[h=1]Stadiumi “Adem Jashari” me pamje të re[/h] Posted date:
January 13, 2013 | comment :
Asport – Në verë të këtij viti, stadiumi ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë pritet të ketë pamje krejtësisht tjetër.
Me rreth 500 mijë eurot e ndara nga Ministria e Sportit, stadiumit do t’i ngjiten mbi 18 mijë ulëse, derisa do të rregullohet dhe e gjithë infrastruktura. Me vënien e zërimit dhe të reflektorëve, që do të vijnë dhuratë nga Suedia, kjo arenë pritet të jetë gati për ndeshjet ndërkombëtare.
Ky vit pritet të jetë i bereqetshëm për futbollin e Kosovës. Kjo pasi sivjet infrastruktura sportive në vend më në fund pritet të përmirësohet goxha shumë.
E ky vit më së shumti do ta gëzojë stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë. Kjo pasi foleja e Trepçës pritet të merr pamje krejt ndryshe prej kësaj që e ka sot.
Deri në verën që po vjen, stadiumi i ‘Xehetarëve’ pritet të rregullohet aq mirë, saqë do t’i plotësojë të gjitha kriteret e UEFA-s e FIFA-s për të qenë nikoqir i ndeshjeve ndërkombëtare.
Rregullimi i infrastrukturës në ‘Adem Jashari’ do të kryhet me një investim të Ministrisë së Sportit në vlerë prej rreth 500 mijë eurosh.
Madje, ky dikaster qeveritar tashmë ka nënshkruar kontratë me një kompani, e cila do t’i kryejë punimet në stadiumin thuajse më të mirin në vend.
“Deri kah qershori ne besojmë se kompania kontraktuese do t’i kryejë të gjitha obligimet dhe kështu stadiumi ‘Adem Jashari’ do të jetë i gatshëm për ndeshje ndërkombëtare”, tha Bekim Haxhiu, nënkryetar i FFK-së, në emër të së cilës e ka falënderuar Ministrinë e Sportit për këtë investim.
“Stadiumit ‘Adem Jashari’ do t’i ngjiten 18 mijë e 200 ulëse, më cilësore sesa ato të stadiumit të Prishtinës. Do të rregullohen gjashtë zhveshtoret, korridoret e brendshme, rrethoja dhe e gjithë infrastruktura tjetër”, theksoi ai.
Sipas Haxhiut, kësaj arene do t’i montohet edhe sistemi i dëgjimit dhe ai i ndriçimit, i cili është duke ardhur nga Suedia, ku funksiononte në stadiumin ‘Rasunda’.
“Sistemi i ndriçimit është HD dhe ato janë të kritereve të UEFA-s e FIFA-s. Pra, edhe pse janë të përdorura, vazhdojnë të jenë shumë cilësore, ngase janë mirëmbajtur në Suedi”, vazhdoi Haxhiu.
“Sa i përket fushës së blertë, ajo edhe sot është në gjendje të mirë dhe i plotëson të gjithë kriteret ndërkombëtare. Por, do t’i rregullohet sistemi i ujitjes, ngase ajo fushë duhet të mirëmbahet”, përfundoi ai.
Përveç ‘Adem Jasharit’, gjatë këtij viti edhe stadiumi i Prishtinës pritet të pësojë përmirësime në infrastrukturë dhe po ashtu me gjasë do t’i përmbushë kriteret e UEFA-s e FIFA-s për të mundur të jetë nikoqir i ndeshjeve ndërkombëtare.
/express/
Stadiumi “Adem Jashari” me pamje të re – Asport.info