, ofrimin e formimit profesional pa pagesë, ofrimin e lehtësirave fiskale doganore, etj.
Emigrantët shqiptarë sot në botë vlerësohet të përbëjnë rreth 27,5 % të popullsisë së përgjithshme dhe 35% të popullsisë aktive. Motivi i emigrimit në 99.99% të rasteve ka qenë për punësim. Pavarësisht formave të kthimit vullnetar apo të detyruar, të kthyerit mund të klasifikohen si investitorë të mundshëm, emigrantë të kualifikuar ose pa profesion pas kthimit.
Gazeta Start: Nis strategjia pesvjeare pr emigrantt e kthyer