Ju kërkoj falje. Juve miqëve të mijë, dhe gjithë juve që më thonit se ATA nuk vijnë. Më falni që ju shurdhoja me debate, dhe që isha i bindur më shumë se 100 për qind, se YJET me të cilët krenoheshim do të luanin për vendlindjen e tyre. Më falni që isha gabim.
Mendova e besova se Granit prishtinalia e Valon mitrovicalia vërtetë na duan. Vërtetë duan që një ditë të luajnë për vendin ku u lindën, vendin e baballarëve e stërgjyshërve. Vërtetë mendoja se ato ‘tattoja’ nëpër trup do t’i përjetojnë një ditë edhe vetë. Nuk besoja se ata për herë të dytë do të thonë JO.
Granit e Valon, ju zgjodhët paratë para vendlindjes. Ju dhatë gjithçka për Zvicrën, por nuk dhatë asgjë për Kosovën. Ju Ragipovit, lindët dy talentë, dy yje, por që nuk do ta kenë më përkrahjen dhe grohtësinë e bashkëvendasve të vërtetë të tyre.
Ragip (Xhaka), nuk e di se kë do të akuzosh tani, Armand Dukën, apo Fadil Vokrrin, apo Gianni Infantinon, që nuk të dha garancionin, për të cilin ndoshta je lutur të mos jetë, sepse ky është arsyetimi më i lehtë. Harrove premtimin që bëre katër vjet më parë. Prandaj, edhe ne besuam aq shumë.
Ragip (Behrami), djali juaj e humbi rastin e artë për t’u bërë kapiten i vendit tëndë dhe tijin, ashtu siç doje ndoshta edhe ti, apo jo edhe ai. Ai e kishte më së lehti, pasi është në fund të karrierës, dhe asgjë nuk do t’i kushtonte që dy vjet ta veshte fanellën tonë.
JU mund të vini në Kosovë, të pushoni, harxhoni para nëpër diskoteka e kafiteri, të dhuroni topa klubeve, e madje edhe të stërvitni, por kurrë nuk do të jetë më njësoj.
JU nuk jeni më Yjet tanë, ju nuk jeni më të Kosovës, ju këtë herë u bëtë 100 për qind zviceran. U bëtë të Zvicrës, që për pak nuk e ktheu futbollin tonë prapa më 3 Maj në Kongresin e Budapestit.
JU nuk deshët të bëheni bashkë për një Përfaqësuese shqiptarësh dhe t’ua mbyllnit gojën atyre të shtetit amë, që ju shanë sa herë u përballët kundër tyre.
JU nuk ishit të interesuar të bëheni bashkë, ju e kërkuat një tjetër përballje me tifozët shqiptarë, Zvicër – Kosovë, sfidë që mund të ndodh! Për ju nuk do të jetë problem as kjo, sepse tashmë keni bërë përvojën. Ju nuk iu gëzuat pranimit tonë!
Xherdan Shaqiri nuk ishte në listën e Zvicrës, për shkak të lëndimit. Ai ndoshta ka ende pak shpresë për të luajtur me Kosovën. Ndoshta lëndimi i tij do të jetë fat në fatkeqësi. Ta shohim. Por, gjasat janë minimale. Xherdan, bëje një tjetër super gol, në minutat shtesë të sfidës jetike. Këtë herë shëno me zemër, jo me këmbën e lënduar.
E për ty Adnan Abedin Januzaj, ndoshta ke pritur episodin e dytë të “Adnan thuaj PO”. Ndoshta ke pritur se do t’i sjellim milionat e Manchesterit, apo një Zot e di. Deklarata e De Biasit se më “lehtë është të flasësh me Papën se sa me Januzajt”, u vërtetua edhe sot. Ai nuk do as të kontaktohet. Lamtumirë, belg i harruar nga Belgjika.