FSK blen armët e para
Nga Express më 10.02.2010 në ora 14:26
Zyrtarë nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe drejtuesit e kësaj force thonë se po punojnë që sa më parë të bëhet funksionalizimi i plotë të FSK-së, duke përfshirë këtu edhe pajisjen me armatim ashtu siç është e paraparë me ligj. Në kuadër të këtij procesi, zyrtarë nga MFSK deklaruan për Kosovapress së tashmë e kanë bërë pagesën e 375 armëve të gjata dhe bartja e tyre nga vendi i blerjes do të bëhet shumë shpejt për Kosovë.
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në shtator të vitit të kaluar ka filluar së vepruari me kapacitete të pjesshme operative dhe më pas i ka nisur stërvitjet e avancuara, nga të cilat do të përgatiten pjesëtarët, që më vonë t’i marrin përgjegjësitë për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Kosovë.
Në kuadër të këtyre përgatitjeve është duke vazhduar puna e Grupit të Përbashkët Punues për përcaktimin e llojit të armatimit që do të ketë FSK-ja dhe tashmë është bërë edhe pagesa e armëve të para me të cilët do të pajiset FSK.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi gjatë prezantimit të raportit njëvjeçar mbi zhvillimet në FSK edhe ka pohuar për nënshkrimin e disa kontratave për blerjen e disa llojeve të armëve dhe municionit.
“Është bërë prokurimi dhe nënshkrimi i kontratave nga MFSK dhe për armët e gjata G36 janë të paguara 375 copë. Të gjitha procedurat janë kryer dhe pritet vetëm licenca e bartjes së transportit të tyre. Municioni një pjesë ka ardhur është 5.56 i cili është kontraktuar me Zvicrën, pajisjet e komunikimit Harres janë të SHBA-ve, si dhe pistoletat Glok 17 të cilat kanë ardhur para vitit të ri”, ka thënë Selimi.
Zyrtarët e Ministrisë së FSK-së, vlerësojnë se kjo forcë është në rrugë të mbarë për të arritur në nivelin e dëshiruar të profesionalizmit të saj dhe se gradualisht dhe me hapa të sigurt do të jetë e gatshme që sipas afateve të t’i marrë përgjegjësitë në lidhje me sigurinë në Kosovë.
Zëdhënësi i MFSK-së, Ibrahim Shala ka thënë për Kosovapress se procedura e armatimit të FSK-së është në përfundim e sipër dhe tani pasi ekspertët e FSK-së kanë përzgjedhur llojin e armëve dhe janë përcaktuar për sasinë, armët pritet së shpejti të vijnë në Kosovë.
“Procedura për armatimin e FSK-së pothuajse është në përfundim të saj. Është shpallur një konkurs inter - ndërkombëtar, është përzgjedhur kompania, pastaj ekspertët e FSK-së kanë përzgjedhur edhe llojin e armëve, janë marrë vesh edhe për sasinë e armëve dhe armët pritet së shpejti të vijnë në Kosovë, të magazinohen dhe pastaj t’u shpërndahen pjesëtarëve të FSK-së. Do të thotë jemi në procedurat e fundit dhe shumë shpejt ndoshta do të kemi mundësinë për të informuar mediat se kur do të bëhet armatosja e pjesëtarëve të FSK-së me armë të krahut, me armë të lehta, që e përcakton edhe ligji”, ka thënë Shala.
Mirëpo, zyrtarët nga MSFK nuk kanë treguar në detaje për llojin e armatimit dhe paratë që janë shpenzuar për të blerë armët e para për FSK-në.
Ndërkohë, gjenerallejtënant Sylejman Selimi gjatë prezantimit të raportit njëvjeçar mbi zhvillimet në FSK para Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së, tregoi edhe për përgatitjet që janë duke u bërë në hartimin dhe plotësimin e disa ligjeve.
Forca e Sigurisë së Kosovës parashihet të ketë 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë. Aktualisht personeli i FSK-së është i përbërë prej 1816 pjesëtarëve, prej tyre minoritete janë 111 ose 6.11 për qind, femra 58 ose 3.1 për qind, ndërsa të trajnuar janë të gjithë pjesëtarët. Numri nga ish- pjesëtarët e TMK-së të përzgjedhur në FSK është 1423, do të thotë e përbëjnë mbi 50 për qind të FSK-së, ndërsa nga rekrutimi i shoqërisë civile është prej 382 pjesëtarëve.
Misioni i parë i FSK-së jashtë vendit është intervenimi gjatë përmbytjeve në Shqipëri, i cili si nga autoritetet vendore, ashtu edhe nga ato të KFOR-it dhe NATO-s është vlerësuar të ketë qenë i suksesshëm.
http://www.gazetaexpress.com/web/ind.../24626/C4/C16/


