Sllovenia do ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian
Shefi i diplomacisë sllovene ka premtuar sot mbështetje të mëtejme të vendit të tij për Kosovën. Pas takimeve me liderët institucional të Kosovës, ministri i Jashtëm slloven Samuel Zhbogar, tha se Sllovenia do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Ndërsa presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi e kanë falënderuar Slloveninë për ndihmën që ka dhënë për Kosovën, si para ashtu edhe pas shpalljes së pavarësisë. Liderët kosovar kanë vlerësuar sot lartë marrëdhëniet shtetërore Kosovë– Slloveni. Vlerësimet janë dhënë pas takimeve të ndara që zhvilluan me shefin e diplomacisë sllovene Samuel Zhbogar. Presidenti Fatmir Sejdiu ka falënderuar Slloveninë për kontributin e dhënë, si para ashtu edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai me këtë rast ka përmendur edhe mbështetjen që po jep shteti slloven në procesin e filluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ndërsa Ministri i jashtëm slloven tha se të dy vendet kanë një histori të gjatë, dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes nga Sllovenia ka filluar një epokë e re e marrëdhënieve shtetërore.
“Unë jam këtu që të flas me autoritetet e Kosovës për të ardhmen tonë të përbashkët, me qëllim të ndërtimit të një qëndrueshmërie të këtyre marrëdhënieve në mes dy shteteve. Ky është misioni i vizitës sime sot këtu. Ne jemi të gatshëm të veprojmë dhe të ndihmojmë Kosovën, në çdo aspekt, në ndërtimin e institucioneve që të jeni sa më afër integrimit euroatlantik”, ka theksuar ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zhbogar.
Edhe kryeministri Thaçi ka thënë se e kaluara sllovene dhe e Kosovës janë të njëjta, prandaj edhe e ardhmja e Kosovës do të jetë e njëjtë me shtetin slloven.
“Të dy shtetet kemi luftuar për shtet, për liri, kemi fituar pavarësinë. Sot Sllovenia është pjesë e NATO-s dhe e BE-së, edhe Kosova në të ardhmen e afërt do të jetë pjesë e integrimeve euroatlantike. Diskutuam edhe për raportet tona bilaterale që janë të shkëlqyera, një bashkëpunim shumëdimensional. Është inkurajuese edhe prezenca civile dhe ushtarake sllovene në Kosovë:, ka thënë kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi premtoi se investitorët slloven do ta kenë gjithmonë mbështetjen e Qeverisë së Kosovë, që të zhvillojnë aktivitet e tyre ekonomike. Një vazhdimësi të investimeve sllovene ne Kosovë e konfirmoi edhe ministri i jashtëm slloven Zhbogar, i cili tha se Sllovenia do të jetë afër zhvillimit ekonomik në Kosovë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Samuel Žbogar, i cili shoqërohej me drejtues sektorësh nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes së këtij vendi, sot është pritur edhe nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi
Duke folur për punën e madhe të institucioneve të Kosovës për integrimin e qytetarëve serbë në shoqërinë e Kosovës, Krasniqi ka ritheksuar se Beogradi zyrtar vazhdon tratativat për yshtjen e serbëve që të mos integrohen dhe ta pengojnë decentralizimin, i cili në fakt garanton standarde të larta të të drejtave të komunitetit serb, duke konstatuar me keqardhje se mospranimi i ofertës së institucioneve të Kosovës, i dëmton më së shumti vetë serbët. Krasniqi është shprehur i bindur se një politikë më unike e BE-së lidhur me Kosovën do të ndihmonte shumë për integrimin e qytetarëve serbë në shoqërinë e Kosovës.
Ministri slloven i Punëve të Jashtme, Samuel Žbogar, i ka vlerësuar shumë të mira marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, sidomos atë në sferën e ekonomisë, kurse ka theksuar se janë të dukshme investimet sllovene në Kosovë, dhe se sheh hapësira të mira për investime në ekonominë e Kosovës.
Duke shprehur bindjen e tij se marrëdhëniet ndërmjet dy parlamenteve do të vazhdojnë të forcohen edhe më tej, Žbogar ka pohuar se Kuvendi i Kosovës mund të përfitojë shumë nga përvojat sllovene drejt integrimit evropian.
Kosova dhe Sllovenia nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit
Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, dhe homologu i tij slloven, Samuel Zhbogar, nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës me të cilën do të intensifikohet bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve.
Marrëveshja parasheh, përveç tjerash, ndihmën e shtetit slloven për zhvillim e Kosovës. Me këtë rast ministri Hyseni kërkoi nga shteti slloven të vazhdojë përkrahjen për perspektivën evropiane për Kosovën.
Shefi i diplomacisë sllovene, Samuel Zhbogar konfirmoi se për Slloveninë liberalizimi i vizave me Ballkanin Perëndimor është me rëndësi pasi kompanitë sllovene janë aktive në këtë pjesë të Evropës, ndërkohë që në Kosovë janë investitorët kryesorë. Ai tha se interesimi për investime po rritet prandaj Ambasada e Sllovenisë në vendin tonë, së shpejti do të ketë sektorin e ekonomisë, për të ndihmuar në bashkëpunimin tregtar.
“Ballkani Perëndimorë mbetet ndër prioritetet e larta për politikën e jashtme të Sllovenisë. Progresi i kësaj pjesë në afrimin me strukturat euro-atlantike është prioritet, prandaj Sllovenia do të vazhdojë të ndihmojë rrugëtimin e këtyre vendeve”, ka thënë ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zhbogar.
Ministri Zhbogar theksoi se marrëveshja e nënshkruar me institucionet e Kosovës është bazë për ndihmën që shteti slloven do t’i ofrojë Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve të saja qeverisëse dhe administrative.
RTK