Prishtina kundër Bashkimit, Trepça kundër Pejës
Prishtinë, 29 mars - Basketbollisti i Bashkimit, Enes Haxhibulliq, para së të nisë luftën për titullin e kampionit, synon të fitojë trofeun e Kupës së Kosovës, pjesa finale e së cilës do të mbahet këtë fundjavë në Mitrovicë. Por, për të arritur këtë qëllim, Bashkimi ka pengesë të madhe qysh në gjysmëfinale. Shorti i hedhur të hënën ka vënë përballë Bashkimin me Sigal Prishtinën (17:00), derisa nikoqirja, Trepça, do të takohet me Pejën (20:00). Të dy këto ndeshje do të luhen të premten në palestrën "Minatori".
Te skuadra e Bashkimit pritet të paraqitet për herë të parë përforcimi Muhamed Thaçi, që ka kuruar lëndimin që e mundonte tash e sa kohë.
"Si ekip jemi shumë të mirë dhe plotësisht të kompletuar. Ne mund ta befasojmë Sigal Prishtinën ani pse është përforcuar me dy të huaj. Do të dalim në parket për fitore, pasi duam finalen dhe më pas Kupën", ka thënë Haxhibulliq të hënën.
Kapiteni i Sigal Prishtinës, Edmond Azemi, ka pritur që me skuadrën prizrenase të përballen në finale, jo në gjysmëfinale.
"Do të jetë finale para finales. Është e sigurt se ata do të luftojnë për fitore, por nëse aplikojmë lojën tonë, atëherë nuk ka dilemë rreth fituesit", ka thënë Azemi. "Bashkimi ka ekip të kompozuar mirë, ndërsa ne ende nuk jemi të komponuar mirë me ardhjen e lojtarëve të rinj. Synimi ynë këtë edicion mbetet i njëjtë, Kupa dhe titulli i kampionit".
Prishtina është kampione dhe fituese e Kupës në fuqi.
Përballja finale do të luhet të dielën në orën 21:00, ndërsa para këtij dueli do të luhet edhe finalja në konkurrencën e femrave, ku do të takohen Bashkimi dhe Penza (18:00).