Kushtrimi i Shqiptarisë
Si e njoha unë si gazetarë Kushtrimin që ashtu njihej më shumë se sa si Harun Aliu. Nofka e tij gjithmonë do të jetë një kushtrim i lirisë dhe jo i asaj siç dëshirojnë ta përshkruajnë fatzinjtë.
Studentë në UT
Unë isha student gazetarie në Tiranë, ndërkaq Kushtrimi ishte student i historisë ne Universitetin e Tetovës, qysh atëherë në vitet e 1993-ta. Ishte një figurë e çmuar, me një urtësi të paparë, por përveç kësaj atë e karakterizonte edhe guximi dhe përkushtimi pas sportit apo arteve luftarake, siç ishte karateja. Një sportist i dalluar karateje, po ashtu po vijonte paraprakisht edhe studimet për teologji islame në Fakultetin Teologjik në Shkup. Ai u regjistrua më vonë në UT, për të dhënë një mesazh gjithë klerikëve mysliman se UT-ja është simbol i së ardhmes së kombit shqiptar në Maqedoni. Nga ajo distancë kohore, sot është shumë lehtë të jesh studentë në këtë universitet, sepse fillimet kishin sakrificën dhe betejën me aparatin shtetëror, i cili ndiqte në çdo cep. Kushtrimi ishte i dalluar me urtësinë e tij duke i vënë i pari themelet e Unionit Studentor në UT, por duke kurorëzuar më pas edhe celulat e para të UÇK-së në Maqedoni. Ai mbante parimin më shumë punë, e më pak llafosje dhe gjithnjë i shmangej kompleksit të bajraktarizmit, duke mbrojtur parimin “që punët të ecin para”.
Rasti i Gostivarit i 1997 dhe montimet në 1998
Ngjarjet e Gostivarit prekën shumë rëndë djaloshin me origjinë kumanovare, i cili në bisedat e asaj kohe me ne studentët e Tiranës diskutonte se “ndryshe s`bën vetëm përmes grykës së pushkës”. Ai nga ajo periudhë aktivizohet fuqimisht në radhët e LPK-së, e cila qysh atëherë promovonte platformën për luftë të armatosur për çlirim kombëtar. Janë shumë pak dëshmi nga Kushtrimi, ndërsa vulën e mesazheve dhe historikun e aktiviteteve të tij e gjejmë vetëm tek disa intervista dhe biseda që unë dhe kolegu im Naser Pajaziti kishim zhvilluar me të për agjencinë e lajmeve INA. Ai fliste me shumë maturi për ngjarjet, respektin për bashkëveprimtarin Beqir Limanin e ndjerë, që ishte dëshmori i parë i rënë i UÇK-së. “Në 1998 organet shtetërore ndërmorën likuidimin e grupit tonë të LPK-së në Maqedoni, duke pasuar me burgosje dhe vrasje. Që nga kjo kohë kaluam në ilegalitet të thellë, duke u kyçur më pas në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Qysh atëherë u bënë edhe celulat e para në Maqedoni. Nga viti 1998 e deri në vitin 2001, por edhe gjatë luftës unë kam operuar me UÇK-në dhe dihet shumë mirë se ka pasur aksione dhe veprime të UÇK-së në Kumanovë, Kërçovë, Prilep, Shkup, Tetovë, etj, aksione që janë marrë përsipër me komunikatat e UÇK-së", janë dëshmitë e Kushtrimit. Ai asnjëherë nuk braktisi vendlindjen, për ta ndërruar me ndonjë vend perëndimor.
Lufta e UÇK-së në vitin 2001
Fillimi i luftës e gjen atë si anëtar i shtabit të përgjithshëm pranë UÇK,në Tanushë të Shkupit e deri në përfundim të saj. Por më pas pasoi edhe një akt të rëndë, pasi që ishte viktimë e një kurthi të montuar nga qarqe të caktuara që nuk i`a donin të mirën atij. Gjatë qëndrimit në Kosovë ai ra në kurth te qarqeve të caktuara që sja donin të mirën atij dhe proceseve shqiptare dhe arrestohet, ndërsa asnjëherë nuk u bë e qartë se përse ai ra në prangat e KFOR-it. Kushtrimi ishte pajtuar edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, dhe këtë i`a kishte thënë bashkëveprimtarit të tij Ali Ahmeti, me mesazhin se parimisht pajtohej me Marrëveshjen, por duke këmbëngulur që të mos tolerohet ndryshimi i saj dhe të detajohet qartë me afate precize dhe garanci ndërkombëtare implementimi i saj.
Skenari i fundit për ta çuar drejt eliminimit
Si zakonisht edhe Kushtrimi ishte viktimë e inkuizicionit policor-medial, i cili brenda natës apo ditës shqipton dënim apo shpallë të akuzuar, pa asnjë fakt, argument e dëshmi evidente. Por, qëllimi i kësaj dihet, eliminimi i një faktori të rëndësishëm. Edhe Kushtrimit kështu i ndodhi, kur ai papritmas njoftohet në lajme se është akuzuar për vrasjen e një pjesëtari të policisë speciale në afërsi të Shkupit. Që nga publikimi i lajmit, puna e tij kishte përfunduar dhe dihej skenari. Por, ajo që ngelet më irrituese se askush nuk ka shtruar dilemën deri tani se pse u vra Naser Nebiju në Haraçinë, për të cilin atëherë u tha se ishte vrasësi i pjesëtarit të policisë speciale, Zoran Markovski. Pavarësisht drejtësisë dhe të vërtetës, inskenimi i tillë e bëri ate që të largohet nga shpija, duke lënë të me lotë e mërzi familjen e ngushtë. Por kësaj radhe ikja ishte më e rëndë, sepse Kushtrimi nuk përjetoi lindjen e djalit të tij. Ai u arratis, por porosia i shkoi në vend sepse që nga malet e Karadakut ku atje gjeti strehimin e përkohshëm ai kishte porositur që djali të pagëzohet me emrin Fisnik. Sepse ai e çmonte fisnikërinë dhe e kishte ideal e parim, dhe këtë dëshironte ta përjeton edhe trashëgimtari i tij, i cili shumë pak kishte shijuar urtësinë dhe përkledhjet e babait të tij.
Vrasja makabre
Vrasja e Kushtrimit ishte një tragjedi me dy lajme, por ajo që demantoi vrerin e hedhur medial maqedonas ishin mbi 10 mijë miqtë e shqiptarët nga të gjitha anët që i dhanë lamtumirën e fundit. Lajmi i kobshëm se bëhej fjalë për kontrabandist apo organizator të një vrasje të një polici ishte një alibi i inskenuar, sepse edhe në gjykatën e shkallës së parë kurrë nuk u vërtetua saktë akuza për Kushtrimin. Nuk kanë kaluar as edhe instancat e tjera gjyqësore e deri në Strasburg, për ta nxjerrë atë fajtor, por realiteti në Maqedoni është i tillë, kur dikush mban të drejtën ekskluzive shqiptarët ti etiketojë brenda natës me nofka të ndryshme. Kushtrimi do jetë gjithmonë i gjallë sepse ashtu Zoti ua dëshiron këtë cilësi dëshmorëve të kombit.
Iliria News Agency