Seanca për buxhetin, Bode: Dieta dhe rritje të ardhurash
Kuvendi i Shqipërisë ka nisur seancën maratonë për shqyrtimin e buxhetit për vitin 2010.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka deklaruar se qeveria do të jetë në dietë, teksa ka theksuar se të ardhurat do të jenë më të larta se vitet e tjera.
Megjithatë, ai ka pranuar para deputetëve se edhe ekonomia shqiptare është përfshirë nga kriza ekonomike globale.
“Shpenzimet do të kenë ulje me rreth 17% të parashikuara më parë. Ulje do të ketë në shpenzimet qeveritare”, theksoi Bode.
Kreu i financave u shpreh gjithashtu se borxhi publik i Shqipërisë është më i larti në rajon, por ka sqaruar se ky borxh po menaxhohet tejet mirë.
Shefi i financave, ka sqaruar me shifra të ardhurat, shpenzimet, investimet, importet dhe eksportet e vendit. Ai u shpreh më tej se qeveria do të ketë prioritet biznesin dhe do të ofrojë ndihmë ndaj tij.
Qeveria shqiptare ka vendosur që të rishikojë buxhetin e vitit 2010, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike globale dhe ndikimin që ka pasur kjo krizë mbi ekonominë tonë.
Më parë, kryeministri Berisha pat paralajmëruar se shpenzimet publike do të ulen me rreth 20%, teksa pat theksuar se pagat dhe pensionet nuk do të preken.
http://www.gazetastart.com/lajme/Politike/21618/