Sigurohen fondet e kampusit të ri për 15 mijë studentë
Godina e re e Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Sociale ngrihet  pikërisht aty ku 20 vjet më parë studentë e pedagogë u futën në grevë  urie për të rrëzuar komunizmin.Është pagëzuar me emrin “Ndërtesa e  lirisë”. Tashmë “Kinoklubi” i Qytetit Studenti është përshtatur për  ndjekjen e leksioneve dhe seminareve. Po kështu, nga sa u bë me dije  dje, punimet për kampusin, që i përket Universitetit të Tiranës, nisin  në fund të vitit. Qeveria shqiptare ka miratuar financimin prej 23  milionë eurosh për të materializuar projektin që do të ofrojë mjedise  studimi për 15 mijë studentë të rinj. Ndërtimi i plotë i këtij kampusi  modern me 5 kate pritet të përfundojë brenda tri viteve. Në vitin 2012  do të jenë gati godinat mësimore. Më pas do të materializohet pjesa  tjetër e planit urbanistik. 
Gjatë ceremonisë së organizuar enkas për përurimin e ambienteve të reja  për studentët, kreu i qeverisë, Sali Berisha, premtoi mbështetje  maksimale për komunitetin universitar. Të pranishëm në këtë ceremoni  ishin ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, rektori i Universitetit të  Tiranës, Dhori Kule, dekanë, pedagogë e studentë të këtyre fakulteteve,  ish-studentë të ’90-s.”Djem dhe vajza, studentë dhe studente të 20  viteve më parë, pedagoget dhe pedagogët tuaj, disa prej të cilëve u  ngujuan në sallat e kësaj ndërtese në një betejë legjendare me  diktaturën, mbushën këto rrugë dhe sheshe si të rinjtë e kombit më të  stërkequr, më të izoluar, më të vuajtur të Europës, si të rinjtë e një  vendi që nuk ishte streha varfërore, por ishte strehëza e vërtetë e  mjerimit të kontinentit”, tha Berisha. Kryeministri vuri sërish theksin  te cilësia e arsimit të lartë. Sipas tij, vetëm kështu vendi mund të  shënojë progres.  “Duhet të bëjmë gjithçka për cilësinë, cilësinë dhe  vetëm cilësinë e diplomave, e dijeve, e kualifikimeve, e ekspertizës së  shkollave tona të larta. Sigurisht, cilësia dhe rendja pas saj kërkon  kushte, kërkon mjedise moderne, biblioteka moderne, laboratorë modern.  Ne do bëjmë gjithçka që universitetet tona t’i kenë. Por, ju garantoj se  këto janë të mjaftueshme dhe nuk bëjnë që ne të realizojmë qëllimin  tonë”, tha Berisha. Sipas tij,  vendimtare në cilësinë është liria  akademike. “Atë e keni në dorë ju dhe vetëm ju. Liria e kërkimit  shkencor është përcaktuese për cilësinë e universiteteve tona. Ne duhet  të bëjmë gjithçka që ta nxisim atë”, tha Kryeministri. Më tej, ai shtoi  se qeveria është e vendosur të mbështesë universitetet materialisht dhe  financiarisht.
23 milione euro do të jepen nga qeveria  për të materializuar projektin e  ndërtimit të kampusit universitar. Ai do të ofrojë mjedise studimi për  15 mijë studentë të rinj.
2 fakultete do të kenë tashmë ambiente të reja studimi. Bëhet fjalë për  Juridikun dhe Shkencat Sociale. Inaugurimi i godinës “Ndërtesa e Lirisë”  u bë dje.
Kampusi i UT
Sipas planit urbanistik, kampusi studentor i UT-së do të jetë me 5 kate,  me sipërfaqe ndërtimi mbi tokë prej 32.536 m2, ku zona sportive do të  zërë një sipërfaqe prej 13.150 m2. Kampusi do të ketë një palestër (1  890m2, fushë minifutbolli (1 600m2), fushë tenisi (1 040m2), fushë  basketbolli (1 260 m2) dhe pistë vrapimi (1 540m2). Nuk do të mungojnë  as rrugët automobilistike, ku do të përfshihen trotuare, rrugë  këmbësorësh dhe sheshe gjelbërimi. Të gjithë studentët e fakulteteve të  UT, mendohet që të grumbullohen së bashku në  kampusin e ri  universitar  bashkëkohor.
http://www.panorama.com.al/sociale/s...-mije-studente
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 		
 		  		  		 		  		  		  		  	   	 		   		 		 		 		 		  	 	 	 	 		 		 		 		 			