Një ndeshje "All-Star" nën hijen e "showit" të 2003-s
Publikuar: Sot, më 24 mars 2010
Prishtinë, 24 mars - Palestra e sporteve "Sezai Surroi" të mërkurën do të jetë sërish nikoqire e basketbollistëve më të mirë kosovarë dhe atyre të huaj, por një është e sigurt, nuk do të ketë shkëlqimin e para gjashtë viteve e kusur, kur në të u përballen një ekip i të huajve, që në përbërje kishte lojtarë me shumë përvojë, madje edhe të NBA-së kundër një ekipi kosovar që kishte edhe përkrahjen e disa lojtarëve nga Shqipëria e Bosnjë-Hercegovina.
Të mërkurën (sot, 19:00) në Prizren, Përzgjedhja e Kosovës do të përballet kundër një përzgjedhjeje të lojtarëve të huaj që luajnë aktualisht në Superligën e Kosovës - e që janë vetëm tetë sosh.
Përzgjedhësi i tanishëm i Kosovës, Agim Kasapolli, të martën është shprehur i bindur se do të shënojë fitore kundër ekipit të të huajve, por kështu nuk do të mund të thuhej para ndeshjes së 28 nëntorit të vitit 2003. Atëbotë, ekipi i të huajve ishte aq i fortë përballë ekipit vendas, sa që ndeshja ngjante në lojën e "maces me miun". Të huajt fituan por edhe dhanë spektakël. Fituesi nuk diskutohej për asnjë çast.
Njëri nga lojtarët që ishte në atë ndeshje, e që do të jetë prapë është Edmond Azemi. Ai është ndër të vetmit që ka mundur t'i bënte vend vetes në ekip edhe kur Superliga e Kosovës ishte në kulmin e saj.
"Atëherë ka qenë më ndryshe, ekipet kanë pasur nga pesë lojtarë të huaj dhe ata ishin shumë cilësorë, shumë më shumë se këta që janë tani. Ka një diferencë të madhe në cilësi. Ka qenë privilegj të luash, sepse ke pasur përballë lojtarët që kanë bërë karrierë në Evropë dhe botë", ka thënë Azemi të martën.
Në vitin 2003 kur u luajt ajo ndeshje, liga e Kosovës ishte në pikën më të lartë deri më tash. llogaritej konkurrente edhe në rajon. Në stinorin 2003\04, kur klubet kosovare derdhën edhe nga një milion euro në investime, Superliga ishte e ndarë nga Federata e Basketbollit dhe njihej si Liga Profesionale e Basketbollit të Kosovës. Në ekipin e të huajve ndër të tjerë luanin edhe emra të mëdhenj si James Scott me pak karrierë edhe në NBA, pastaj Vedran Bosniq, Davor Pejçinoviq, Jakup Genjac, Haashim Simmons, Schin Kerr, Ronnie Ross, Rajan Bond e të tjerë. Nuk kishte vend për të gjithë të huajt.
"Atëherë edhe trajnerët e huaj kanë qenë shumë të mirë dhe lojtarët kanë marrë paga astronomike. Gjithçka ka qenë ndryshe", shton Azemi.
Ndeshja e së mërkurës do të jetë e para për Agim Kasapollin prejse ka marrë postin seleksionuesit para më shumë se gjysmë viti. Ai është përcaktuar për lojtarë të rinj me disa përjashtime. Së fundi ka ftuar edhe Ersid Lucën, pasi Vigan Radoni është lënduar.
"Jam i bindur se do të fitojmë në ketë ndeshje. Kam besim të madh te të përzgjedhurit e mi dhe gjithmonë u kam besuar basketbollistëve vendas", ka thënë Kasapolli, të martën. "Kjo ndeshje do të jetë ekzibicionale, por nuk do të thotë që ne nuk do të japim maksimumin dhe t'u tregojmë se kemi edhe ne basketbollistë të mirë dhe në të ardhmen të llogarisim në një kampionat vetëm me vendorë. Pres shumë nga këta basketbollistë dhe besoj se do t'ia dalim me sukses". Ekipin e të huajve do ta drejtojë trajneri i Pejës, Muharem Vugdaliq. Ai ka vetëm tetë lojtarë në dispozicion, aq sa edhe numëron elita tash për tash. Për të nuk është i rëndësishëm rezultati.
"Do të jetë ndeshje revyale. Kemi pak të huaj, prej tyre katër janë të pozitës qendër. Me rëndësi është që askush të mos lëndohet dhe të gjithë basketbollistët të jenë të gatshëm për ndeshjet e plejofit. Nuk ka rëndësi rezultati", ngul këmbë Vugdaliq.
Në ndeshjen "All Star" të organizuar vitin e kaluar fitoi Përfaqësuesja e Kosovës. Kjo ndeshje qe zhvilluar në Therandë.
Përfaqësuesja e Kosovës:
Muhamed Hasani, Edmond Azemi, Granit Rugova, Alban Veseli (Sigal Prishtina), Gazmend Asllani, Drilon Hajrizi, Fikret Hanxhiq (Trepça), Artan Kurti, Fisnik Mehmeti, Ersid Luca (Bashkimi), Rron Grapci (Peja), Fisnik Juniku (Kolegji Eurosporti).
Përzgjedhja e të huajve:
Dinko Peljto, Dime Tasovski, Jure Lozançiq (Trepça), Demarius Bolds, Sinisha Avramovski, Igor Trajkovski (Bashkimi), Dragan Pushiq, Theofilius Little (Peja).