Prishtina e Tirana, “shumë të qeta” ndaj IRJM-së
Standardi i dyfishtë i drejtësisë ndërkombëtare
Mandej, sikur Policia e Kosovës të kishte vrarë, sipas skenarit në krye të këtij shkrimi, katër serbë—Beogradi menjëherë do të kishte kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit, Armata Serbe do të ishte vënë në gjendje të lartë gatishmërie, kurse serbët e Kosovës nuk do të kishin pas të ndalur së protestuari, politikanët e tyre do të kishin bojkotuar çdo organ shtetëror të Kosovës, kurse komuniteti ndërkombëtar do të kishte dënuar fuqishëm incidentin. Rrëmujë! Bile bile, vështirë se deklarata e Ambasadorit Amerikan në Prishtinë do të kishte qenë as edhe për një fjali e ngjashme me atë të atij në Shkup. Përkundrazi!
E ne shqiptarët, si reaguam ne? Apo, më mire thënë, si nuk reaguam?! Se shqiptarët e Maqedonisë ende janë të diskriminuar dhe të pabarabartë si qytetarë të atij vendi, nuk do koment. Se politika e tyre është më e interesuar për kolltuqe qeveritare sesa çështje kombëtare është parë disa here deri më tani. Por, se edhe Prishtina e Tirana do të tregoheshin kaq të “buta” nuk është besuar.
Respektimi i ligjit duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Vrasja, qoftë edhe në kuadër të ligjit, duhet menjanuar deri në pikën e fundit. Madje, kur një shtetas kosovar është vrarë, Prishtina zyrtare—në mos diçka tjeter—të paktën është dashur të kërkojë një hetim të pavarur për ngjarjen. Një hetim nën mbikëqyrje ndërkombëtare, apo nën mbikqyrje të përbashkët në mes zyrtarëve kosovarë dhe atyre maqedonas. Kjo është fqinjësia e mire: nëse maqedonasit nuk kanë asgjë për të fshehur, atëherë nuk do ta kishin problem të hetonin në bashkëpunim me kosovarët rastin në fjalë. Por, fatkeqësisht, Prishtina zyrtare nuk e ka bërë as edhe këtë kërkesë (të paktën ende jo!).
Andaj, përgjegjësia ne nuk i dalim zot vetvetes, mos të presim që tjetërkush të na dal zot. Kur nuk të mbron shteti yt, i huaji e ka edhe më lehtë të të shqelmojë. Kur ne nuk reagojmë ndaj standardeve të dyfishta të komunitetit ndërkombëtar ndaj “sundimit të ligjit dhe shtetit ligjor,” mos të presim që të tjerët ta bëjnë këtë për ne.
Shqiptarët nuk kanë pasur asnjëherë në historinë e tyre luftëra për pushtime, pos luftërave për liri të trojeve të tyre. Andaj, shqiptarët nuk duhet të bien preh e lojërave politike të atyre që as nuk na e kanë dashur e as nuk na e dojnë të mirën. Shqiptarët duhet të mësohen të jenë zot të vetvetës. Shqiptarët duhet të sillet si zot të vetvetes. Këtë mundësi e kanë—nëse jo ende në Maqedoni e Luginë të Preshevës—definivitisht e kanë në Shqipëri e Kosovë. Të tjerët të respektojnë vetëm sa e respekton ti vetën.
Të jesh shtet do të thotë të marrësh përgjegjësi. Të marrësh përgjegjësi do të thotë të kesh guxim. Të kesh guxim, në shekullin njëzetenjë, do të thotë të kesh vizion e mençuri. Të kesh vizion e mençuri do të thotë të jesh lider! A jemi ne shqiptarët liderë në Ballkan? Duhet të jemi dhe do të jemi… një ditë! E për të ardhur deri në atë ditë duhet të punojmë njëmend për të mirën kombëtare dhe jo vetëm atë grupore, partiake, e pushtetare.
P.S. Autori është duke doktoruar në marrëdhënie ndërkombëtare në Dalhousie University.