Peyo
Kry madh
Kosova kundër Kroacisë
Federata e Basketbollit e Kosovës nuk ka arritur ta organizojë një ndeshje miqësore për nder të Ditës së Pavarësisë, me gjithë kontaktet me Malin e Zi dhe Kroacinë. Mirëpo, kroatët u kanë premtuar kosovarëve se gjatë muajit qershor do ta zhvillojnë një ndeshje miqësore kundër përfaqësueses së Kosovës.
Nga Valon Konushevci më 12.02.2010 në ora 10:49
Me gjithë përpjekjet e mëdha, drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) nuk kanë arritur ta organizojnë një ndeshje miqësore më 17 shkurt, për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Drejtuesit e FBK-së kanë tentuar ta organizojnë një ndeshje miqësore ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi apo të Kroacisë, por të dyja këto, përkundër dëshirës, nuk kanë pasur mundësi ta pranojnë ofertën e udhëheqësve të basketbollit kosovar, për disa arsye.
“Kemi bërë përpjekje jashtëzakonisht të mëdha që ta organizojmë një ndeshje miqësore me Malin e Zi ose me Kroacinë, por kjo ka qenë e pamundur të realizohet për disa arsye. Arsyeja kryesore ka qenë se Kroacia dhe Mali i Zi nuk kanë pasur gjasa ta përgatisin reprezentacionin për 17 shkurt, sepse atëherë klubet e tyre luajnë në gara evropiane”, deklaroi të enjten për Express, drejtori i përfaqësueses së Kosovës, Artan Rugova.
Mirëpo, Rugova, tha se reprezentacioni kosovar, sipas të gjitha gjasave, do ta zhvillojë një ndeshje me përfaqësuesen e Kroacisë gjatë muajit qershor, atëherë kur kroatët përgatiten për pjesëmarrje në Kampionatin botëror që mbahet në Turqi.
“Drejtori i përfaqësueses së Kroacisë më ka siguruar se do ta zhvillojnë një ndeshje miqësore ndaj reprezentacionit tonë pas 13 qershorit, atëherë kurë Kroacia zhvillon përgatitjet për Kampionatin botëror. Kjo ndeshje sigurisht se do të realizohet dhe tani me kroatët do të bisedojmë rreth përcaktimit të datës së saktë”, theksoi Rugova i cili shtoi se në atë periudhë kohore Kosova do të mund të ballafaqohet edhe me Kombëtaren e Malit të Zi.
Kohë më parë, selektori i përfaqësueses së Kosovës, Agim Kasapolli, pati paralajmëruar se do të jep dorëheqje nga ky post në rast se FBK-ja nuk ia organizon ekipit të tij një miqësore për datën 17 shkurt.
Mirëpo, Artan Rugova thotë se Kasapolli duhet të ketë durim, sepse në muajin qershor do ta udhëheqë ekipin kosovar në një ndeshje shumë të madhe dhe historike.
“Politikat i bën Bordi i FBK-së, kurse detyra e selektorit është të punojë me përfaqësuese dhe ta udhëheqë atë. Selektori duhet të presë deri në muajin qershor, sepse atëherë do ta ketë një mundësi shumë të mirë që ta udhëheq përfaqësuesen në një ndeshje shumë të madhe që nuk kemi pasur të atillë deri më tani”, përfundoi Rugova.
Si do që të jetë, deri më tani për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Federata e Futbollit e Kosova ia ka organizuar një miqësore reprezentacionit kosovar ndaj përzgjedhjes së Superligës së Shqipërisë, kurse përfaqësuesja e Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave do të luajë më 17 shkurt ndaj Kombëtares së Bullgarisë. Ndërsa Federata e Boksit e Kosovës të shtunën e mban turneun ‘Pavarësia’, ku do të marrin pjesë edhe boksierë nga shtetet e rajonit.